Vetë-shkarkimi i shpejtë

Vetëm gjysmë orë i është dashur Kuvendit të Kosovës dhe deputetëve të saj që të votojnë rreth një marrëveshjeje me BE-në rreth fondeve të IPA-s për Kosovën si dhe ta vetë shkarkohen.

E gjithë kjo seancë erdhi pas një mocioni të nënshkruar nga vetë deputetët e legjislaturës së VI-të të Kuvendit të Kosovës.

Seanca nisi me vonesa, rreth 20 minuta. Deputetët e Lidhjes Demokratike ishin ulur në vendet e tyre të parët dhe prisnin deputetët tjerë.

Pas ardhjes së Kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli erdhën edhe deputetët e PDK-së.

E ajo që mbeti e zbrazët gjatë gjithë seancës ishin karriget e Listës Serbe të cilët kishin zgjedhur që të mos ishin prezent.

Pjesa ku ulej Lista Serbe, Foto: KALLXO.com

Nuk vonoi shumë dhe me u votuan dy amandamente për marrëveshjen me BE-në rreth fondeve të IPA-s për Kosovë.

“Ka pasur një dakordancë nga ana e grupeve parlamentare për shkak të interesit strategjik nacional”, tha Veseli për votimin e marrëveshjes.

Me 103 vota për nga 103 deputet sa ishin në kuvend u votuan dy amendamentet e kësaj marrëveshjeje me BE-në për fondin e IPA-s.

I shpejtë ishte votimi për fondin e IPA-s por jo edhe i asaj për shpërbërjen e legjislaturës së VI-së.

Kjo pasi që pati disa kundërshtime. Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dëshironin të debatonin sa i përket çështjes së shpërbërjes.

“Ky mocion është na pajtim me qëndrimet e reja nga të gjitha grupet parlamentare, mbledhjen e kryesisë”, tha Memli Krasniqi.

Veseli pyeti që të shkojnë menjëherë në votim të shpërbërjes së kuvendit.

Aty hasi në mohim nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës të cilët dëshironin të debatonin.

Kreu Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha se në legjislaturën e VI-të opozitë ka pasur përballë një koalicion pa legjitimitet.

“Për dy vite në këtë kuvend rrallë kemi debatuar për zhvillim ekonomik për avancime në arsim e shëndetësi. Shumicën e kohës jemi marrë për parandalimet e qëllimeve të koalicionit PAN me shkeljet ligjore gjatë depërtimit të shtetasve turq, me punësimet në Postë e Telekom, me presidentin që nuk kryente punët e tij në bazë të kushtetutës”, tha ai.

Ai madje filloi t’i numëroj edhe skandalet ku ishin përfshirë koalicioni PAN.

“Qeveria e PAN-it do të mbetet qeveria më e madhe në botë me 454 të emëruar politikisht, Kryeministri me 35 këshilltarë, me pesë zëvendëskryeministra, 55 këshilltarë, 21 ministra me 147 këshilltarë, 80 zëvendësministra me 80 këshilltarë me koordinatorë e me nën koordinatorëve dhe me asistent të nën koordinatorëve janë punësuar 1200 veta janë punësuar 95 në zyrën e kryeministrit më shumë se 200 persona janë punësuar në Telekomin që është në falimentim e sipër”, tha Hoti.

Deputetët në seancën për shpërndarjen e Kuvendit, Foto:KALLXO.com

Ai e quajti gjendje të përkeqësuar dhe se Kosova ka nevoje për një qeverisje të re.

“Përpjekjet e opozitës, për të mbikëqyr dhe të kërkoj llogari ndaj pushtetit ka hasur në arrogancë. Qeveria ka injoru kuvendin, kryeministri dhe ministrat  rrallë kanë marrë pjesë në kuvend, ministrat shumë shpesh kanë përdorur edhe fjalë jo parlamentare”, shtoi ai.

Ai filloi edhe të bëjë “fushatë” duke treguar se cilat do të jetë synimet e LDK-së për qeverisjen e ardhshme.

“Në qeverinë e ardhshme do të merremi me dëmet e qeverisjes PAN, me sundimin e ligjit, korrupsionit nepotizmit”, tha ai.

Pas fjalimit të Hotit, Kryetari Veseli tha se për debat ishin paraqitur shumë deputet.

Përveç LDK-së, subjektet e tjera politike propozuan që për çdo parti të flas një përfaqësues por as kjo nuk i bindi LDK-në që të kërkojnë vazhdimisht debat.

Pasi që nuk u dha fjalën deputetëve të LDK-së ai kërkoi që të shkohet në votim për shpërndarjen e kuvendit.

