Vrasjet e Vukovarit: Cilat njësi vranë civilë në Kroaci në vitin 1991?

Analiza e BIRN e provave të Gjykatës së Hagës zbulon se Ushtria Popullore Jugosllave dhe njësitë paraushtarake serbe ishin vendosur në fshatrat përreth Vukovarit në Kroaci në nëntor 1991 kur të burgosurit civilë kroatë u vranë pas rënies së qytetit.

“Me sa mbaj mend, të paktën 50 të burgosur u vranë gjatë pasdites së 19 nëntorit 1991. Unë isha dëshmitar i disa prej këtyre vrasjeve.”

Këto janë fjalët e Ivan Gasparoviç, një nga dëshmitarët e paktë të krimeve që u kryen në fshatin kroat Dalj të nesërmen e rënies së qytetit të Vukovarit në duart e Ushtrisë Popullore Jugosllave dhe paraushtarakëve serbë.

Mëngjesin e 18 nëntorit, ditën kur Vukovari më në fund ra pas një rrethimi tremujor, Gasparoviç doli nga bodrumi ku ishte fshehur dhe së bashku me 150 deri në 200 njerëz të tjerë, kryesisht civilë, pritën para një depoje afër stacioni i trenit në Vukovar për udhëzimet e evakuimit.

Gratë dhe fëmijët u ndanë nga burrat, të cilët u urdhëruan të ecnin disa kilometra drejt fshatit Luzac të shoqëruara nga trupa të armatosura të Ushtrisë Popullore Jugosllave. Ata më pas u transportuan në fshatin Brsadin, ku tashmë kishte një numër të madh të burgosurish nga Vukovari dhe më pas për në Dalj me “pesë ose gjashtë kamionë me civilë”.

Sipas deklaratës së Gaspareviçit për Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë, ndërsa të arrestuarit mbaheshin në Dalj, ata u morën në pyetje, torturuan dhe rrahën. Pastaj filluan vrasjet.

Të nesërmen, më 20 nëntor 1991, Gasparevic u caktua të ngarkonte kufomat e viktimave në një kamion që ishte në oborrin ku ata ishin vrarë.

“Duhet të ngarkonim trupat njëri mbi tjetrin në pjesën e pasme të këtij kamioni”, tha ai në gjykatën e Kombeve të Bashkuara.

Deklarat dëshmitari dhë GJPNJ-së nga Ivan Gasparoviç. Burimi: GJPNJ.

Pas rënies së Vukovarit, popullata joserbe u dëbua nga zona dhe një numër i madh të burgosurish lufte dhe civilësh u deportuan në burgje dhe kampe paraburgimi në Serbi, ndërsa më shumë se 200 njerëz u ekzekutuan në fermën Ovcara aty afër dhe në vende të tjera si Dalj.

Gasparoviç dëshmoi në gjyqin e Gjykatës së Hagës për Goran Hadziç, i cili ishte kryeministri i një shteti të vetëshpallur rebel serb në Kroaci i quajtur Rajoni Autonom Serb i Sllavonisë, Baranjës dhe Sremit Perëndimor. Shteti jetëshkurtër u krijua në qershor 1991, pas vendimit të Kroacisë për t’u shkëputur nga Jugosllavia.

Sipas aktakuzës së prokurorisë së Hagës për Hadziçin, “Ushtria Popullore Jugosllave transportoi një numër të madh banorësh të Vukovarit në ambientet e paraburgimit në Dalj më 20 nëntor 1991”.

“Atje, anëtarët lokalë serbë të Mbrojtjes Territoriale zgjodhën ata që dyshoheshin për pjesëmarrje në mbrojtjen e Vukovarit. Të ndaluarit e përzgjedhur u morën në pyetje, u rrahën dhe u torturuan. Të paktën 35 u ekzekutuan”, tha ai.

Trupat më pas u transportuan në një fermë të quajtur Lovas, disa kilometra nga Dalji. Shumica e viktimave u zhvarrosën në vend në 2001, megjithëse disa trupa u gjetën më herët në një varr tjetër masiv në Dalj.

