Një baba i paidentifikuar i një ushtari kroat të vrarë gjatë kohës së luftës në qytetin e Kninit, 2001. Foto: EPA/DUBRAVEC.

Traumat e luftës, veteranët kroatë ende kanë nevojë për përkujdesje psiko-sociale

Ekspertët thanë se shumë veteranë kroatë të luftës kanë ende nevojë për terapi për PTSD pasi një ish-ushtar që vuan nga kjo i vuri zjarrin shtëpisë së tij në qytetin jugor të Opuzenit gjatë fundjavës dhe u shtrua në spital me djegie.

Një organizatë veteranësh vendas, Unioni i Shoqatave të Mbrojtësve Kroatë të Trajtuar për PTSD i Qarkut Dubrovnik-Neretva, pretendoi se mbyllja e një Qendre për Ndihmë Psikosociale në qytetin e Metkovicit mund të kishte pjesërisht fajin për përkeqësimin e gjendjes së shëndetit mendor të ish-ushtarit dhe akuzoi institucionet shtetërore se po zhgënjen ish-luftëtarët me PTSD.

Zoran Komar, një ekspert i psikologjisë konfliktuale i cili ka rreth 30 vje që merret me PTSD-në, tha për BIRN se sistemi i terapisë psikosociale në Kroaci është relativisht i lënë pas dore dhe mungojnë specialistët.

“Rrjeti i qendrave për ndihmë psikosociale që janë ngritur që nga fundi i viteve 1990 është i dobët dhe ka një nevojë të madhe për të. Shumë nga veteranët e luftës dhe familjet e tyre kanë nevojë për një bisedë terapeutike dhe për këtë po bëhet shumë pak ose s’po bëhet asgjë,” tha Komar.

Tanja Franciskoviç, shefja e Departamentit për Ilaçe Psikiatrike dhe Psikologjike në Fakultetin e Mjekësisë në Rijekë, theksoi se ka qendra rajonale për traumë psikologjike dhe Qendra Kombëtare për Psikotraumë, si dhe rrjeti i qendrave për mbështetje psikosociale.

Por ajo tha se veteranët gjithashtu kishin një rol të madh në garantimin e ndihmës për ish-ushtarët kolegë të tyre të cilët kanë probleme psikologjike.

“Në të gjithë këtë, roli i shoqatave të veteranëve është gjithashtu i rëndësishëm. Nëse ato janë mjaftueshëm aktive, nëse njerëzit bashkëveprojnë me njëri-tjetrin dhe nëse shohin të ndodhë diçka, ata mund ta lehtësojnë situatën,” tha ajo.

Sipas një liste qeveritare nga viti 2012, ka rreth 500,000 ish-luftëtarë nga lufta për pavarësi e Kroacisë në vitet 1991-1995. Nuk ka informacione mbi numrin e personave të diagnostikuar me PTSD.

Komar tha se shumë veteranë që janë klasifikuar zyrtarisht si persona me aftësi të kufizuara kanë vuajtur nga PTSD.

“Kur flasim për PTSD, nga rreth 58,000 veteranë kroatë lufte, gati 37 për qind e tyre janë të paaftë në bazë të asaj diagnoze,” tha ai, duke shtuar se përqindja është më e lartë nëse përfshihen invalidët e luftës që kanë një kombinim diagnozash.

Një total prej 2,734 veteranësh kryen vetëvrasje nga fillimi i luftës deri në fund të vitit 2014, sipas studimit të Komarit “Vetëvrasja e Veteranëve Kroatë në Zagreb dhe Kroaci”, i cili u botua në vitin 2015.

Një nga ngjarjet më të spikatura ishte ajo kur një veteran 49-vjeçar dhe baba i dy fëmijëve që veshi uniformën e tij dhe hodhi veten në erë me një granatë dore në qytetin bregdetar të Vodices në ditën e festimit të përvitshëm të operacionit ushtarak të Kroacisë “Stuhia” në vitin 2014.

Komar sugjeroi se politikanët “i manipulojnë” çështjet e veteranëve për avantazh politik, ndoshta duke përkeqësuar problemet e tyre të shëndetit mendor.

“Në një situatë të tillë, shumë prej tyre mendojnë se me ta po tallen, lëndohen, zhgënjehen dhe e gjithë kjo kontribuon në thellimin e mëtejshëm të çrregullimeve post traumatike, por edhe në mendimet dhe tendencat për vetëvrasje,” tha ai.