Mjek - Foto: REL/Wikipedia Commons

Përzgjedhja e mjekut familjar – 1 mjek do të ketë 2 deri në 3 mijë pacientë

Qytetarët e Prizrenit, Lipjanit, Istogut dhe të lagjeve “Ulpianë” e “Bregu i Diellit” në Prishtinë tanimë mund të zgjedhin mjekun e tyre familjar përmes platformës e-Kosova.

Përmes këtij pilotprojekti të Ministrisë së Shëndetësisë, qytetarët mund të zgjedhin mjekun familjar edhe për fëmijët dhe prindërit e tyre.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Ministria e Shëndetësisë tha se qëllimi i projektit është implementimi i konceptit të mjekut familjar dhe zbatimin e kushtetutshmërisë që secili qytetar të këtë mjekun e vet familjar.

Faza pasuese, sipas Ministrisë do të jetë shtrirja e projektit në tërë vendin e pastaj krijimin e ekipeve të mjekësisë familjare të përbërë nga një mjek dhe dy infermierë, ku secili ekip do të ketë 2 – 3  mijë pacientë. Caktimi i termineve do të bëhet përmes këtyre ekipeve.

“Zbatimi i këtij projekti në nivel vendi planifikohet të bëhet nga pjesa e dytë e këtij viti”– thuhet në përgjigjen e MSh-së.

KALLXO.com ka pyetur ministrinë edhe për mënyrën si janë përzgjedhur këto katër komuna.

“Ideja ka qenë që të përfshihet një komunë e madhe, një komunë nga qendra e Kosovës siç është Lipjani, një komunë nga rrafshi i Dukagjinit, si dhe dy Qendra të Mjekësisë Familjare (Ulpianë dhe Bregu i Diellit) nga kryeqyteti” – u përgjigj Ministria e Shëndetësisë.

Në një video-mesazh drejtuar qytetarëve, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se përzgjedhja e mjekut familjar nuk është thjesht një vendim i kujdesit shëndetësor, por është investim në mirëqenien e familjeve, komunitetit dhe shtetit.

MSh ka treguar hapat që duhen ndjekur për këtë aplikim, të cilat përfshijnë plotësimin e të dhënave personale bazuar në gjendjen civile.

Nëse ky aplikim është i pamundur, Ministria udhëzon qytetarët që të vizitojnë Qendrën e Mjekësisë Familjare më të afërt në zonën e banimit ose të telefonojnë në numrin 080030900 për asistencë.