PDK në kryeqytet bojkoton seancën, i thotë LDK-së se 'nuk janë makinë votimi'

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në Prishtinë ka bojkotuar seancën e asamblesë së sotme, nën arsyetimin se partneri qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nuk po iu jep mjaftushëm hapësirë për të “kontribuar në hartim të përbashkët të agjendës legjislative”.

Shefi i grupit të asamblistëve të PDK-së, Leutrim Retkoceri, në reagimin e tij ka deklaruar se nuk janë makinë votimi.

“Sot nuk jemi në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Kryeqytetit. Është një mendësi e trashëguar nga e kaluara që konsideron se Kuvendi Komunal shërben si një makinë e votimeve, duke lënë pak hapësirë për koordinim e komunikimin proaktiv me qytetarë.  Ne vazhdimisht kemi bërë thirrje që kjo mendësi dhe kjo traditë nevojitet të ndryshohet sepse për shumicën e vendimeve, në fund janë vet qytetarët që po mbesin të hutuar e të zhgënjyer në pamundësinë e artikulimit të zërave e nevojave të tyre”- ka shkruar Retkoceri.

Ai potencoi se edhe pse janë në qeverisje, nuk do të thotë se votojnë me sy mbyllur dhe  se duan t’u qëndrojnë besnik qëllimeve të tyre.

“Parimet e mirëqeverisjes që ne i njohim dhe duam t’i aplikojmë, bazohen në hartimin e përbashkët të agjendes legjislative, e cila nuk po ndodhë dhe e njejta nuk po jep mjaftueshëm mundësi për kontribut transparent në zhvillimin dhe mbrojtjen e interesit publik të qytetarëve. Kur kemi pranuar të bashkohemi në bashkëqeverisje e kemi pasur të qartë se duhet të qëndrojmë besnik karshi qëllimeve dhe modelit të qeverisjes që po e dëshirojmë dhe e meriton qyteti”- shtoi më tej Retkoceri.

Partnerët qeverisës nuk u pajtuan as në seancën e 17 nëntorit, ku kryetari Përparim Rama përmes një njoftimi të përcjell në Kuvendin Komunal urdhëroi anulimin e seancës se jashtëzakonshme ku pritej të miratoheshin disa rregullore si ajo për parkingje, menaxhim të mbeturinave, dhënia në shfrytëzim e pronave të komunës e tatimi në pronë për vitin 2024, por që ishte kërkuar konsultim shtesë.

Derisa, më 7 dhjetor PDK mori pjesë në seancën e thirrur nga deputetë të opozitës për falje të tatimit në pronë për vitin 2023 për qytetarët e Prishtinës, ku marr pjesë në votim.

Kurse, sot në rendin e ditës janë disa prej pikave për të cilat edhe ishte anuluar seanca e 17 nëntorit ku përshihet rregullorja për parkingje, plani rregullues për lagjen ‘Kalabria’, plani rregullues për ‘Zonën Ekonomike; si dhe këmbimi i disa pronave.

Asambleja e Kuvendit të Kryeqytetit ka 50 anëtarë ku partitë në koalicion LDK dhe PDK përbëjnë shumicën, gjë që edhe ndihmon në votim propozimeve e vendimeve të ndryshme edhe pa opoziten që përbëhet nga LVV, AAK, AKR.