Komuna e Dragashit. Dragash. 26.05.15, Photo: Atdhe Mulla

Shkeljet Recidiviste në Tenderin për Ujin

Komuna e Dragashit për të shtatën herë do të obligohet ta mbrojë vendimin e saj para panelit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP). Në dy tenderë të ndryshëm, por për punën e njëjtë, Komuna e Dragashit ka bërë shkelje ligjore duke e zvarritur zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit në disa fshatra. Tenderi i parë u anuluar disa herë nga Gjykata e Tenderëve pas shkeljeve të vazhdueshme të ligjit të prokurimit nga Komuna e Dragashit. Pas pranimit të një gjobe nga OShP-ja për mos-zbatim të vendimeve, Komuna e Dragashit ka vendosur të nisë nga zero një tender të ri në të cilin janë përfshirë edhe punët e parapara në tenderin e parë.

Gjithë historia e shkeljeve tregon për refuzimin e Komunës së Dragashit për t’i zbatuar vendimet e plotfuqishme të Gjykatës së Tenderëve dhe këmbënguljen që kontrata të mos i jepet një operatori ekonomik.

“Ndërtimi i ujësjellësit në Dragash-vazhdim i punimeve” është tenderi për të cilin ende nuk është nënshkruar kontrata edhe pse kanë kaluar 17 muaj për arsye të ankesave pranë OShP-së.

Njoftimi për kontratë për këtë tender ishte publikuar në qershor të vitit 2016, me një vlerë të parashikuar prej 495 mijë eurove për shtrimin e 9 mijë 678 m3 të gypave të ujësjellësit.

Në gusht të vitit 2016, komuna e Dragashit kishte vendosur të rekomandojë për kontratë kompaninë “Fanaj Inxhiniering” me ofertën e tij prej 340 mijë e 752 euro duke i mposhtur 7 oferta tjera më të shtrenjta. Oferta ishte për 154 mijë e 248 euro më lirë se sa ishte planifikuar në fillim.

Kundër njoftimit për dhënie të kontratës Operatori Ekonomik “Puna & K-Ing” ishte ankuar pranë OShP-së. Operatori ankues pretendonte se padrejtësisht janë eliminuar nga gara për shkak mungesës së referencave për punët e kryera. I njëjti pretendonte se kompania e rekomanduar për kontratë nuk e kishte mbuluar vlerën e kërkuar të referencave prej 742 mijë e 500 euro për periudhën tre vjeçare.

Eksperti shqyrtues kishte vlerësuar se referencat e operatorit ekonomik “Puna & K-Ing” ishin të vlefshme me arsyetimin se ndërtimi i kanalizimit ishte ekuivalent me atë të ujësjellësit pasi që në të dyja rastet bëhej ndërtimi i një sistemi që bënte bartjen e ujërave. Me vendim të OSHP-së, të datës 6 shtator 2016, ishte vendosur që tenderi të kthehej në ri-vlerësim. Gjykata e Tenderëve kishte konstatuar se komuna e Dragashit kishin bërë vlerësimin, krahasimin dhe ekzaminimin e ofertave në kundërshtim me nenin 59 të LPP-së.

“Komuna e Dragashit kishte rekomanduar për dhënie të kontratës operatorin ekonomik i cili kishte përshkruar 15 projekte e në realitet aktivitetet të natyrës së njejtë të punëve ishin vetëm 3 referenca të cilat nuk e mbulonin vlerën e kërkesës”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Pas ri-vlerësimit, komuna e Dragashit kishte vendosur që ta shpërblejë me kontratë operatorin ekonomik “Ebk & Gashi Ing” me ofertën e tij prej 369 mijë e 149 euro, një ofertë më e shtrenjtë për 28 mijë e 397 euro se sa oferta e parë e shpërblyer.

