array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=4"
  }
}

Mashtrimi se si një ilaç i shpëton njerëzve dëgjimin

Deklarata

Këto janë shenjat kryesore të humbjes së dëgjimit

Media

Vlerësimi

Rrenë

Postimi “Këto janë shenjat kryesore të humbjes së dëgjimit!” i cili rekomandon një produkt, si “ilaç për shqisën e dëgjimit” është i rremë. Krypometri ka konfirmuar se personat e apostrofuar në këtë artikull janë të rremë dhe burimet janë të falsifikuara. Edhe ilaçi i promovuar si shërues nuk është i lejuar për përdorim në Kosovë.

Artikulli

Në ueb faqen Medicina.rs, është publikuar një artikull me titull “Çfarë të bëni kur ju dhemb koka, tingëllon në veshë dhe dëgjoni dobët? Këto janë shenjat kryesore të humbjes së dëgjimit!”, i cili rekomandon një produkt, si ilaç për shqisën e dëgjimit.

Artikulli citon Dr. Arben Krasniqi, si drejtues i Klinikës së Otorinolaringologjisë, të cilin autori i këtij shkrimi e cilëson si “një nga otorinolaringologët më të mirë në botë dhe i cili është autor i teknikave unike për rikthimin e dëgjimit që përdoren në të gjithë botën”.

Krypometër ka kontrolluar nëse personi me emrin Arben Krasniqi është drejtor i Kilikës së Otorinolaringologjisë. 

Më datë 14/09/2023, Krypometri ka kontaktuar me zëdhënësin e ShSKUK-së, Shpend Fazliu, i cili ka konfirmuar se drejtor i Klinikës së ORL-së, është Arsim Behramaj.

Për të verifikuar më tutje informacionin, Krypometër ka kontrolluar nëse në Kosovë ka mjek tjetër me emrin Arben Krasniqi.

Për të verifikuar këtë, Krypometër ka kontrolluar në regjistrin publik të Odës së Mjekëve të Kosovës. Kontrollimi i datës 14/09/2023 ka treguar se në listën e OMK-së nuk ka mjek të licencuar me emrin Arben Krasniqi.

Oda e Mjekëve të Kosovës është organizatë e përfaqësimit profesional të mjekëve e cila sipas ligjit licencon të gjithë mjekët në Kosovë.

Për të verifikuar edhe më tutje Krypometër ka kontrolluar në google për emra të mjekëve me këtë emër. I vetmi person me adresë që ka prapavijë mjekësore është personi Arben Krasniqi, i cili është fizioterapeut.

Kryepometër ka pyetur fizioterapeutin Arben Krasniqin nëse ka të bëjë diçka me këtë lajm.

Në përgjigjen e Krasniqit të datës 14 shtator 2023, ai ka konfirmuar se nuk ka të bëjë asgjë me këtë lajm pasi ai është fizioterapeut.

“Jo të lutem, ky me gjasë është mjek tjetër, sepse edhe dikush tjetër me ka shkruajtur për të më pyetur për një ilaç. Ky mundet me qen mjek i ORL-së, ndërsa unë jam fizioterapeut, pra është në fushën që s’më përket mua”- thuhet në përgjigjen e Krasniqit të datës 14/08/2023.

Përpos emrit të mjekut, i cili rezulton se nuk është i vërtetë, artikulli pretendon të promovojë një prodhim me emrin “U Caps” i cili pretendohet se është preparat për ta shpëtuar dëgjimin.

Krypometri ka kontrolluar nëse ky ilaç është i lejuar për tu shitur dhe për tu tregtuar në Kosovë.

Agjencioni Kosovar për Produkte dhe Paisje Medicinale është institucion i cili rregullon shitjen dhe importin e ilaçeve në Kosovë. Sipas ligjit, asnjë medikament mjekësor, përfshirë vitaminat, nuk guxojnë të shiten në vend pa lejen e këtij institucioni.

AKPPM-ja në një përgjigje për Krypometër ka konfirmuar se produkti ‘U Caps’, nuk figuron në listën e barnave të lejuar në Kosovë.

“Ky produkt ‘U caps’ nuk është i regjistruar në DAM.”- thuhet në përgjigjen e AKPPM-së të datës 13/09/2023.

Po ashtu Krypometri ka kontaktuar me drejtorin e ORL-së, Arsim Behramaj për të verifikuar nëse rekomandon një ilaç të tillë për pacientët.

Në përgjigjen e Behramajt thuhet se nuk e ka rekomanduar asnjëherë këtë produkt dhe se ky është mashtrim.

”I kam shkruar Odës së Mjekëve për t’i denoncuar këto mashtrime në prokurori”- thuhet në përgjigjen e Behramajt të datës 14.09.2023

Krypometri po ashtu ka kontrolluar fotografinë për të cilën publikimi pretendon se është Dr. Krasniqi. Në verifikim në ‘tineye’, del që fotografia e njëjtë është përdorur 12 herë në vite të ndryshme.