Listë me njerëz të gjetur në një varr masiv në fermën Lovas në Dalj. Burimi: GJPNJ.

Gasparoviç mbijetoi për shkak të miqësisë së vajzës së tij me një luftëtar të Mbrojtjes Territoriale, edhe pse edhe ai u mor në pyetje dhe u abuzua brutalisht në Dalj, dhe u rrah duke përdorur “çfarëdo mjeti që ata kishin”.

Disa të burgosur madje u përpoqën të vrisnin veten “duke u hedhur nga dritarja sepse kishin frikë se do të torturoheshin për vdekje”, tha ai.

“Unë e di këtë sepse m’u desh të mblidhja trupat e tyre. Paraushtarakët i vranë pasi u përpoqën të vetëvriteshin”, shpjegoi ai.

Krimet e kryera në Vukovar dhe përreth tij pas rënies së qytetit në nëntor 1991 janë dokumentuar, por vetëm disa nga ata që janë përfshirë janë dënuar.

Dy oficerë të lartë të Ushtrisë Popullore Jugosllave, Mile Mrksiç dhe Veselin Sljivancanin, u dënuan nga Gjykata e Hagës për përgjegjësi për vrasjet e të burgosurve në fermën Ovcara. Kolegu i tyre Miroslav Radiç u lirua nga akuzat.

Tre të pandehur të tjerë gjithashtu të akuzuar për përgjegjësi për krimet në zonën e Vukovarit vdiqën para vendimeve në gjykimet e tyre: ish-presidenti serb dhe jugosllav Sllobodan Millosheviç, lideri i rebelëve serbë të Kroacisë Goran Hadziç dhe ish-kryetari i komunës së Vukovarit, Slavko Dokmanoviç.

Vojisllav Shesheli, lideri i Partisë Radikale Serbe të krahut të djathtë ekstrem, u lirua nga akuzat për dërgimin e vullnetarëve paraushtarakë për të luftuar në Vukovar.

Roli i Shërbimit të Sigurimit të Shtetit serb në vendosjen e njësive në Kroaci po shqyrtohet në rigjykimin në Hagë të zyrtarëve të lartë Jovica Stanisiç dhe Franko Simatoviç.

Në këtë investigim, duke analizuar provat nga të gjitha këto raste në Gjykatën e Hagës, BIRN ka arritur të përcaktojë se cilat njësi të Ushtrisë Popullore Jugosllave dhe njësi paraushtarake serbe ishin të pranishme në terren kur ndodhën vrasjet dhe kush ishte përgjegjës për këto njësi.

Një hartë e Rajonit Autonom Serb të Sllavonisë, Baranjës dhe Sremit Perëndimor përdorur në GJPNJ. Burimi: GJPNJ.

“Një grumbull më trupa njerëzish”

Dalji është në anën kroate të lumit Danub, rreth 20 kilometra në veri të Vukovarit.

Më 1 gusht 1991, Ushtria Popullore Jugosllave, së bashku me vullnetarë paraushtarakë nga Serbia, sulmuan dhe morën kontrollin mbi atë që atëherë ishte një fshat i përzier etnikisht. Në kohën kur Vukovari ra, Dalji ishte bërë pjesë e Rajonit Autonom Serb të Sllavonisë, Baranjës dhe Sremit Perëndimor, i cili drejtohej nga Goran Hadziç.

Milan Miladinoviç, një serb i lindur në Dalj, punonte për një kompani bujqësore dhe ngiste një ekskavator.

Disa herë gjatë luftës kroate, Miladinoviçi ishte i angazhuar për të ndihmuar në varrosjen e trupave të pajetë në Daljarea. Sipas deklaratës së tij në GJPNJ, ai e bëri këtë gjë “në shtator ose tetor 1991”.

