Foto: Agim Aliu, Facebook

Kryetari i Ferizajt e Ministri i Shëndetësisë vunë gurthemelin e objektit të ri të QKMF-së

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu e Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia vunë sot gurthemelin e objektit të ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Memorandumin e bashkëpunimit për ndërtimin e objektit, Aliu e Vitia e patën nënshkruar më 30 gusht. Vlera e projektit është 2 milionë e gjysmë euro, prej të cilave, Ministria do të investojë 90%, e Komuna 10%.

Aliu e quajti këtë objekt “një vepër publike madhore që i jep zgjidhje për dekada nevojave hapësinore për ofrimin e shërbimeve shëndetësore në Ferizaj”.

“Falënderim Ministrisë së Shëndetësisë dhe kreut të saj që për vite u angazhuam bashkë në jetësimin e këtij projekti” – ka shkruar kreu i Ferizajt në Facebook.

Agim Aliu e Arben Vitia
Foto: Agim Aliu, Facebook

Sipas Vitisë kjo do të jetë një nga qendrat më bashkëkohore në vend, me 4,930 metra katrorë dhe me pajisje të reja bashkëkohore.

Aliu tha kjo hapësirë është mbi trefish më e madhe se sa objekti ekzistues.

Ministri i Shëndetësisë ka shkruar në Facebook se përvec në Ferizaj, QKMF të reja po bëhen edhe në Drenas, Mamushë dhe Shtime.

“Vitin e ardhshëm do të vijojmë projektet që e mbështesin mjekësinë familjare në të gjithë vendin” – ka shtuar Arben Vitia.

Ata kanë publikuar edhe disa fotografi të objektit, se si pritet të duket ai në të ardhmen.

Përderisa sistemit parësor shëndetësor po i shtohet edhe një objekt, sistemi dytësor në Ferizaj vazhdon të vuajë nga mungesa e hapësirës.

Objekti i ri i Spitalit të Ferizajt, i nisur 10 vite më parë ka mbetur në gjysmë. Punimet aty nuk kanë rifilluar që nga viti 2021, përderisa bodrumi i tij është i mbushur me ujë.

Vitia e Aliu në një takim që kanë pasur në shkurt të këtij viti, u patën pajtuar për rinisjen e punimeve, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

Udhëheqësi i spitalit, Selajdin Sallahu në një takim me Bordin e Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar, një javë më parë tregoi se shumica e problemeve të spitalit vijnë për shkak të hapësirës së pamjaftueshme.

Ai tregoi se është anëtar i grupit punues, të emëruar nga Ministria e Shëndetësisë për vazhdimin e ndërtimit të këtij objekti. Ky grup, siç tha Sallahu takohet çdo javë, me qëllim evidentimin e problemeve të objektit të ri.

Sallahu u shpreh optimist që kjo punë do të përfundojë së shpejti.