Jakov Sedlar

Regjisori kroat realizon dokumentar mbi ‘terrorin serb’

Një film i ri dokumentar që pretendon se kroatët u janë nënshtruar “një shekulli terrori serb”, i realizuar nga regjisori kontroversial kroat Jakov Sedlar, do të ketë premierën e tij muajin e ardhshëm.

Regjisori kroat Jakov Sedlar, i cili u bë qendra e polemikave për një film të mëparshëm rreth kampit të përqendrimit të Luftës së Dytë Botërore në Jasenovac, do të mbajë premierën e dokumentarit të tij të ri “Njëqind vjet terror serb – Nga Karagjorgjeviçi dhe Pribiceviqi tek Vuçiqi dhe Pupovaci” muajin e ardhshëm.

Sedlar tha për faqen e internetit të krahut të djathtë direktno.hr se dokumentari u realizua me rastin e 100 vjetorit të krijimit të “një shteti artificial të quajtur Jugosllavi”, në të cilin “gjërat më të këqija i ndodhën popullit kroat”.

Dokumentari financohet nga sponsorë nga diaspora kroate. Pas premierave në qytetet e Zagrebit, Splitit dhe Zadarit, ai do të shfaqet në SHBA dhe Kanada.

Titulli i tij thekson objektiva duke përfshirë edhe dinastinë Karagjorgjeviq, e cila sundoi Serbinë dhe pastaj Jugosllavinë gjatë periudhave në shekullin e 19-të dhe 20-të.

Ai vë në shënjestër gjithashtu edhe Milorad Pupovaçin, kreun politik të serbëve të Kroacisë dhe një anëtar i parlamentit kroat, si dhe presidenti aktual serb Aleksandër Vuçiq. Partia e Pavarur Demokratike Serbe e Pupovacit është pjesë e koalicionit qeverisës të Kroacisë.

Historiani kroat Tvrtko Jakovina tha se dokumentari ka gjasa të ketë një ndikim negativ në marrëdhëniet etnike, por kjo do të jetë e kufizuar, sepse filmat e Sedlarit nuk arrijnë një audiencë të madhe.

“Në kontekstin e sotëm, është e sigurt që ai do të vazhdojë të thellojë marrëdhëniet e këqija midis serbëve dhe kroatëve në Kroaci, mirëpo gjëja e mirë është se ky është një njeri që është kaq “i talentuar” sa të arrijë vetëm një rreth njerëzish jo të zakonshëm,” tha Jakovina për BIRN.

Dokumentari gjithashtu shënjestron politikanët kroatë që “nuk luftuan ideologjinë për një Serbi dhe Jugosllavi të madhe, të cilët e lejuan apo e promovuan atë,” tha Sedlar për direktno.hr.

Dokumentari i mëparshëm i Sedlarit i titulluar “Jasenovac – e Vërteta” vuri në pikëpyetje numrin e vrasjeve në kampin e përqendrimit, i cili drejtohej nga shteti kukull fashist i periudhës së Luftës së Dytë Botërore, Shteti i Pavarur i Kroacisë, NDH.

Më shumë se 83,000 vetë u ekzekutuan ose vdiqën për shkak të kushteve të këqija në kampin e Jasenovacit në Kroacinë qendrore. Vrasjet u kryen nga njësia ustashe e NDH-së, e cila ishte modeluar kryesisht sipas SS naziste.

Por Sedlar pohoi se numri i viktimave ishte ekzagjeruar si rezultat i “historiografisë jo-shkencore jugosllave”.

Dokumentari zemëroi grupet hebreje, serbe, të krahut të majtë dhe anti-naziste, si dhe diplomatë izraelitë.

Në prill të vitit 2017, Kuvendi i Qytetit të Zagrebit i dha Sedlarit çmimin e qytetit të Zagrebit për kontributin e tij në film dhe teatër.

Jakovina tha se ai beson se dokumentari i fundit i Sedlarit, njësoj si veprat e tij e mëparshme, do të ketë një ndikim të kufizuar publik, siç ndodhi me një dokumentar polemik slloven të kohëve të fundit nga Roman Leljak.

Leljak kohët e fundit filloi të promovonte librin dhe dokumentarin e tij, “Miti i Jasenovacit”, në të gjithë Kroacinë, duke përdorur ndërtesa në pronësi të Kishës Katolike dhe komunave lokale.

Libri dhe dokumentari i Leljakut hedhin poshtë pothuajse të gjitha hulumtimet shkencore mbi kampet e përqendrimit të Kroacisë të drejtuar nga ustashët dhe ulin ndjeshëm numrin e të vdekurve.

“Është ky lloj prodhimi, i orientuar në vend dhe shfaqet midis atyre që mendojnë të njëjtën gjë,” tha Jakovina.