Në nëntor 1991, pas rënies së Vukovarit, tre zyrtarë të Mbrojtjes Territoriale nga Dalji e urdhëruan Miladinoviçin të shkonte në fermën aty pranë në Lovas bashkë me ekskavatorin e tij.

“Kur arrita në fermën Lovas, pashë një grumbull trupash të pajetë të shtrirë në tokë përpara banjave të punëtorëve në fermë”, u tha Miladinoviç hetuesve të Gjykatës së Hagës në maj 2001.

Miladinoviç tha se iu duk se “trupat ishin vrarë së fundmi pasi nuk ndjeva erë dekompozimi”.

“Me sa munda të shoh, të gjithë ishin trupa meshkujsh të moshës midis 45 dhe 55 vjeç. Mbaj mend që pashë një kokë të ndarë nga trupi, por nuk mbaj mend ndonjë detaj tjetër”, shtoi ai.

Fotografi të qendrës stërvitore të Forcës Territoriale në Erdut. Burimi: GJPNJ.
Fotografi të qendrës stërvitore të Forcës Territoriale në Erdut. Burimi: GJPNJ.

Pasi ekskavatori i tij u ngarkua me kufoma, Miladinoviç i transportoi ata disa qindra metra larg portës kryesore të fermës Lovas, ku tashmë ishte hapur një gropë.

“Siç më urdhëruan, i vendosa trupat e pajetë në gropë dhe i mbulova menjëherë me dhe”, tha ai.

“Nga diskutimi që dëgjova atje, kuptova se ata njerëz ishin kroatë të sjellë nga Vukovari”, shtoi ai.

Vrasjet e mbi 30 personave që u morën nga Vukovari dhe u çuan në Dalj pasi Vukovari ra, ishte një pikë në aktakuzën ndaj Sllobodan Millosheviçit dhe Goran Hadziçit.

Në deklaratën e tij, Miladinoviç identifikoi Pavle Milovanoviçin si personin që e urdhëroi atë të shkonte në fermën e Lovasit. Milovanoviçi ishte komandant i forcës së Mbrojtjes Territoriale në Dalj. Nuk dihet se çfarë bëri ai pas luftës dhe as vendndodhja e tij aktuale.

Njësitë e Mbrojtjes Territoriale ekzistonin më parë në Jugosllavinë socialiste dhe kur filloi shpërbërja, popullata lokale serbe filloi t’i rikrijonte ato, këtë herë kryesisht si njësi të përbëra nga vetëm një etni. Sipas legjislacionit të Rajonit Autonom Serb të Sllavonisë, Baranjës dhe Sremit Perëndimor, njësitë e Mbrojtjes Territoriale ishin nën kontrollin e ministrisë së mbrojtjes të shtetit rebel.

Aktakuza e GJPNJ-së ndaj Goran Hadziçit, kryeministri i Rajonit Autonom Serb, e përmendi atë si njeriun në krye të kësaj. Ajo tha se “nga të paktën 26 qershori 1991 deri në dhjetor 1993” ai ishte “komandanti de jure” i forcave të Mbrojtjes Territoriale në shtetin rebel. Kjo ishte periudha në të cilën u kryen krimet përreth Vukovarit.

Kontrolli i pretenduar i Serbisë mbi njësitë e Mbrojtjes Territoriale që operonin në Kroaci gjatë kësaj periudhe është gjithashtu një nga temat e rigjykimit të dy ish-shefave të Shërbimit të Sigurimit të Shtetit serb në Hagë, Jovica Stanisiç dhe Franko Simatoviç. Ata akuzohen për pjesëmarrje në një ndërmarrje të përbashkët kriminale për të larguar civilë kroatë dhe boshnjakë nga pjesë të mëdha të të dy vendeve gjatë luftërave.

Për ta bërë këtë, pretendohet se ata organizuan qendra stërvitore për luftëtarët serbë, disa prej të cilëve më pas u bashkuan me forcën lokale të Mbrojtjes Territoriale të Rajonit Autonom Serb.

