Rrënohen Verandat e Dy Lokaleve në Ferizaj (TV)

Inspektorët komunalë të Ferizajt rrënuan të enjten verandat pa leje të dy lokaleve në rrugën përballë kishës ortodokse dhe xhamisë së qytetit, pasi përkundër njoftimeve për rrënim, pronarët e verandave nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për t’i larguar vetë ato.

Njëri nga lokalet ende nuk kishte nisur punën, ndërsa kishte uzurpuar pronën publike-trotuarin.

Drejtori i Urbanizmit në Ferizaj Faik Grainca, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se veprimet komunale nuk do të ndalen me kaq.

“Është qëndrim i kryetarit Svarqa që të gjitha objektet pa leje do të rrënohen, ne kemi bërë një plan të veprimit”, tha Grainca.

Sipas tij, plani i veprimit është i ndarë në faza, ndërsa në fazën  e parë do të rrënohen objektet pa leje të ndërtuara në pronën publike, në fazën e dytë objektet private për të cilat ka ankesa të fqinjëve, ndërsa në fazën e tretë të gjitha objektet që bien ndesh me planin detaj urbanistik të qytetit.

Urim Osmani, pronar i lokalit ku bëhëj rrënimi nuk u ndie mirë kur inspektorët me pajisjet e tyre rrënuese i “trokitën në derë”. 

“Kjo nuk është e arsyeshme, sepse kjo nuk pengon asgjë edhe andej[në anën tjetër të rrugës] ka trotuar. Gjithmonë kemi punuar kështu, ne në sezonën verore kemi paguar për shfrytëzim”, tha Osmani.

Grainca u bëri thirrje qytetarëve që të mos ndërtojnë pa leje, ndërsa tha se rrënimet e objekteve pa leje do të vazhdojnë.