Kurti takohet me kryetarët e komunave, këta të fundit i kërkojnë të ndryshojë qasjen e komunikimit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministra të kabinetit qeveritar, sot është takuar me Asociacionin e Komunave të Kosovës.

Në këtë takim, këta të fundit i kanë kërkuar kryeministrit ndryshimin e qasjes së komunikimit.

Kryetari i këtij Asociacioni dhe kryetari i Ferizajt, Agim Aliu (PDK), tha se për disa zgjidhje që kryetarët kanë propozuar, janë ende duke pritur përgjigje.

“Ne kryetarët kemi bindjen që duhet të ndryshojë qasja e komunikimit. I tillë ishte edhe ligji për vetqeverisje për të cilën kryetarët e komunave u përjshatuan nga konsultimi. Edhe në pikëpamje të planifikimeve buxhetore tavanet e caktuara nga Ministria e Financave për vitin 2024 parashihet të ketë shkurtime të buxhetit në investime kapitale që karakterizon vitin 2024 me investime më pak kapitale” – ka thënë Aliu.

Ai në këtë takim ka përmendur dhe rikujtuar temat e takimit të fundit që kishin me kryeministrin Kurti, e që ishin themelimi i grantit të katërt, përshpejtimi i procedurave për nxjerrjen e akteve nënligjore, kthimin e pronave të menaxhuara aktualisht nga Agjencia për menaxhimin e pronave, si dhe projektligji për prokurim publik të kthehet në plotësim-ndryshim.

Në anën tjetër, Kurti tha se buxheti i komunave për vitin 2024 do të jetë 722 milionë euro.

“Prej takimit të fundit që kishim në maj është fitorja e kandidaturës së Kosovës në lojërat mesdhetare, që përfshihen komunat e vendit. Mbi 250 milionë euro investime janë paraparë. Buxheti i komunave për vitin 2024 është 722 milionë euro. Invistemit kapitale të komuanve përfshinë autostrada, ndriqim publik, parqe hapësira të gjelbra, si dhe shkolla” – deklaroi Kurti.

Ai tha se së bashku me ministrat dhe zëvendësministrat e Qeverisë, është i gatshëm të dëgjojë kërkesat e kryetarëve të komunave.