Trupat jugosllave dorëzojnë të burgosurit

Fotografi të hetimit fillestar në varrin në Ovcara nga Clyde Snow. Burimi: GJPNJ.

Ushtria Popullore Jugosllave, e cila fillimisht e kishte portretizuar veten se luante rolin e një “ndërmjetësi” në konfliktin në zhvillim, mori gjithnjë e më shumë anën serbe gjatë vitit 1991, siç mund të shihej gjatë sulmit në fshatin Dalj më 1 gusht.

Në dëshminë e tij në Gjykatën e Hagës, Milan Miladinoviç, i cili mori pjesë në varrosjen e trupave të atyre që u vranë në Dalj, tha se “dëgjoi në fshat se pas rënies së Vukovarit, Ushtria Popullore Jugosllave solli një numër të madh civilësh në Dalj në hangarët e kompanisë bujqësore IPK Dalj në mënyrë që t’i akomodonte ata aty gjatë natës.

“Ushtarët e Ushtrisë Popullore Jugosllave ruanin njerëzit në hangare… Ata njerëz, trupat e të cilëve unë i varrosa në fermën Lovas, i përkisnin një grupi që po transportohej nga Ushtria Popullore Jugosllave në kampin në Sremska Mitrovica në Serbi. Autobusi u ndalua në fermën Lovas dhe anëtarët e Borovo Selo (Savulja) TO (Mbrojtja Territoriale) i vranë ata.”

Urdhër nga komanda e Korpusit të 12-të të Ushtrisë Popullore Jugosllave, firmosur nga gjeneral majori Andrija Biorceviç. Burimi: GJPNJ.

Zona e mbajtur nga Rajoni Autonom Serb i Sllavonisë, Baranjës dhe Sremit Perëndimor ishte në zonën e përgjegjësisë së Departamentit të Parë Ushtarak të Ushtrisë Popullore Jugosllave, komandanti i të cilit ishte Zivota Paniç.

Departamenti i Parë Ushtarak ishte një zonë e gjerë, por dokumentet tregojnë se cilat njësi specifike ishin në fshatrat afër Vukovarit si Dalj, ku u kryen krime pas rënies së qytetit.

Raporti i Këshillit të Sigurimit të AUN i botuar në vitin 1994 tha se në fshatin Erdut pasi Vukovari ra, ushtarë nga Korpusi i 12-të i Ushtrisë Popullore Jugosllave (Novi Sad) dhe anëtarët e “milicisë së parregullt të përbërë nga fshatarë serbë nga Erduti” arrestuan disa kroatë dhe hungarezë etnikë.

Këta të burgosur dhe të tjerë jo-serbë të arrestuar në zonë u çuan më pas në fshatin Dalj, thuhej në raport.

Ai gjithashtu përmendi se “u raportua që një numër civilësh kroatë të kapur nga Vukovari u transportuan dhe u mbajtën përkohësisht në fshatin Dalj gjatë javës së fundit të nëntorit 1991, pas rënies së Vukovarit”.

Ai vuri në dukje më tej raportimet se “disa civilë kroatë të cilët u arrestuan në Erdut nga anëtarët e Korpusit të Novi Sadit të Ushtrisë Popullore Jugosllave dhe anëtarët e ‘Milicisë Krajina’ ‘u burgosën në Dalj në ndërtesën e kompanisë ‘Kooperacija’.

Dokumentet e Ushtrisë Popullore Jugosllave nga e njëjta zonë në verën dhe vjeshtën e vitit 1991, përfshirë raportet, planet dhe vendimet, ofrojnë më shumë detaje rreth njësive që ishin në Dalj në kohën e krimeve dhe rreth komandantëve të tyre.

Një raport dërguar komandës së Departamentit të Parë Ushtarak më 21 shtator 1991 thoshte se Korpusi i 12-të (Novi Sad) kishte një post komandues në Dalj.

Komandanti fillestar i Korpusit të 12-të (Novi Sad) ishte Mladen Bratiç, deri më 2 nëntor, kur vdiq gjatë betejës për Vukovarin. Pas vdekjes së tij, Andrija Biorceviç u bë komandanti i ri.

