Skema që garantoi tenderin rreth 400 mijë eurosh për vëllanë e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë
Komuna e Malishevës, e cila qeveriset nga Nisma Socialdemokrate, ia ka dhënë kompanisë “Themeli” tenderin në vlerë rreth 400 mijë euro për ndërtimin e objektit të shkollës në fshatin Gurbardh.
Isuf Krasniqi, pronari i kompanisë “Themeli”, është vëllai i ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, i cili po ashtu vjen nga Nisma Socialdemokrate.
KALLXO.com ka kërkuar disa herë intervistë me Isuf Krasniqin, pronarin e kompanisë “Themeli”, por ai ka dhënë arsye të ndryshme për t’u ikur pyetjeve. Ekipi i KALLXO.com e ka vizituar edhe zyrën e kompanisë “Themeli” që gjendet përballë Komunës së Malishevës por ajo ka qenë e mbyllur.
Pas refuzimit të Isuf Krasniqit, pronarit të kompanisë “Themeli” dhe vëllait të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë për të dhënë intervistë, KALLXO.com i ka nisur pyetjet edhe në email për të kërkuar sqarime. Por as në këto pyetje KALLXO.com nuk ka marrë përgjigje.
Në një intervistë për KALLXO.com, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi e ka pranuar që e ka vëlla Isuf Krasniqin, pronarin e kompanisë “Themeli”. Por Vesel Krasniqi që vjen nga radhët e Nismës Socialdemokrate dhe që për 15 vite ka qenë zyrtar i Komunës së Malishevës e ka mohuar se lidhja familjare ka bërë që “Themeli” të marrë tenderin për ndërtimin e shkollës.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, nga viti 2000 e deri në vitin 2017, në periudha të ndryshme ka qenë zyrtar i Komunës së Malishevës. Fillimisht në vitin 2000 si zyrtar i turizmit e në fund për 9 vjet radhazi, nga viti 2008 e deri në vitin 2017 ka mbajtur pozitën e drejtorit për Ekonomi, Buxhet dhe Financa.
Dyshimet për konflikt interesi në dhënien e tenderit për familjarin e ministrit
Përveç faktit që kompania “Themeli” është e lidhur me partinë që udhëheq me këtë Komunë, pjesë e stafit të kompanisë që e ka fituar kontratën ka qenë edhe Ahmet Morina, drejtori i Urbanizmit në këtë Komunë.
Në dosjen e tenderit, kompania “Themeli” ka dorëzuar edhe diplomën e Ahmet Morinës si inxhinier për menaxhimin e emergjencave.
Ekipi jonë ka kërkuar qasje në dosjen e tenderit të kompanisë “Themeli” të dorëzuar në Komunën e Malishevës. Dosja e “Themelit” përmban diplomën e nivelit Master në Menaxhimin e Emergjencave të Ahmet Morinës, CV-në e tij dhe një vërtetim të lëshuar nga Zyra e Personelit të Komunës së Malishevës, ku tregohen të gjitha pozitat që Ahmeti i ka mbajtur brenda Komunës.
Emri i Ahmetit figuron edhe në listën e punëtorëve të dorëzuar nga kompania “Themeli”.
Derisa Morina ishte duke punuar për kompaninë “Themeli” dhe ishte shef i Urbanizmit në Komunën e Malishevës, ai është caktuar si kryetar i Komisionit të parë për vlerësimin të ofertave të kompanive për këtë tender. Me fjalë të tjera, komisioni i kryesuar nga Morina, ka pasur në dorë se cilën kompani ta rekomandojë si fituese të kontratës për ndërtimin e shkollës në fshatin Gurbardh.
Ahmet Morina, atëherë shef i Urbanizmit në Komunën e Malishevës, si kryetar i komisionit të vlerësimit e ka rekomanduar për kontratë kompaninë “Themeli”, në të cilën ka punuar edhe vetë ai.