Gjoba nga Gjykata e Tenderëve

Edhe në vendimin e dytë të Dragashit për dhënie të kontratës kishte ankesa. Në tetor të vitit 2016 është ankuar operatori ekonomik “Puna & K-Ing”, i cili ishte ankuar edhe në vendimin e parë të Komunës së Dragashit. Kjo kompani pretendon se kundërligjshëm është larguar nga gara, pasi herën e parë i ishte miratuar ankesa nga OSHP-ja dhe për rrjedhojë ishte anuluar dhënia e kontratës.

Komuna e Dragashit kishte vlerësuar se operatorin “Puna & K-Ing” i posedonte referencat, por tash e kishte anuluar për një arsye tjetër. Komuna pretendon se kanë gjetur se gjatë punimeve të mëhershme të kompanisë në fjalë (Puna & K-Ing) në Komunën e Dragashit kishte pasur mangësi në punime duke e dëmtuar buxhetin në vlerë prej 50 mijë euro duke mos vendosur tre gypa të kanalizimit, siç janë kontraktuar, por duke vendosur vetëm një gyp të vetëm.

Gjatë seancës njëri nga anëtarët e panelit e kishte pyetur përfaqësuesin nga komuna e Dragashit se ‘a kishin ushtruar ndonjë padi kundër punimeve të dobëta dhe a kishin ndonjë urdhër nga gjykata për mos-kryerje të punëve për Operatorin Ekonomik ‘Puna & k-Ing’. Por, përfaqësuesi i Komunës së Dragashit është arsyetuar se atë gabim e kishin vërejtur më vonë gjatë hartimit të një projekti për asfaltimin e një segmenti rrugor ku në njërin nga pusetat nuk ishin vendosur tre gypa por vetëm një. Siç citohet në vendimin e OSHP-së, përfaqësuesi i Komunës së Dragashit ka thënë se kanë iniciuar procedurat në gjykatë kundër operatorit ekonomik, por ende nuk kishte marrë vendim nga gjykata.

Pas shqyrtimit nga ana e panelit të OShP-së ishte vendosur që tenderin ta kthejnë në ri-vlerësim për herën e dytë.

“Refuzimi i referencës së kërkuar është i paqëndrueshëm për faktin se operatori ekonomik mund të shpallet i papërshtatshëm, kur autoriteti kontraktues zbulon se kjo është një shkelje e rëndë profesionale e konstatuar nga një gjykatë kompetente”, thuhet në vendimin e OSHP-së, të datës 24 tetor 2016. “Në këtë rast nuk ekziston ndonjë dëshmi e tillë se ka ndonjë vendim të gjykatës, madje edhe vetë përfaqësuesi i autoritetit kontraktues në seancën e datës 25.10.2016 e pohoj një gjë të tillë, kur theksoj se ‘tani jemi duke filluar procedurat ndaj këtij operatori ekonomik, ndërsa nuk ka vendim të gjykatës’.”

Pas këtyre konstatimeve, Paneli shqyrtues i OShP-së kishte vendosur që Komuna e Dragashit ka bërë shkelje të ligjit të prokurimit kur e ka rekomanduar për kontratë kompaninë “Ebk & Gashi Ing”.

“Paneli shqyrtues vjen në përfundim se autoriteti kontraktues nuk e ka respektuar nenin 59 të Ligjit të Prokurimit me rastin e ekzaminimit, vlerësimit dhe krahasimit të tenderëve, pasi që e ka eliminuar operatorin ekonomik ankues për kërkesat të cilat i ka plotësuar ky operatorit ekonomik. Po ashtu nuk është respektuar edhe kriteri kryesor për dhënie të kontratës, e që ka qenë tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Tenderëve.

Pas këtij vendimi, Komuna e Dragashit e kishte anuluar vendimin për dhënie të kontratës dhe e kishte ri-vlerësuar tenderin.

Në nëntor të vitit 2016, komuna e Dragashit kishte vendosur që ta rekomandoi për kontratë OE “Fanaj Inxhiniering” të njëjtin OE të cilin e kishte shpërblyer edhe herën e parë pavarësisht se ky Operator Ekonomik nuk i kishte ofruar refencat në vlerë të kontratave siç ishin kërkuar në dosjen e tenderit.

