Të Dyshuarit për Terrorizëm Edhe 48 Orë Prapa Grilave
Kashtanjeva ka thënë se këtij grupi do t’ia caktojë nesër masën e sigurisë. Prokurori për ta ka kërkuar paraburgim.
16:57
Të Dyshuarit Për Terrorizëm Po Japin Deklaratat
Gjashtë nga të dyshuarit kanë dhënë deri tash deklaratat. Ky proces po vazhdon.
16:37
Pasi u janë marrë shënimet 13 të dyshuarve, ata janë duke dhënë deklaratat në lidhje me kërkimin e masës së paraburgimit për ta nga prokurori.
Të 13-ët dyshohen për pjesëmarrje në grupe terroriste, nxitje të urrejtjes, rekrutim për terrorizëm, shtytje për kryerjen e veprave terroriste dhe thirrje për rezistencë.
Të dyshuarit kanë kërkuar pauzë për faljen e namazit.
14:37
Nis Seanca e Caktimit të Masës së Sigurisë për Imamët
13 nga 15 të arrestuarit e djeshëm kanë dalë para gjykatës para pak çastesh. Në mesin e tyre nuk është imami i Xhamisë së Madhe Shefqet Krasiniqi.
Në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore të Prishtinës ka nisur seanca e caktimit të masës së sigurisë për 13 nga 15 të arrestuarit e ditës së djeshme.
Këta persona, njëmbëdhjetë nga ta imamë nëpër disa xhami kosovare, u arrestuan në aksionin e së mërkurës të zhvilluar nga Policia e Kosovës në disa qytete të vendit.
Ata dyshohen për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë.
Në seancë mbrojtësit po e kontestojnë kompetencën e gjykatës. Aktualisht po ndodh një pauzë prej dhjetë minutash që palët të sqarohen në lidhje me kompetencën.