Dyshime për keqpërdorim me tender për shtrimin e rrugëve në Suharekë, paraburgim për pronarin e kompanisë “Seferi- CO”

Gjykata e Prizrenit, ka caktuar një muaj paraburgim ndaj Bujar Seferaj, pronar i kompanisë “Seferi – CO” SH.P.K., i dyshuar në lidhje me keqpërdorimet në tenderin për shtrimin e disa rrugëve në fshatin Mushtisht të Suharekës gjatë vitit 2022.

Paraburgimi do t’i llogaritet nga 28 gusht deri më 28 shtator 2023.

Kërkesën për paraburgim e ka parashtruar prokurori i rastit, Petrit Kryeziu ndërkaq e njëjta është aprovuar nga gjykatësja Teuta Krusha.

Seferaj është i dyshuari i tretë i cili u arrestua pas zgjerimit të hetimeve nga ana e Prokurorisë.

I pandehuri Bujar Seferaj dhe personi juridik “Seferi-CO” Sh.P.K., dyshohet se nga data 17 maj 2022 deri më 12 dhjetor 2022, në fshatin Mushtisht, Komuna e Suharekës, duke vepruar si pronar dhe përfaqësues i autorizuar i kompanisë “Seferi – CO” SH.P.K, me dashje shkel procedurat dhe rregullat e prokurimit publik dhe nuk zbaton detyrimet që dalin nga kontrata e prokurimit publik.

Tutje thuhet se me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, nënshkruan kontratën me numër të prokurimit 624-22-1007-5-2-1/C797 sipas titullit të kontratës “ndërtimi i rrugëve”: ‘Rexhep Velia’ – me segment, ‘Molika’, ‘Shaljanët’-me segment, ‘Kovaçi’, ‘Tafa’, ‘Jetush Shala’ dhe ‘Haxhi Shania’…. në fshatin Mushtisht të Suharekës.

Në bashkëveprim me personat zyrtarë të Komunës së Suharekës, ku menaxheri i kontratës Berat Kabashi përpilon procesverbale, situacione fiktive si dhe raporte fiktive në kryerjen e punëve, ashtu që përmes kompanisë së të pandehurit Seferaj lëshon faturën e 22 korrikut 2022, në vlerë prej 70 mijë euro dhe faturën e 8 dhjetorit 2022 në vlerë prej 2 mijë e 213 euro e 17 centë për realizimin e punëve.

Sipas Prokurorisë kështu vazhdon bashkëpunimi me zyrtarët komunal, përpilojnë raportin e pranimit teknik kinse janë realizuar punimet sipas pranimit kontratës përderisa gjendja në terren ka qenë e parealizuar.

Me këto veprime dyshohet se kishte për të kryer veprën penale keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik.

Më 22 gusht, për të njëjtin tender ishte arrestuar drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Suharekës, Enver Shabani dhe zyrtarin komunal, Berat Kabashi.

Më 24 gusht, Gjykata Themelore e Prizrenit ka caktuar një muaj paraburgim për dy zyrtarët komunalë.

Ata dyshohen se kanë keqpërdorur pozitat e tyre në një tender për shtrimin e disa rrugëve në fshatin Mushtisht të Suharekës gjatë vitit të kaluar.

Të dyshuarit, kanë qenë të angazhuar në menaxhimin dhe mbikëqyrjen e kontratës në fjalë ku vlera sipas Prokurorisë ka qenë mbi 74 mijë euro.

Sipas aktvendimit për fillimin e hetimieve, Shabani dhe Kabashi me dashje nuk kanë kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuar me ligj, në atë mënyrë që me vendimin 01-Nr.016-29186 të datës 18.05.2022 të lëshuar nga Kryetari i Komunës së Suharekës caktohen në menaxhimin e kontratës me numër prokurimi 624-22-1007-5-2-1 dhe 624-22-016-521me titullin e kontratës “ndërtimi i rrugëve”.

Mirëpo, nga informatat e siguruara dhe verifikimit të të njëjtave është konstatuar se të hollat janë paguar për Operatorin Ekonomik por rrugët nuk janë shtruar siç parashihet në kontratë.

“Të hollat janë paguar për operatorin ekonomik mirëpo rrugët nuk janë shtruar ashtu siç parashihet në kontratë, të njëjtit dyshohen se me veprimet e tyre i kanë mundësuar dobi pasurore personit tjetër -operatorit ekonomik dhe i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Suharekës në vlerë prej 74,214,74 euro”- thuhet në aktvendimin e Prokurorisë së Prizrenit.

Raportimet e tjera të KALLXO.com mund t’i lexoni në këtë LINK.