Kompania “Puna & K-ING” sërish ishte ankuar në OSHP, duke pretenduar se komuna nuk e kishte ri-vlerësuar tenderin duke mos e respektuar vendimin e OShP-së. Gjykata e Tenderëve në janar të vitit 2017 ia kishte dërguar një urdhëresë komunës së Dragashit duke i urdhëruar ata që ta respektonin vendimin paraprak dhe tenderin ta ri-vlerësonin.

Përfaqësuesi i kompanisë “Puna & Infra Plus”, Ardian Halili për Gazetën JnK thekson se Komuna e Dragashit me çdo kusht nuk ka dashur ta shpërblejë kompaninë e tyre me tender. Pas eliminimit të kompanisë “Fanaj Inxhiniering”, ai thotë se kompania e tij është dashur të rekomandohet për kontratë, por një gjë e tillë nuk ka ndodhë.

“Ne kemi qenë të dytit me radhë me ofertën tonë prej 355 mijë e 845 euro dhe nuk na kanë shpërblyer me kontratë”, thotë Halili. Komuna e Dragashit është arsyetuar se kompania Puna & Infra Plus në një kontratë të mëhershme me këtë Komunë nuk i kanë kryer punët siç ka qenë e planifikuar me kontratë. Ky arsyetim për Halilin është i papranueshëm.

“Nuk është e vërtetë se komuna ka ngrit aktakuzë ndaj kompanisë tonë, na nuk jemi të njoftuar. Si mundet komuna me dal me qëndrim kundër një reference që vet e ka lëshuar se ne i kemi kryer të gjitha punët, sipas kushteve të kontratës. Të njëjtën referencë kompania jonë e ka dërguar edhe për vazhdimin e punëve për rrjetin e ujësjellësit”, thotë Halili.

Gazeta JnK e ka siguruar një referencë të lëshuar nga Komuna e Dragashit për kompaninë ‘Puna’, në të cilën thuhet se punët janë përfunduar siç është paraparë në kontratë.

Komuna e Dragashit nuk i ishte bindur urdhrave të OShP-së. Në prill të vitit 2017 pas ankesës së katërt të OE “Puna & K-Ing” për tenderin e njëjtë, OShP-ja kishte lëshuar një vendim duke e dënuar komunën e Dragashit me gjobë prej 5 mijë eurove për mos respektim të vendimit që OShP-ja të lëshuar në tetor të vitit 2016 që tenderin ta kthente sërish në ri-vlerësim.

Përkundër gjobës, Komuna e Dragashit nuk e kishte rivlerësuar tenderit, mirëpo e kishte anuluar atë komplet. Komuna e Dragashit kishte marrë vendim të hapte procedurë të re të prokurimit për punën e njëjtë duke shtuar volumin e punëve dhe duke ndryshuar disa pozicione të sasive në dosjen e tenderit. Njoftimi i ri për kontratë ishte lëshuar me datën 6 qershor 2017.

Operatori ekonomik “Puna & K-Ing” ishte ankuar për herë të pestë në OShP, duke pretenduar se Komuna e Dragashit në mënyrë të kundërligjshme e ka anuluar tenderin e parë. Në seancën dëgjimore të datës 22 gusht të vitit 2017, Komuna e Dragashit pranë OShP-së ishte arsyetuar se njoftimi për kontratë ishte për një tender të ri pasi atij paraprak i kishte skaduar afati, sepse kishte pasur kohëzgjatje një vjeçare dhe pas vendimit përfundimtar të OShP-së që tenderi t’i ipej palës ankuese “Puna & K-Ing” ata kishin vendosur për një projekt të ri.

