Foto: Ilustrim

Rritja e transparencës së institucioneve përmes përdorimit të modulit për menaxhim të kontratave

Një ndër arsyet pse qytetarët e Kosovës vazhdojnë të marrin shërbime, punë e produkte të cilësisë jo të mirë përmes procedurave të prokurimit është menaxhimi jo i mirë i kontratave. Për të adresuar këtë çështje, në mars të vitit 2021, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) lansoi dy module të reja në platformën elektronike të prokurimit publik. Një nga modulet e reja që është inkorporuar në platformën e-prokurimi është ajo për menaxhimin e kontratave nga autoritetet kontraktuese.

Zbatimi i këtij moduli është edhe një mekanizëm i llogaridhënies, i cili i mundëson menaxhimin e kontratave publike në mënyrë transparente dhe dokumentim sa më të mirë të punës nga ana e menaxherit të kontratës.

Fillimisht ky modul është parë me skepticizëm nga autoritetet kontraktuese, por të dhënat e KRPP-së dëshmojnë se nga viti 2021 kur është lansuar, ka rritje të përdorimit të këtij moduli nga ana e autoriteteve kontraktuese.

Një vit pas lansimit të këtij moduli, i cili u krijua me ndihmën e USAID KMI, KRPP ka bërë monitorimin e përdorimit të këtij moduli. Në vitin 2021 përdorimi i këtij moduli ka qenë në 50% ndërsa në vitin 2022 është rritur në 60%.

Anëtari i KRPP-së, Avni Sahiti, ka deklaruar se kur është parë që po ka vështirësi në mesin e menaxherëve të kontratave për përdorim të modulit, ata kanë organizuar dhe kanë mbajtur trajnime për ta.

“Pra kjo përqindje është ngritur pak nga viti paraprak dhe trendet janë në rritje e sipër. KRPP-ja duke e pa që kjo nuk është duke u përdorur në masën e duhur ka filluar edhe me trajnime shtesë. Për vitin 2022, KRPP-ja ka zhvilluar nëntë trajnime për nëntë autoritete kontraktuese, diku me më shumë se 200 pjesëmarrës” – ka thënë tutje Sahiti.

Sipas të dhënave të KRPP-së, edhe në gjashtëmujorin e parë të vitit 2023, përdorimi i modulit për menaxhimin e kontratave është i ngjashëm me vitin paraprak. Spahiu nga KRPP ka treguar se kanë kërkuar nga autoritetet kontraktuese që ta përdorin këtë modul për shkak se i jep atyre mundësinë që të kenë një dokumentim sa më të mirë të punës së tyre.

“Ta kenë punën më të lehtë, menaxherët e kontratës e kanë një siguri më të madhe gjatë punës së tyre, por edhe kryetarët e komunave, ministrat, drejtorët e kompanive të kenë një pasqyrë më të saktë aty ku përditësohen të dhënat, për me pa progresin në modulin e menaxhimit të kontratës” – ka deklaruar në fund Sahiti.

Praktikat e mira të institucioneve në përdorimin e modulit për menaxhim të kontratave

Një nga institucionet që po e përdor deri në 100% modulin e menaxhimit të kontratave është Ministria e Shëndetësisë. Rritja e transparencës, vetëdijesimi i menaxherëve të kontratave por edhe i operatorëve ekonomikë po shihet si përparësi e përdorimit të këtij moduli nga Ministria e Shëndetësisë.

Ata kanë thënë se tani është një fokus më i madh në menaxhim të kontratave se sa më herët.

“Ka qenë goxha problematike kjo pjesë, por tash jemi shumë më mirë dhe na kanë ndihmuar edhe trajnimet që i kemi marrë nga USAID KMI. Ky modul tek ne është duke u përdorur 100%. Gjithçka që është elektronike është më e mirë dhe efikase dhe normal është një përgjegjësi edhe më e madhe” – thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Por edhe përkundër kësaj, ata po e konsiderojnë problematike menaxhimin e kontratave në fushën e farmacisë. Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se ata kanë vetëm tre menaxherë të kontratave në farmaci e nga ana tjetër janë rreth 90 tenderë të barnave që duhet të menaxhohen nga ta.

Përpos Ministrisë së Shëndetësisë, Komuna e Rahovecit dhe ajo e Suharekës janë ndër autoritetet kontraktuese që e përdorin modulin e menaxhimit të kontratave në platformën e-prokurimi.

Drejtori i Bujqësisë në Komunën e Rahovecit, Berat Duraku, ka thënë se përkundër që ka qenë shumë e vështirë në fillim përdorimi i kësaj platforme, me trajnime nga KRPP-ja dhe USAID KMI, ia kanë dalë.