Ekipi i KALLXO.com i ka kërkuar intervistë Ahmet Morinës, drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Malishevës për të sqaruar të gjitha dyshimet por Morina ka refuzuar të dalë para kamerave edhe pse paraprakisht më parë e kishte caktuar edhe kohën e intervistës.
KALLXO.com ka shkuar deri në zyrën e Ahmet Morinës duke insistuar që ta intervistojë por zyra e tij ka qenë e mbyllur. Pasi zyra e Morinës ka qenë e mbyllur, KALLXO.com ka insistuar përsëri për të caktuar intervistë me të por drejtori i Urbanizmit të Komunës së Malishevës ka refuzuar të flas për ekipin e KALLXO.com.
“Nuk flas me juve se ju jeni medium politik”, ka thënë Morina përmes telefonit.
Por ekipi i KALLXO.com ka arritur të marrë disa përgjigje në lidhje me dyshimet për konflikt interesi nga Morina përmes telefonit.
Morina ka thënë se atij i është lejuar të jetë pjesë e Komisioneve të vlerësimit dhe të punojë për kompani private derisa ka qenë zyrtar në komunë ndërsa tani si drejtor nuk i lejohet.
Ndërsa kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Osman Vishaj ka thënë “është pamundur ta vlerësosh veten”.
“Prej pozitës që jam nuk mundem me thonë që është ose nuk është konflikt interesi por mundem me thonë që njeri nuk mundet me vlerësu veten. Një njeri në asnjë rrethanë nuk mundet me vlerësu veten”, ka deklaruar Vishaj.
Në nenin 8 të Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik është e përcaktuar detyrimi për parandalimin dhe zgjidhjen e konfliktit të interesit
“Në rast se zyrtari ka dyshime apo konstaton se konflikti i interesit ka lindur ose mund të lindë, ai duhet të këshillohet dhe të informojë sa më parë udhëheqësin e drejtpërdrejtë apo organin udhëheqës. Gjatë kësaj kohe, zyrtari duhet të pezullojë të gjitha veprimet që ndërlidhen me këtë çështje, deri në vendimin përkatës në lidhje me rastin”, thuhet në paragrafin 2 të këtij neni.
Komuna e Malishevës shpërfilli dy vendimet e Gjykatës së Tenderëve
Kompania “Arm Ing”, njëra nga kompanitë që kishte aplikuar në tenderin rreth 400 mijë euro për ndërtimin e shkollës në Gurbardh, ishte ankuar kundër vendimit të Komunës së Malishevës në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Pretendimet e kompanisë “Arm Ing”, Organi Shqyrtues i Prokurimit i ka gjetur si të bazuara dhe tenderin e ka kthyer në rivlerësim.
Në vendimin e parë, OShP kishte konstatuar se Komisioni kishte eliminuar nga gara kompani që ishin më të lira për t’i dhënë kështu kontratën kompanisë “Themeli”, ku punonte edhe Ahmet Morina, tash drejtori i Urbanizmit në Komunën e Malishevës.
“Gjykata e tenderëve” ka konstatuar se Komuna kundërligjshëm e kishte eliminuar nga gara të paktën një prej kompanive që ishte në garë dhe që kishte ofertuar rreth 120 mijë euro më lirë se kompania e familjarit të ministrit.
Madje OShP ka konstatuar se disa dokumente të kompanisë “Arm Ing” edhe pse ekzistonin, janë shkruar se nuk janë në dosje.
Në vendim thuhet se Komisioni i kryesuar nga Morina e ka eliminuar kompaninë “Arm Ing” me arsyetimin se: nuk e kishte plotësuar siç duhet deklaratën nën betim, nuk kishte inxhinier të Gjeodezisë, nuk kishte inxhinier të Menaxhimit të Emergjenceve dhe nuk kishin raporte të auditimit për vitin 2016-2017-2018.