Gjithashtu komuna ishte arsyetuar se projekti kishte qenë grant nga Qeveria të cilat mjete ishin tërhequr në vitin fiskal 2017 dhe me këtë komuna nuk kishte mundur ta vazhdojë tenderin aktual pa zotim të mjeteve. Sipas tyre është planifikuar një projekt tjetër në vlerë prej 2 milionë eurove me kohëzgjatje prej 2 viteve e jo projekt 1 vjeçar në vlerë prej 500 mijë eurove siç kishte qenë projekti i kaluar, sipas komunës projekti mund të dukej i ngjashëm por jo i njëjti.

Paneli shqyrtues i OSHP-së kishte vendosur që të mbetej në fuqi njoftimi për kontratë i AK komunës së Dragashit, lidhur me aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i ujësjellësit në Dragash-vazhdim i punimeve” duke obliguar AK që t’i përmbahet dispozitave të ligjit të prokurimit.

Tenderi i Dytë

Komuna e Dragashit asesi të finalizojë këtë tender, pasi serish kishte ankues në OSHP. Në tetor të vitit 2017, janë ankuar 2 operatorë ekonomikë në OSHP për tenderin “Ndërtimi i ujësjellësit në Dragash-vazhdim i punimeve”. Ankues janë operatorit “Fanaj Inxhiniering & Lala” dhe OE “Puna & Infra plus”. Eksperti shqyrtues serish ka rekomanduar që tenderi të shkojë në rivlerësim.

Gjatë seancës përfaqësuesi i komunës së Dragashit kishte theksuar se ata ishin drejtuar te KRPP-ja të marrin leje për të zhvilluar procedura të reja dhe të njëjtit i kishin drejtuar ata të kërkojnë ndihmë pranë OSHP-së të cilët jo zyrtarisht sipas përfaqësuesit të komunës u kishin thënë të bëjnë anulimin e aktivitetit të prokurimit dhe pastaj ta shohin.

Mendimi i ekspertit pas shqyrtimit në mënyrë kronologjike të aktivitetit paraprak kishte vlerësuar se komuna e Dragashit tani kishte një aktivitet të ri të prokurimit me vlerë tjetër të parashikuar të kontratës dhe me numër tjetër të prokurimit dhe se nuk mund të kthehej ri-vlerësimi i aktivitetit paraprak.

Po ashtu edhe paneli shqyrtues pas shoshitjes së provave dhe përshkrimit të kronologjisë nga ana e eksperti shqyrtues kishte vlerësuar se për mosrespektim të vendimeve të OSHP-së komuna e Dragashit ishte gjobitur nga OShP-ja, andaj pretendimet ankimore të OE ankues “Puna & K-Ing” tani kishin të bënin me aktivitetin e kaluar të prokurimit dhe nuk mund t’i shqyrtonin pasi ai aktivitet ishte mbyllur, tani kishin të bënin me një aktivitet të ri të prokurimit i cili dallon në përbërje dhe ka numër tjetër të prokurimit. Për këtë arsye paneli shqyrtues i OSHP-së kishte vendosur që të mbetej në fuqi njoftimi për kontratë i AK komunës së Dragashit, lidhur me aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i ujësjellësit në Dragash-vazhdim i punimeve” duke obliguar AK që t’i përmbahet dispozitave të ligjit të prokurimit.

Zyrtari i prokurimit të Dragashit, Nuro Ismali, kishte deklaruar në seancën e OSHP-së se ata kishin marrë leje jo-zyrtare nga OShP-ja për hapjen e procedurave të reja të prokurimit. Gazeta JNK nga ka kërkuar lejen jo-zyrtare të lëshuar nga OSHP-ja, por të njëjtit kishin përcjellë vetëm vendimin 205/17 të datës 22.08.2017, pa asnjë sqarim tjetër.

Gazeta JnK ka kërkuar qasje edhe në kallëzimin penale të Komunës së Dragashit ndaj kompanisë “Puna”, por e njëjta nuk i ka dërguar asnjë dokument.

