Prerja e Drunjve Mund ta Çojë në Gjyq Agim Aliun

Komuna e Ferizajt me vendim të kryetarit Agim Aliu, të nënshkruar më 5 gusht, një javë më pas ka prerë 50 drunj dekorativë rreshtorë, në qendër të qytetit, për t’i hapur rrugë projektit të rregullimit të sheshit nga hoteli Luboten deri pranë ëmbëltores mobile “Loçka”.

Projekti i rregullimit të qendrës së qytetit, i planifikuar që në vitin 2010, filloi të realizohet në fillim të qershorit, ndërsa i kushtoi komunës një milion e 100 mijë euro. Punët duhej të përfundonin brenda tre muajsh, por janë ende duke vazhduar.

Prerja e drunjve për rregullimin e sheshit në gusht, shkaktoi reagime nga shoqëria civile, subjektet politike dhe qytetarët, ndërsa në shtator fidanë të rinj kanë filuar të mbillen, në vend të drunjve të vjetër.

Nisma Qytetare e Ferizajt, subjekti i ri që do të marrë pjesë në zgjedhjet e 3 nëntorit, i drejtuar nga Bashkim Fazliu-Migjeni, njeriu që la PDK-në në prill të vitit të kaluar, dorëzoi të martën në Gjykatën Themelore të Ferizajt, kallëzim penal kundër kryetarit të komunës, për shkak të prerjes së drunjve.

“Ne kemi realizuar premtimin se do ta bëjmë kallëzimin penal ndaj kryetarit aktual … sepse kjo çka ka ndodhur është abuzim me ligjin, ne kemi një elaborat qe nuk eshte ekspretizë siç e quanin më herët zyrtarët komunalë”.

Sipas kallëzimit penal të Fazliut, projekti i rregullimit të sheshit të Ferizajt nuk parashkonte prerjen e drunjve ekzistues, por komuna porositi një kompani maqedonase të quajtur “Demi Inzhinjering” për ta vlerësuar gjendjen fizike të drunjve.

Në kallëzim më tutje thuhet se as kjo kompani nuk rekomandoi prerjen, por zëvendësimin gradual të drunjve të vjetër me të rinj.

Fazliu të martën, prerjen e drunjve e quajti masakër ndaj qytetit, ndërsa shtoi se ky vendim nuk i takon kryetarit të qytetit, por Asamblesë Komunale.

Në Ligjin për vetëqeverisje  lokale thuhet se kryetari ekzekuton vendimet e kuvendit komunal, ndërsa kuvendi është organi më i lartë i komunës.

Kallëzimin penal të Nismës, drejtoresha e Urbanizmit të Ferizajt Qazime Vata e quajti fushatë politike.

“Këta drunj i kemi larguar për t’i zëvendësuar me drunj te rinj, në mënyrë që investimi i madh që është në sheshin e qytetit të mos rrezikohet”, tha Vata.

Ajo shtoi se qytetarët nuk vendosin për prerjen e drunjve, kur u pyet se pse nuk kishte diskutim publik para prerjes së tyre.

“Ata mund të japin konstatim, ndërsa ne kemi mendimin e ekspertëve për këtë çështje”, tha drejtoresha për Urbanizëm.

Rregullimi i qendrës së qytetit të Ferizajt, sivjet është një ndër projektet kryesore komunale.