Ndryshe nga ajo çka ka thënë Komuna e Malishevës, Organi Shqyrtues i Prokurimit ka konstatuar se kompania “Arm Ing” në dosjen e tenderit e ka dorëzuar emrin e inxhinierit të Gjeodezisë me diplomë të Universitetit Politeknik të Tiranës, emrin e inxhinierit të Menaxhimit të Emergjencave me diplomë Master dhe raportet e auditimit financiar siç ishte kërkuar në dosjen e tenderit.
Organi Shqyrtues i Prokurimit e ka kthyer dy herë në rivlerësim tenderin duke e gjetur si të bazuar ankesën dhe pretendimet e kompanisë ankuese “Arm Ing”. Në të dy proceset e rivlerësimit, Komisionet kanë vendosur njëjtë si Komisioni i parë i vlerësimit, ku ishte kryetar Ahmet Morina, atëherë shefi i Urbanizmit në Komunën e Malishevës. Asnjëri nga Komisionet nuk e kanë marrë parasysh vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Si Komisioni i parë i rivlerësimit i cili është caktuar pas vendimit të parë të Organit Shqyrtues të Prokurimit edhe Komisioni i dytë e kanë eliminuar kompaninë “Arm Ing” si të papërgjegjshme.
KALLXO.com ka kërkuar që të intervistojë Driton Krasniqin, zyrtar i Urbanizmit në Komunën e Malishevës, i cili po ashtu ka qenë kryetar i Komisionit të dytë të rivlerësimit, për ta pyetur se pse nuk është respektuar vendimi i Organit Shqyrtues të Prokurimit. Krasniqi ka refuzuar dy herë me pretendimin se është në pushim për shkak se është duke u kujdesur për një familjarë të infektuar me COVID-19.
Kur kompania “Arm Ing” ishte ankuar për herë të dytë në Organi Shqyrtues i Prokurimit, Paneli Shqyrtues i Gjykatës së Tenderëve kishte konstatuar se Komuna e Malishevës nuk e ka rivlerësuar tenderin sipas Ligjit për Prokurim Publik dhe siç është obliguar me vendimin e parë të Gjykatës së tenderëve.
Në vendim thuhet se Komuna e Malishevës nuk e ka respektuar kriterin kryesor për dhënie të kontratës, që është tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët.
Edhe pse Organi Shqyrtues i Prokurimit i kishte dhënë të drejtë kompanisë “Arm Ing”, ajo nuk ishte ankuar për herën e tretë në organin më të lartë të prokurimit për mos respektim të vendimit të tyre.
Pronari i kompanisë “Arm Ing”, Ardian Krasniqi ka thënë se janë lodhur nga zgjatja e procesit dhe kanë hequr dorë nga ankesat. Ai e ka mohuar se kanë pasur presion apo u është kërkuar nga dikush që të heqin dorë nga ankesat.
Me heqjen dorë nga ankesa të kompanisë “Arm Ing” i është hapur rrugë Komunës së Malishevës që të nënshkruajë kontratë me kompaninë “Themeli”, të vëllait të ministrit Vesel Krasniqi.
OShP: Kompania “Themeli” e papërgjegjshme
Sipas vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, kompania “Themeli”, e cila është shpallur fituese e tenderit për ndërtimin e shkollës në fshatin Gurbardh, nuk i ka plotësuar të gjitha kërkesat e Dosjes së Tenderit dhe se e njëjta nuk kishte qenë e përgjegjshme.
Në vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit thuhet se kompania “Themeli”, e vëllait të ministrit Vesel Krasniqi nuk e ka pasur marrëveshjen e konsorciumit të kërkuar me dosjen e tenderit dhe Planin Dinamik.
Po ashtu, sipas Panelit Shqyrtues, vlera e përgjithshme e tri kontratave të ngjashme, e kërkuar nga Komuna e Malishevës ka qenë 490 mijë euro, ndërsa vlera e dy kontratave të ngjashme të përgjegjshme, të dorëzuara nga kompania Themeli ka qenë 479,237.09 euro apo rreth 11 mijë euro më pak se vlera e kërkuar.