Sipas një raporti të publikuar më 4 tetor 1991, nënshkruar nga Srboljub Trajkoviç, shefi i shtabit të Korpusit të 12-të (Novi Sad), njësitë e tij u vendosën në veri të Vukovarit dhe zhvilluan operacione luftarake atje – në zonën përreth Daljit dhe Erdutit.

Më 17 nëntor, Biorceviç dha urdhër për vendosjen e të gjitha grupeve të tjera të armatosura në zonë “nën komandën e njësive të Ushtrisë Popullore Jugosllave”, që do të thotë se kjo e fundit në mënyrë efektive mori përgjegjësinë për veprimet e të gjitha grupeve paraushtarake dhe vullnetare që operonin atje.

“Ai vret ata që nuk dorëzohen”

Përveç njësive të Ushtrisë Popullore Jugosllave dhe të Mbrojtjes Territoriale, luftëtarë vullnetarë dhe njësi paraushtarake po operonin gjithashtu në konfliktin kroat, më e njohura ishte Garda Vullnetare Serbe, e udhëhequr nga Zeljko Raznatoviç, i njohur ndryshe si Arkani.

Fotografi të hetimit fillestar në varrin në Ovcara nga Clyde Snow. Burimi: GJPNJ.
Fotografi të hetimit fillestar në varrin në Ovcara nga Clyde Snow. Burimi: GJPNJ.

Para luftës, Arkani ishte një kriminel në karrierë, një hajdut që vidhte si jashtë vendit ashtu edhe brenda tij. Kur tensionet nacionaliste filluan të shtoheshin para se të fillonin luftërat, Arkani u bë udhëheqës i tifozëve të klubit të futbollit “Ylli i kuq” të Beogradit.

Në vitin 1990, së bashku me disa miq të ngushtë, ai themeloi Gardën Vullnetare Serbe, e njohur gjithashtu si Tigrat e Arkanit.

Edhe pse zyrtarisht një njësi vullnetare, dokumentet nga Gjykata e Hagës zbulojnë se ai ishte i lidhur me Ushtrinë Popullore Jugosllave dhe autoritetet lokale të armatosura serbe.

Sipas një raporti mbi aktivitetet e Gardës Vullnetare Serbe, të nënshkruar nga gjeneral majori Mile Babiç i Qarkut të Parë Ushtarak të Ushtrisë Popullore Jugosllave dhe i datës 18 tetor 1991, anëtarët e saj ishin “të angazhuar në aktivitete luftarake dhe në spastrimin e zonës së bashku me njësitë e operacioneve të Ushtrisë Popullore Jugosllave”.

Dokumentet e kohës së luftës tregojnë gjithashtu se Ushtria Popullore Jugosllave kishte vërejtur sjelljen problematike të Arkanit në terren gjatë vjeshtës së vitit 1991.

Më 18 tetor, koloneli Milic Jovanoviç nga organizata e sigurimit e Korpusit të 12-të i shkroi organizatës së sigurisë së Qarkut të Parë Ushtarak se “sjellja e Arkanit në zonën e operacioneve luftarake shkakton mosmiratimin e banorëve dhe ushtarëve të Ushtrisë Popullore Jugosllave”.

Në raportin e tij nga janari 1992, Jovanoviç shkroi se Arkani kishte qenë në zonën e Sllavonia që nga maji 1991 dhe se nga shtatori 1991, ai kishte qenë i vendosur në Erdut, një fshat dhjetë kilometra nga Dalji.

Jovanoviç shkroi se Arkani ishte zyrtarisht i varur nga Korpusi i 12-të, por që ai “hyn dhe del nga lufta kur të dojë”. Ai gjithashtu vuri në dukje se Arkani kishte qenë “një kriminel profesionist”.

