Gjykata e Prishtinës e shtyen ekzekutimin e vendimit të Komunës së Prishtinës për këmbimin e pronave

Gjykata e Prishtinës përmes një aktvendimi të nxjerrë më 2 shkurt 2024 e ka aprovuar kërkesën e Institutit të Kosovës për Drejtësi për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për këmbimin e pronës komunale në “Prishtina e Re” me pronat në Badovc.

Instituti i Kosovës për Drejtësi, përfaqësuar nga Drejtori Ekzekutiv Ehat Miftaraj, sipas padisë së datës 25 janar 2024, kishte kërkuar nga gjykata që të aprovohet kërkesa për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Kuvendit të Kryeqytetit të datës 26 dhjetor 2023, deri në vendosjen meritore të çështjes kryesore.

Kurse Komuna e Prishtinës në parashtresën e datës 1 shkurt 2024 i kishte propozuar gjykatës që të refuzohet në tërësi kërkesa për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit si e pathemltë.

Në arsyetimin e Gjykatës thuhet se për të vlerësuar propozimin e IKD-së, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, kjo gjykatë iu referua Ligjit për Konfliktet Administrative nga ku gjeti se, propozimi për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të lartcekur është i bazuar.

Tutje shpjegohet se Gjykata gjeti se në propozimin për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, IDK-ja ka ofruar argumente të besueshme dhe se në rastin konkret janë përmbushur në tërësi dhe në mënyrë kumulative të gjitha kushtet e parapara me Ligjin për Konfliktet Administrative për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të kontestuar.

Gjithnjë sipas aktvendimit, IDK-ja është vlerësuar se ka ofruar argumente të besueshme të cilat vërtetojnë faktin se ekzekutimi i vendimit për pronat do t’i sillte dëm, i cili dëm vështirë do të riparohej.

Gjithashtu, gjyqtarja Luljeta Maxhuni e cila e nxori këtë aktvendim gjeti ndër të tjera se shtyrja e ekzekutimit të vendimit deri në vendosjen e çështjes në mënyrë meritore, nuk është në kundërshtim me interesin publik e as që shtyrja do t’i sillte ndonjë dëm të madh palës kundërshtare, përkatësisht personit të interesuar.

Para disa ditëve në media është raportuar se Komuna e Prishtinës kishte bërë këmbim të pronës komunale në lagjen ‘Prishtina e Re’, me pronë private në afërsi të Liqenit të Badovcit.

Kuvendi Komunal i Prishtinës kishte miratuar propozimin e Komunës, për shkëmbimin e pronës publike me atë private.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në një konferencë për media të datëes 25 janar 2024 tha se ishin cak i sulmeve sa i përket çështjes së këmbimit të pronave.

Rama tha se ky proces ka filluar më shumë se dy vjet para se ai të vinte në postin e kryetarit të Prishtinës.

“Kjo si pasojë e vendimeve të Ministrisë së Ambientit. Jemi duke zbatu një proces të rregullt, i miratuar nga Asambleja Komunale dhe është ende proces i papërfunduar. Në këtë rast, kemi ndjekur të gjitha procedurat dhe hapat ligjor në bazë të vendimeve të ministrive, pasi që pala ka pas vendime të miratuara nga Ministritë për këmbim të pronës e që e obligon kryeqytetin me vepru”- deklaroi Rama.

Tutje, kryetari i Kryeqytetit tha se ka pas keqraportime sa i përket kësaj çështjeje.

Kuvendi Komunal në Prishtinë, të enjten, më 8 shkurt pritet të mbajë seancë të jashtëzakonshme me një pikë të rendit të ditës: Anulimin e vendimit për këmbimin e pronave në zonën e mbrojtur në Badovc me ato tek lagjja ‘Prishtina e Re’.

Për thirrjen e kësaj seance janë bërë bashkë Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

PDK dhe LVV bëhen bashkë, të enjten pretendojnë ta anulojnë vendimin për këmbim të pronave në Badovc