“Mos e lodhni popullin, 45 ditë ose 30 ditë i keni për fushatë”, tha ai duke buzëqeshur.

Në seancën e sotme nga 105 deputetë, 89 për, një kundër dhe dy abstenime.

Pas mbarimit të seancës dhe pas shpërndarjes së kuvendit, holli i mbushur me gazetarë po merrte qëndrime të subjekteve politike për shpërndarjen e kuvendit.

“Besoj që u bë shumë mirë që u shpërnda kjo legjislature dhe ju hapë rruga zgjedhjeve të reja Parlamentare. Sot është ditë gëzimi për të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha Kurti para gazetarëve.

Ai ka folur edhe për koalicionin e mundshëm parazgjedhor ndërmjet partisë së tij dhe LDK-së.

“Kur të kemi rezultate konkrete, me ato to të ju njoftojmë menjëherë. Tash për tash jemi në një proces për vullnet të mirë e për kurorëzimin e të cilit unë jam optimist”, deklaroi lideri i VV-së.

Ai ka folur edhe për qëndrimin e VV-së ndaj Gjykatës Speciale. “Ne e kemi thënë moti gjykata speciale është e padrejtë”.

“Por kur ne e kundërshtonim formimin e gjykatës na quanin se punonim për Rusinë por pas katër vitesh ata panë se Lëvizjen Vetëvendosje ka te drejtë. Kur të vijmë në qeverisje do të luftojmë kundër krimit korrupsionit”, tha Kurti.

“Nuk do të duhej që të vazhdojmë me qeveri që punëson familjarë e militantë. Unë po them se çfarë qytetarët kanë nevojë dhe varësisht temave edhe kauzave vijnë edhe emrat e rinj në Lëvizjen Vetëvendosje”, tha Albin Kurti.

E shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi ka numëruar vendimet dhe punën që partia e tij ka bërë sa ishte në krye të ekzekutivit.

Isufi theksoi së motoja e AAK-së për këtë fushatë zgjedhore do të jetë 100 për qind shtet.

“Është interes i veçantë i qytetarëve që të dijë se qeverisja Haradinaj ka mbrojtur territorin e saj, ka bërë taksën ndaj produkteve serbe e të Bosnjës e Hercegovinës, ka bërë statusin e Trepçës, tani Trepça është e Kosovës. Zonat ekonomike nëpër komuna, Ligjin për Paga, Ligjin për Prishtinën, përmbushja e të gjitha kritereve për liberalizim vizave, por tani është në dorë të BE që të kryej këtë çështje, njohja e statusit të viktimave të dhunës seksuale, rikthimi i pallatit të rinisë, lirimi ta tatimi i importit”, u shpreh ai.

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj tha se vendimi për shpërndarjen e Kuvendit sot tregon pjekuri politike.

Ai tha se që kur ka dhënë dorëheqje, e ka ditur që do të vijë kjo ditë.

“E vlerësoj si shenjë të pjekurisë politike vendimin edhe për votim të marrëveshjes IPA edhe shpërndarjen e kuvendit. Me shpërndarjen e Kuvendit është dëshmi e një pjekurie politike. Kësi soji besoj shumë që qytetarët e vendit populli me këtë pjekuri do ta shfrytëzoj të drejtën e vet për qeverisjen e ardhshme. Si kryeministër kur kam dhënë dorëheqje e kam ditë që ka me ardh kjo ditë”, deklaroi lideri i AAK-së para gazetarëve.

Ai madje tha se nuk i ka rënë pishman për lidhje të koalicionit me PDK-në.

Ish- kryetari tashmë i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka folur për gazetarë pas shpërndarjes së legjislaturës së VI-të të Parlamentit.

Ai ka thënë se shkuarja e vendit drejtë zgjedhjeve të reja ka qenë e pashmangshme.

“Urime, do të shkojmë në zgjedhje. Që nga dita e parë kam deklaruar se zgjedhjet janë e vetmja zgjedhje”, deklaroi Veseli.

Ai ka konfirmuar se do të jetë kandidat për kryeministër të ardhshëm.

“Unë jam Kadri Veseli, do të jem kandidat për kryeministër të Kosovës, unë veç diçka në jetë di- me mbajtë fjalën”, tha ai para gazetarëve.

Ai ka vazhduar me diskurs kundër korrupsionit edhe në ditën e shpërndarjes së Kuvendit.

“Ju kam thënë se do të largohen të gjithë uzurpatoret nga pronat e uzurpuara, se ligji më i fortë se secili që mendon që është i fortë në Kosovë, janë larguar. Kështu do të jetë edhe lufta kundër korrupsionit”, tha tutje ai.