Ai shtoi se “veprimtaritë e Raznatoviçit në eliminimin e popullatës kroate dhe hungareze janë shënuar dhe shkruar disa herë”. Ai tha se këto vrasje kryheshin më së shpeshti nga Milorad Striceviç, “një shofer nga Osijeku i cili ka një sërë precedentësh penal”, të cilit Raznatoviç i dha gradën e kolonelit.

Në një takim në qytetin e Beli Manastirit në zonën Baranjës të Kroacisë, komandanti i Korpusit të 12-të të Ushtrisë Popullore Jugosllave (Novi Sad), Andrija Biorceviç mbajti një fjalim, në prani të Raznatoviçit, siç dokumentohet nga TV Beli Manastir, më 1 janar 1992, dhe vullnetarët e Arkanit.

“Këto nuk janë formacione paraushtarake. Këta janë njerëz që erdhën vullnetarisht për të luftuar për popullin serb. Ne rrethojmë një fshat, ai e merr atë dhe vret ata që nuk dorëzohen dhe pastaj vazhdojmë para”, deklaroi Biorceviç.

Shefi i stacionit të policisë në Dalj, Zeljko Cizmiç, dokumentoi disa nga aktivitetet e Arkanit në raportet e tij.

Sipas një raporti nga 5 tetori 1991, Milorad Striceviç, shefi i sigurisë me forcën e Mbrojtjes Territoriale Dalj, erdhi në burgun e Daljit një natë më parë me katër burra për të marrë në pyetje disa të ndaluar. Rreth dy orë e gjysmë më vonë, Arkani mbërriti me 20 nga njerëzit e tij dhe kërkoi të shihte Striceviçin.

Raporti i Cizmiç tha se ai dëgjonte vazhdimisht zhurmë si “një objekt që goditej pas një tavoline” nga dhoma ku ishin Arkani dhe të ndaluarit.

Në orën 4 të mëngjesit, tre të ndaluar nxorën 12 trupa të pajetë nga dhoma, i ngarkuan ata në një kamion dhe më pas “i çuan ata diku”.

Në vendimin e vitit 2013 në gjykimin fillestar të shefave të sigurimit të shtetit serb Jovica Stanisiç dhe Franko Simatoviç, Gjykata e Hagës gjeti se më 4 ose 5 tetor 1991, Arkani dhe disa njerëz të tij, përfshirë Striceviçin, vranë 22 të ndaluar “në ose në zonën e ndërtesës së policisë në Dalj dhe kryqëzimit të përroit ‘Jama’ dhe lumit Danub, në të cilin u hodhën trupat e tyre”.

Raporti i shefit të policisë Dalj, Cizmiç, nga 23 shtatori përshkroi se si Arkani dhe Goran Hadziç morën 11 persona nga burgu në Dalj dy ditë më parë.

Në të njëjtën ditë, Hadziç ldha ​​një urdhër duke thënë se Arkani “deri më tani komandant i njësive speciale të Mbrojtjes Territoriale të Rajonit Autonim të Sllavonisë, Baranjës dhe Sremit Perëndimor, emërohet komandant i Qendrës së Mbrojtjes Territoriale në Erdut”.

Arkani nuk u gjykua kurrë për ndonjë nga krimet e tij të luftës sepse u qëllua për vdekje në Beograd në 2000. As Striceviç, i cili u vra në luftë në 1992.

Goran Hadziç dhe Sllobodan Millosheviç gjithashtu vdiqën para se të vihej drejtësi për vrasjet në zonën përreth Vukovarit.

Nga të dyshuarit e tjerë, Kroacia ndoqi penalisht shefin e policisë së Daljit, Zeljko Cizmiç për rolin e tij në ndalimet e paligjshme dhe keqtrajtimin e të burgosurve. Ai fillimisht u dënua, por vendimi u rrëzua dhe më pas procedurat në çështjen e tij u pezulluan në 2014.

