Ylli i Ri i Politikës Kërkon Ndryshim në Vukovarin e Ndarë

Biljana Gaca ishte vetëm njëvjeçe kur familja e saj u largua nga Vukovari dhe nuk e mban mend rrethimin shkatërrues të qytetin e saj nga ana e Ushtrisë Popullore Jugosllave dhe paraushtarakët serbë, që e la qytetin në gërmadha dhe pa popullsinë kroate të dëbohej që aty.

“Familja ime dhe unë u larguam nga Vukovari në vitin 1991 në fillim të luftës, edhe pse prindërit e mi për shumë kohë besonin se nuk do të kishte një luftë e vërtetë, por se do të kishte disa shkëmbime zjarri. Askush nuk besonte se do të vinte në një tragjedi dhe një masakër të tillë,” tha Gaca në një intervistë për BIRN.

Jeta e saj nga ai moment ishte ai e një fëmije tipik refugjat në Kroaci, gjatë dhe pas luftës, duke u shpërngulur vazhdimisht nga një banim i përkohshëm në një tjetër.

Familja e saj fillimisht kërkoi strehim tek të afërmit në Zagreb, pastaj u transferua në fshatin Lumbarda në ishullin e Korculas, pastaj në qytetin lindor të Slavonski Brodit dhe më në fund në qytetin më të madh në Kroacinë lindore, Osijek.

Pavarësisht se shkollën fillore e nisi në Osijek, ku ajo jetonte, rastësisht, në rrugën Vukovar, familja e saj e kishte ndarë mendjen të rikthehej në vendlindjen e tyre.

Pas luftës, kur Vukovari u riintegrua në mënyrë paqësore në Kroaci në vitin 1998, ata aplikuan tek autoritetet për rindërtimin e apartamentit të tyre, duke besuar se së shpejti ata do të ishin në shtëpi.

“Në vitin 2000, u strehuam përkohësisht në 54 metra katrorë, të gjashtë ne, dhe kështu “përkohësisht” zgjati për tetë vjet, kur ne u zhvendosëm në shtëpinë tonë aktuale në vitin 2008,” tha Gaca.

“Nuk ishte një rrugë e lehtë, por familja ime kishte një dëshirë të fortë për t’u kthyer në Vukovar,” shtoi ajo me një ndjenjë krenarie.

Pas kthimit në vendlindjen e saj në moshën dhjetëvjeçare, ajo pa vetë me sytë e saj mënyrën se si ishin të ndarë kroatët dhe serbët e qytetit dhe se si fëmijët shkonin në shkolla të ndara.

Ajo shpjegoi se si gjëja e parë që ajo kujton nga dita e saj e parë e shkollës në Vukovar ishte “një traumë për përshëndetjet”. Ajo tha se në Osijek, rreth 40 kilometra larg nga Vukovari, njerëzit e kanë zakon ta përshëndesin njëri-tjetrin me të gjitha llojet e frazave, ndërsa në Vukovar këto përshëndetje ishin zakonisht specifike etnike.

“Erdha në Vukovar duke mos e menduar fare këtë. Hyra në klasë dhe thashë: “Çao” (Ç’kemi!) Unë jam Biljana,” dhe pastaj mora një vështrim shumë të habitur nga shokët e shoqet e mia, ” risolli ajo në mendje.

Një vajzë më pas i tha se ajo nuk duhet t’i përshëndeste njerëzit duke thënë se “Çao” nëse hyn në një klasë kroare, sepse këtë e thonë vetëm serbët.

 

‘Një model i sinqertë ndërkulturor’

Tani një 25-vjeçare e zgjuar dhe e sigurt në vetvete, Gaca ka rreth dy vjet që është anetare e këshillit të qytetit të Vukovarit, duke përfaqësuar Partinë Social-Demokrate të qendrës së majtë, SDP-në.

Ajo u bë aktiviste qytetare në moshën 14-vjeçare dhe iu bashkua SDP-së dy vjet pas kësaj.

Kujtimi i saj për atë që ndodhi ditën e saj të parë të shkollës në Vukovar dhe dëshira e saj për të bashkuar shkollat e ndara të qytetit dhe komunitetet e motivuan atë për të përkrahur themelimin e shkollës së parë, e cila do të kishte një program të përbashkët arsimimi si për nxënësit kroatë ashtu edhe për ata serbë.

Gaca, e cila tezën e saj të masterit e bëri mbi çështjen e arsimimit të pakicave kombëtare në Fakultetin e Shkencave Politike të Zagrebit, shpjegoi se shkolla e re nuk do të zvogëlojë të drejtat e pakicës serbe në Vukovar.

Sistemi kroat ka disa modele për edukimin e nxënësve të pakicave etnike – dy kryesoret marrin mësime në gjuhën e tyre dhe në klasa të ndara në dy gjuhë.

Gaca tha se propozimi i Vukovarit do të ofronte një alternativë e cila “mund të jetë një shembull për vendet e tjera me probleme të ngjashme”.

“Ky është një model i vërtetë ndërkulturor në të cilin shumica mëson për pakicën dhe pakica për shumicën,” shpjegoi ajo.

“Në të gjitha modelet e tjera ne në fakt jetojmë pranë njëri-tjetrit dhe jo me njëri-tjetrin. Mungon si ndërverimi ashtu edhe elementi dërkulturor,” tha ajo.

Ajo është gjithashtu e vendosur ta bëjë Vukovarin, i cili është shndërruar në një simbol të përpjekjes së Kroacisë gjatë luftës, në shumë më tepër se thjesht një vend “ku njerëzit vijnë të ulen në gjunjë për të nderuar viktimat”.

E kaluara nuk duhet harruar, tha ajo, por vizitorëve u duhen ofruar stimuj të tjerë për të zgjatur qëndrimin e tyre në qytet, e cila do të ishte përfituese për të gjithë.

Ajo vuri në dukje sesi Marrëveshja e Paqes e Erdutit e vitit 1995 e nënshkruar midis rebelëve serbë të Kroacisë dhe autoriteteve kroate, e cila bëri të mundur riintegrimin paqësor të pjesës lindore të vendit, nuk është dhe aq në fokus në përkujtimore publike, siç janë disa prej fushatave fitimtare ushtarake të vendit.

“Është rimarrja e territorit kroat pa qenë nevoja të kishte as edhe një të shtënë, pa humbur as edhe një jetë nga të dyja anët. Kjo është diçka që ne absolutisht duhet ta festojmë – të gjithë ata që e vlerësojnë paqen dhe ‘e jetojnë’ atë paqe,” tha ajo.

Asistenti i ministrit kroat të veteranëve të luftës Bojan Glavaseviq tha në një intervistë për BIRN në nëntor se ai shpreson se Gaca një ditë do të bëhet kryebashkiake e Vukovarit dhe do të ndihmojë në krijimin e një të ardhme tolerante për qytetin, pas të gjitha vuajtjeve të tij.

“Askush nuk tha se do të jetë një rrugë e lehtë apo një rrugë pa pengesa, por unë dua të besoj se njerëzit si Biljana duan një të ardhme të tillë, dhe pastaj ata mund ta bëjnë realitet një të ardhme të tillë,” tha Glavaseviç.

Gaca iu përgjigj komplimentit me modesti, por edhe me vetëbesimin tipik të saj.

“Të jesh kryebashkiake e Vukovarit s’është njësoj si të jesh kryebashkiake e një qyteti të zakonshëm, sepse ai përmban një simbolikë. Është një rol shumë më serioz dhe me më shumë përgjegjësi. Nëse më jepet kjo mundësi, do ta marr shumë seriozitet,” tha ajo.