“Deri në vitin 2021 menaxhimi i kontratave është bërë në formë manuale, e cila ka qenë shumë më e vështirë sesa tash. Arkivimi i dokumentacionit bëhet shumë më lehtë, raportet janë të publikuara me kohë, po ashtu procesi i auditimit të menaxhimit të kontratave është shumë më i lehtë” – ka thënë Duraku.

Ai ka shtuar se edhe komunat fqinje kanë kërkuar të dinë për përvojën e tyre për përdorimin e platformës elektronike për menaxhimin e kontratave, më saktësisht për shpalljen e procedurës për konsulencë.

Edhe nga Komuna e Suharekës kanë thënë se tash me platformën elektronike, procedurat e prokurimit publik po ecin shumë më mirë dhe më shpejt.

“Ne jemi në monitorim nga USAID KMI për menaxhimin e kontratave, kur kemi filluar ndoshta për ne ka qenë më i vështirë përdorimi i këtij sistemi të e-prokurimit, por me kalimin e kohës e kemi vërejtur që është më shpejt dhe po shkojnë punët më mirë” – ka thënë drejtori i Urbanizmit dhe Planifikimit në Komunën e Suharekës, Visar Kuçi.

Ai ka shtuar se ka pasur efekt kjo platformë por vetëm që ende nuk kanë arritur që me anë të saj të bëjnë edhe shkëputjen e kontratës.

“S’kemi arritur ende të bëjmë shkëputjen e kontratave pasi që deri më tani kemi punuar sipas planit dinamik kalendarik” – ka shtuar Kuçi.

Zyrtarët e institucioneve që do të marrin përsipër menaxhimin e kontratave, e kanë pasur dhe e kanë mundësinë në vazhdimësi të mësojnë apo ta përmirësojnë punën e tyre përmes videove me udhëzime në faqen e e-prokurimit, të cilat janë realizuar nga KRPP me mbështetjen e USAID. Në faqen e KRPP-së, te rubrika ‘trajnimet’, gjenden pesë video disa-minutëshe me udhëzime mbi draftimin, nënshkrimin dhe publikimin e kontratës, mobilizimin e kontratës, progresin e kontratës dhe për mbylljen dhe ndërprerjen e kontratës. Secila prej videove ka mbishkrimin, në të cilën sqarohet nëse videot dedikohen për autoritetet kontraktuese apo për operatorët ekonomikë.

Ndikimi i modulit në rritje të transparencës

Nga Zyra Kombëtare e Auditimit kanë thënë që moduli i menaxhimit të kontratave në platformën e e-prokurimit ka siguruar transparencë më të madhe në proceset e prokurimit.

“Çdo dokument që çon në lidhjen e një kontrate publike, nga shpallja, specifikimet, kriteret e vlerësimit të tenderit e deri tek kontrata janë në platformë, andaj OE-ve u ka mundësuar qasje më të lehtë si dhe e ka kufizuar mundësinë për keqpërdorime dhe intervenime nga jashtë’’ – ka thënë Arben Selimi, Auditor i performancës në Zyrën Kombëtare të Auditimit.

Edhe Selimi ka evidentuar rritjen e nivelit të përdorimit të modulit për menaxhim të kontratave në e-prokurim, por i njëjti ka thënë se ende ka autoritete kontraktuese që vazhdojnë të mos e vendosin të gjithë dokumentacionin.

“Ne kemi parë vetëm sivjet në katër autoritete kontraktuese nuk e kanë përdorur fare këtë modul të menaxhimit të kontratave. Gjakova, Prizreni e Vitia, janë komunat që për disa kontrata nuk kanë raportuar fare, ndërsa ka edhe të atilla që nuk i kanë plotësuar ato me dokumentet e nevojshme të kërkuara” – ka shtuar më tej Selimi.

Derisa monitoruesi i aktiviteteve të prokurimit publik nga organizata “Demokracia Plus”, Diell Haxhimusa, ka thënë se KRPP duhet të insistojë edhe më shumë që autoritetet kontraktuese ta përdorin modulin për menaxhimin e kontratave në masë më të madhe.

Sipas raportit të vitit 2022 të publikuar nga KRPP, në vitin 2022 janë nënshkruar 10,290 kontrata publike të udhëhequra sipas Ligjit për Prokurim Publik të Kosovës, duke i përfshirë të gjitha llojet e vlerave të kontratave. Derisa vlera totale e tyre është 559,017,913 euro apo 6.5% e Bruto Produktit Vendor.

Ky artikull është përgatitur nga BIRN-i përmes mbështetjes nga Aktiviteti i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për Integritetin e Komunave të Kosovës. Pikëpamjet e paraqitura në këtë artikull nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.