Gërvalla: Së shpejti procedohet në Qeveri dhe në Kuvend pako e projektligjeve për reformën në drejtësi
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar më 26.03.2026 se shumë shpejt do të procedohet për miratim në Qeveri dhe në Kuvendin e Kosovës pakoja e projektligjeve për reformën në drejtësi.
Sipas njoftimit, ministrja kështu ka deklaruar gjatë përmbylljes së një punëtorie treditore, ku thuhet se u diskutuan dhe finalizuan gjashtë projektligjet që rrjedhin nga Deklarata e Përbashkët e Zotimit.
Në punëtori njoftohet se morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Gjyqësor, Këshillit Prokurorial, Policisë, Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Ministrja Gërvalla citohet të ketë thënë se finalizimi i kësaj do të sjellë ndryshime të thella në sistemin e drejtësisë.
“Rrjedhimisht, përmes këtyre akteve, për herë të parë adresohet çështja e shkarkimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve për mungesë pune dhe profesionalizmi, kategorizohen dhe saktësohen shkeljet disiplinore dhe, po ashtu, për herë të parë rregullohet me ligj vlerësimi i performancës së tyre”- citohet të ketë deklaruar Gërvalla.