Komuna e Dragashit ka vazhduar me procedura e prokurimit, duke e rekomanduar për kontratë operatorin “EBK & Gashi ing & Vovdovodska DD & Muratori shpk” në vlerë prej 1 milion e 870 mijë e 422 euro (1,870,422.62 €), apo 151 mijë 401 euro më lirë se sa vlera e planifikuar e projektit prej 2 milionë eurove.

Ankesë pranë OSHP-së për tenderin “Ujësjellësi kryesor-vazhdim i punimeve” kishte parashtruar  OE “Fanaj Inxhiniering & Lala shpk” të cilët kërkonin që lënda të shkojë në ri-vlerësim me pretendimet ankimore se gjatë analizimit të dokumentacionit të OE fitues kishin vërejtur se ka pasur lëshime të mëdha në dokumentacionin e ofruar prej tyre, duke mos ofruar dëshmi të kënaqshme të qarkullimit vjetorë gjatë 3 viteve të fundit.

Shkeljet e Njëjta   

Ankesë pranë OSHP-së kishte parashtruar edhe OE “Puna & Infra plus” me pretendimet ankimore se gjatë analizimit të dokumentacionit të operatorit fitues kishin vërejtur se atyre u mungonte lista e kontratave të realizuara nga lëmia e njëjtë në vlerë prej 3 milionë euro për 3 vitet e fundit. Gjithashtu ankesa ishte edhe për çmime jonormalisht të ulëta. Gjithashtu sipas OE ankues “Puna & Infra Plus”, Komuna e Dragashit nuk kishte analizuar çmimet konform nenit 61 të LPP-së ku kërkohet ndarja e elementeve përbërëse të tenderit, që për çdo pozicion veç e veç të kërkohet arsyetimi i çmimit të ofruar. Kompania ‘Puna’ pretendon se me çmimin që ka ofertuar kompania e`rekomanduar për kontratë është e pamundur të finalizohet ky projekt.

Eksperti shqyrtues profesional Enver Hyseni në seancën dëgjimore të 14 nëntorit të vitit 2017 në raportin e vet paraqiti të gjeturat e tij sipas pretendimeve ankimore të dy OE ankuese duke rekomanduar që lënda të shkojë në ri-vlerësim për shkak se konzorciumi i OE fitues “EBK & Gashi ing & Vovdovodska DD & Muratori shpk” nuk kishin sjellë dëshmitë e kërkuara sipas specifikimeve në dosjen e tenderit.

Por me mendimin e ekspertit nuk u pajtuar përfaqësuesi nga AK komuna e Dragashit, Nuro Ismaili.

“Ne nuk pajtohemi se OE u mungon dokumentacioni, sepse OE i rekomanduar për kontratë e ka qarkullimin bankarë që së bashku me liderin “Gashi Ing”  e kanë tejkaluar qarkullimin e kërkuar”, tha Ismaili.

Gjykata e Tenderëve ka marrë vendim edhe për ankesën e fundit të bërë për këtë tender. Ka konstatuar se Komuna e Dragashit serish ka bërë shkelje të ligjit të prokurimit, duke e obliguar që tenderin të kthej edhe njëherë në rivlerësim.

“Paneli shqyrtues ka konstatuar… qëndron pretendimi i operatoreve ekonomik ankues, për faktin se Grupi i OE të rekomanduar për kontrate, lidhur me kërkesën e specifikuar ne nenin 9.1 ka ofruar si dëshmi marrëveshja për furnizim me zhavorr, mirëpo nuk ka ofruar si dëshmi licenca nga organet kompetente për gurëthyes ashtu siç është kërkuar në nenin 9.2 të FDT-së”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Paneli shqyrtues ka konstatuar se nuk janë respektuar nenet: 7, 56 dhe 59 të LPP-së. Gjykata e Tenderëve ka kërkuar nga Komuna e Dragashit që të jetë transparente dhe t’i lejojë operatorët në garë të kenë qasje të plotë në dokumentet e kërkuara, siç parashihet ne nenin 10 të LPP-së.