Komuna e Podujevës ndan mbi 328 mijë euro për të furnizuar fermerët me 180 mëshqerra

Komuna e Podujevës ka hapur tender në vlerë mbi 328 mijë euro, për të furnizuar fermerët e komunës me mëshqerra.

Tenderi është hapur më 17 janar 2023 dhe vlera e parashikuar e këtij tenderi është 328 mijë e 571 euro. Me këtë çmim Komuna e Podujevës po kërkon të blejë 180 mëshqerra, me çmimin për copë prej 1 mijë e 825 euro.

Në dosjen e tenderit specifikohen edhe ‘kriteret’ se çfarë lloji i lopës duhet të jetë.

Në tender kërkohet që lopa të jetë e racës ‘kuq e bardh’, me veti të kombinuara qumësht – mish dhe të ardhura nga importi nga Bashkimi Evropian.

“Mosha e lopëve duhet të jetë prej 24-30 muaj, nga momenti i shpërndarjes. Masa trupore duhet të jetë 500 – 550 kg. Të gjitha lopët duhet të jenë barrëse 5 deri në 7 muaj” – thuhet ndër të tjera në dosjen e tenderit.

Po ashtu, dosja specifikon se lopët duhet të jenë të lira nga sëmundjet dhe deformimet e ndryshme, si dhe t’i kenë analizat e nevojshme të parapara nga AUV-i, deri sa janë në karantinë.

“Secila lopë duhet të jetë e shënuar në librin amë, të posedojë pedigre zyrtare dhe certifikatën e perforamcës të cilat duhet t’i ofrohen blerësit” – thuhet tutje në dosjen e tenderit.

Gjithashtu, një kriter tjetër është që lopët të arrijnë të shëndosha dhe t’i plotësojnë të gjitha kushtet e parapara në kontratë.

Zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, për KALLXO.com ka thënë se ky projekt është duke u realizuar në formë të subvencionimit nga ana e drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

“Gjithsej janë planifikuar përmes këtij projekti të shpërndahen 180 mëshqerra barrëse për fermerët llapjanë. Fermerët përfitues do të participojnë me 30% të vlerës, ndërsa 70% e vlerës së mëshqerrave e mbulon komuna” – ka bërë të ditur Zhitia.

Tenderi është i hapur për pranimin e ofertave deri më 27 shkurt 2023, ndërsa sipas të dhënave të tenderit, Komuna e Podujevës do të participojë me 230 mijë euro, ndërsa në total fermerët 98 mijë e 571 euro.