Kroacia procedoi gjithashtu pesë luftëtarë të Mbrojtjes Territoriale dhe trupa të Ushtrisë Popullore Jugosllave. Njëri u shpall i pafajshëm dhe tre nuk mundën të gjykoheshin sepse jetonin jashtë Kroacisë. Por njëri prej tyre, i përmendur me inicialet M.L., u dënua me pesë vjet burg në 1993 për “asistim në torturat dhe trajtimin çnjerëzor në Dalj”, sipas një raporti të këtij viti nga Avokati i Shtetit në Kroaci.

Provat dhe deklaratat e dëshmitarëve të analizuara nga BIRN sugjerojnë që të dyshuar të tjerë mund të ishin nxjerrë në gjyq për krime të kryera pas rënies së Vukovarit. Por përveç M.L.-së së paidentifikuar, askush tjetër nuk është dënuar ende me një vendim të formës së prerë.

Të dyshuarit: Ku janë ata tani?

Goran Hadziç kaloi nga kryeministër i Rajonit Autonom Serb të Sllavonisë, Baranjës dhe Sremit Perëndimor në president i shtetit rebel të Republikës së Krajinës Serbe deri në fund të vitit 1993. Pas luftës, ai u zhvendos në Serbi, ku jetoi deri kur u arratis kur Gjykata e Hagës njoftoi se e kishte akuzuar atë për krime lufte. Ai u arrestua në 2011 dhe vdiq në 2016 gjatë gjykimit të tij.

Milorad Striceviç, një anëtar i Tigrave të Arkanit që dyshohet se është përgjegjës për vrasje të ndryshme, gjithashtu ka vdekur. Një dëshmitar i Gjykatës së Hagës tha se ai u vra në 1992, së bashku me një familje që ai po përpiqej ta ndihmonte të largohej nga rajoni i Sllavonisë. Një tjetër tha se trupi i Striceviçit u gjet në një pus në Daljski Atar, një vend afër fshatit Dalj; i njëjti pus në të cilin u hodhën viktimat nga Erduti.

Zeljko Cizmiç, shefi i stacionit të policisë Dalj, u dënua me një vit e dhjetë muaj burg nga gjykata e qarkut në Osijek në Kroaci në 2011. Sipas padisë, në 1991, gjatë një rebelimi të armatosur nga serbët lokalë në Dalj dhe Erdut, Cizmiç, si kryekomandanti i stacionit të policisë Dalj, organizoi, urdhëroi dhe kreu arrestimet e paligjshme dhe burgosjen e një numri të madh civilësh dhe miratoi torturat fizike dhe psikologjike nga vartësit e tij. Gjykata e Lartë e Kroacisë më vonë rrëzoi vendimin e shkallës së parë dhe në 2014, procedimi penal kundër Cizmiç u pezullua.

Zivota Paniç, komandanti i Departamentit të Parë Ushtarak të JNA-së, eci para në karrierën e tij ushtarake pas rrethimit të Vukovarit. Në 1992, ai ishte për pak kohë shefi i shtabit të Ushtrisë Popullore Jugosllave dhe gjithashtu një sekretar federal jugosllav për mbrojtjen. Pas kësaj ai u bë shefi i shtabit të Ushtrisë Jugosllave të sapothemeluar. Ai vdiq në vitin 2003.

Andrija Biorceviç, komandant i Korpusit të 12-të (Novi Sad), përfundoi detyrën e tij aktive ushtarake në 1993. Kreu i i Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshel, i tha Gjykatës së Hagës në 2014 se Biorceviç “vdiq disa vjet më parë”.

Zeljko ‘Arkan’ Raznatoviç u qëllua për vdekje në Hotel InterContinental të Beogradit në janar 2000. Ish-oficeri i policisë Dobrosav Gavriç u dënua për vrasjen e tij, por ai u largua nga vendi dhe aktualisht po lufton ekstradimin nga Afrika e Jugut. Arkan është i njohur në Serbi edhe pas vdekjes së tij për shkak të martesës së tij me këngëtaren Svetlana ‘Ceca’ Raznatoviç, me të cilën kishte dy fëmijë, të cilët gjithashtu janë bërë të famshëm. BalkanInsight