Madje, Gjykata e tenderëve ka konstatuar se kontrata e tretë e dorëzuara nga kompania “Themeli” nuk është e ngjashme me kontratat e kërkuara pasi i përket ndërtimit të ulët.
Paneli Shqyrtues ka gjetur se në dosjen e tenderit nga Komuna e Malishevës është kërkuar që kompanitë të dorëzojnë inxhinier me fakultet 5 vjeçar ose Master ndërsa “Themeli” ka dorëzuar diplomën e një inxhinieri të arkitekturës me nivelin Bachelor.
Gjetja e radhës e Gjykatës së Tenderëve është që kompania “Themeli” nuk e ka dorëzuar diplomën e inxhinierit të Hidroteknikës me fakultet 5 vjeçar ose Master por ka dorëzuar diplomën e një inxhinieri me titull Bachelor i Ndërtimtarisë – drejtimi Hidroteknikë.
Kompania “Themeli” nuk e ka dorëzuar as inxhinierin e Elektroteknikës me fakultet 5 vjeçar ose Master të kërkuar me dosjen e tenderit por e ka prezantuar inxhinierin e Elektroteknikës me titull Bachelor i shkencave të inxhinierisë elektrike.
Në vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit është përmendur edhe dyshimi për ekzistimin e konfliktit të interesit të Ahmet Morinës, i cili si shef i Urbanizmit ka qenë pjesë e Komisionit Vlerësues të ofertave të tenderëve dhe në të njëjtën kohë, kompania “Themeli” e cila ka aplikuar në këtë tender e ka dorëzuar diplomën e Ahmetit si inxhinier për Menaxhimin e Emergjencave.
KALLXO.com ka kërkuar intervistë në lidhje me tenderin për ndërtimin e shkollës në fshatin Gurbardh me Nuhi Shalaj, shefin e prokurimit në Komunën e Malishevës por edhe ai ka refuzuar.
Fillimisht shefi i Zyrës së Prokurimit, Nuhi Shalaj pranoi që ekipi i KALLXO.com ta intervistojë por kur ekipi jonë shkoi në zyrën e tij, ai refuzoi të flas para kamerës.
Duke parë refuzimin e Shalajt, ekipi i KALLXO.com kërkoi një adresë tjetër për të marrë sqarime zyrtarisht nga Komuna e Malishevës për dhënien e tenderit te vëllai i ministrit të Tregtisë dhe Industrisë dhe dyshimet për konflikt interesi drejtorit të Urbanizmit me përfshirjen e tij në Komisionin e Vlerësimit për këtë tender.
Ajo adresë ishte Hajdin Berisha, nënkryetari i Komunës së Malishevës, pasi kryetari po vazhdon të trajtohet për COVID-19. Nënkryetari refuzoi të flas para kamerave me arsyetimin se e ka agjendën e ngjeshur edhe për shkak të punëve që ia ka lënë kryetari. Por kur është pyetur nëse ka dijeni për çështjet e ngritura në emisionin tonë, ai e mohoi.
“Unë nuk kam informacione për këtë, për herë të parë prej juve po dëgjoj”, deklaroi Berisha.
Në Malishevë askush nuk pranoi të dalë para kamerës për tenderin e përfolur. Nga ana tjetër shkolla është përfunduar dhe pritet të inaugurohet.
Në ndërkohë, gjatë muajit nëntor, Komuna e Malishevës ia ka dhënë edhe një kontratë për punë shtesë kompanisë “Themeli” për shkollën në fshatin Gurbardh, në vlerë prej 22 mijë euro.
Javën e kaluar KALLXO.com ka transmetuar hulumtimin “Tenderi i dyshimtë për familjarët e ministrit”.