Aparati i kafesë/Ilustrim FOTO-Urim Krasniqi

ASHNA hap tender 4 mijë euro për aparat të kafesë për zyrën e drejtorit dhe zv/drejtorit

Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), ka hapur një tender për furnizim me aparat të kafesë dhe kapsula të kafesë, për zyrën e drejtorit dhe të zëvendësdrejtorit.

Vlera e parashikuar e këtij tenderi është 4 mijë euro, ndërsa procedura e tenderimit është ‘kuotim i çmimit’.

Tenderi me emrin ‘Furnizim me kafe espresso (kapsula) dhe aparat per kafe espresso’ është hapur me datë sot me 17 janar, ndërsa sipas njoftimit, afati për dorëzimin e ofertave është deri më 23 janar 2023.

Me çmimin e parashikuar prej 4 mijë euro për këtë tender, ASHNA po kërkon tre aparata të kafesë me ‘dizajn të thjeshtë’, si dhe 7 mijë e 500 kapsula të kafesë.

“Furnizimit me kapsula duhet t’i bashkangjiten edhe sheqeri i paketuar, gotat e letrës dhe lugët e plastikës per sasinë e kërkuar të furnzimit me kafe. Furnizimi me kapsula të kafes duhet të bëhet çdo 3 muaj apo sipas nevojës në intervale edhe më të shpeshta kohore, për periudhë një vjeçare” – thuhet në dosjen e këtij tenderi.

Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror nuk ka qenë e gatshme të ofrojë një përgjigje të shpejtë për KALLXO.com, në lidhje me këtë tender.

Nga Zyra e Drejtorit të Agjencisë, Samir Bllacakut, përmes telefonit kanë thënë se ‘drejtori është në një udhëtim zyrtar jashtë vendit’ dhe mund t’i drejtoheni me email.

Ndërsa zëvendësdrejtori i ASHNA-s, Valmir Hylenaj, ka thënë se nuk ka informata rreth tenderit, pasi që sipas tij, ka qenë në pushim.

“Kam qenë në pushim, të hënën kam ardhë. Më duhet me i pytë zyrën për informim. Mundeni me na shkru në email dhe merrni detajet për këtë tender” – ka thënë Hylenaj për KALLXO.com përmes telefonit.

Tenderi vlen për periudhën prej një vjet, nga nënshkrimi i kontratës.