Një kryeministër i dobët dhe një president i fuqishëm

Qeveria Hoti sjell me vete një president të guximshëm gati për të rinisur detyrat me dialogun dhe një Listë Serbe të fuqizuar e cila është ne gjendje të ndikojë nga brenda.

 

Kosova ka parë tre kryeministra të ndryshëm që kanë qenë në detyrë brenda një viti, gjë që flet në mënyrë qartë për nivelin e jostabilitetit ne një vend të mbërthyer në status quo, pa asnjë zgjidhje në horizont për konfliktin e ngrirë me Serbinë.

Qeveria Hoti, e formuar me 3 qershor, vendos një precedent të ri në Kosovë, pasi që u krijua nga partia që zuri vendin e dytë në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Kalimi i mandatit te partia e dytë që ajo të marrë pushtetin mund të jetë legale pasi që Gjykata Kushtetuese krijoi një bazë të fortë ligjore për t’u formuar Qeveria Hoti. Sidoqoftë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese përsëri konfirmoi se Kushtetuta mund të jetë fleksibile për t’iu përshtatur nevojave të autokratëve.

Derisa debati në lidhje mbi ligjshmërinë duket se është mbyllur tani, debati mbi legjitimitetin e qeverisë mbetet i hapur, dhe me të drejtë legjitimitet i saj nuk vihet në dyshim vetëm në lidhje me mënyrën me të cilën LDK-ja arriti drejt pushtetit, por edhe për faktin se kjo qeveri është formuar me ndihmën e lobimit aktiv të udhëhequr nga Presidenti Hashim Thaçi.

Këtë e ka zbuluar në mënyrë të qartë deputeti i NISMA-s Haxhi Shala, i cili u bind për të votuar për Qeverinë Hoti një natë para se të zhvillohej votimi. Ky është një incident shqetësues në vetvete, por zbulon edhe varësinë e kësaj qeverie nga Thaçi, duke pasur parasysh ndikimin e tij mbi deputetët e Kuvendit.

Parlamenti gjysmë i mbushur – në mungesë të deputetëve nga Vetëvendosje – dhe mirëseardhja e pa entuziazëm që mori qeveria e re që në fillim të mandatit pasqyrojnë mungesën e mbështetjes që kryeministri i ri do të ketë në misionin e tij për të udhëhequr vendin në orët e veta më të errëta.

Sfidat me të cilat përballet qeveria e re janë shumë dimensionale, duke u nisur nga fakti se mezi ka shumicën, me vetëm 61 vota nga gjithsej 120 ulëse që formojnë parlamentin. Ajo gjithashtu përballet me kundërshtimin e dyfishtë të Vetëvendosjes (partia fituese e zgjedhjeve) dhe PDK-në (e cila qeverisi më shumë se një dekadë përpara se të angazhohej për të qëndruar në opozitë pas zgjedhjeve të 6 tetorit).

Këto dy gjëra të kombinuara do ta bëjnë funksionimin e institucioneve legjislative dhe ekzekutive shumë sfiduese ose gati të pamundur, dhe do t’i japin fuqi të jashtëzakonshme deputetëve individualë që ta përdorin votën e tyre kundër qeverisë.

Foto: Donika Emini/Facebook

Vendi po përballet gjithashtu me polarizim politik të dëmshëm. Qeveria Hoti duhet të mësojë se si të lundrojë në një mjedis kaq ekstrem politik, në mënyrë që të sigurojë funksionimin e plotë të institucioneve.

Mbështetja e qeverisë së re nga Lista Serbe mund të shkaktojë probleme. Krijuar në kuadrin e dialogut në Bruksel, Lista Serbe ishte destinuar të përfaqësojë komunitetin serb të Kosovës në dialog. Megjithatë, partia jo vetëm që ka monopolizuar përfaqësimin politik të serbëve vendas, por është përdorur nga Presidenti serb Aleksandar Vuçiq si një dorë e zgjatur e Serbisë brenda Qeverisë së Kosovës.

Ndërkaq Lista Serbe ka qenë pjesë e qeverisë në të kaluarën, fuqia e saj politike tani është shumë më e madhe sesa që ishte në qeverinë Kurti, dhe kjo fuqi e re e gjetur mund të luajë rol të dëmshëm në dialogun me Serbinë. Në fakt, këto efekte janë parë tashmë në marrëveshjen qeverisëse të Listës Serbe me LDK-në, e cila premton “heqje të të gjitha pengesave” në dialog, në thelb një kusht për të hequr masat tregtare reciproke të vendosura nga qeveria e mëparshme.

Kjo na dërgon në arsyen kryesore pse kjo qeveri është formuar dhe është qëndisur me kujdes: nevoja për t’u përshtatur dhe për të mbështetur agjendën e Presidentit Thaçi në dialog. Një president i fortë ka nevojë për një kryeministër të dobët, në këtë mënyrë është e lehtë të sigurohet vartësia e plotë.

Thaçi, në krahasim me Hotin, apo edhe me Ministren e re të Punëve të Jashtme Meliza Haradinaj, ka një reputacion të vendosur ndërkombëtar dhe është një aktor i konsoliduar fuqishëm brenda procesit të dialogut. Tani e tutje, duket e mundshme që dialogu do të lihet në duart e Presidentit Thaçi, i mbështetur dhe i garantuar nga SHBA-të.

Nëse dialogu hiqet si qëllim i kryeministrit, Qeverisë Hoti do t’i lihet të trajtojë misionin e pamundur: revitalizimi i ekonomisë – e cila ishte e brishtë edhe para pandemisë dhe tani është shkatërruar gjatë izolimit ekstrem. Duke premtuar miliona, duke folur numra, plane dhe strategji për t’u ringjallur ekonomikisht, LDK synon të përdorë ekspertizën e tyre akademike ekonomike.

Ajo çka i mungon Kosovës tani është një qeveri e mirëfilltë që ta ngritë vendin jo vetëm nga një krizë e madhe ekonomike, por nga polarizimi politik dhe lufta për pushtet që pritet të ketë ndikim të dëmshëm në të ardhmen e vendit, brenda dhe jashtë.

 

Mendimet e shprehura në pjesën e opinioneve janë vetëm të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN.

Donika Emini është studente e doktoratës në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe politikë në Universitetin e Westminster. Ajo është Drejtoresha Ekzekutive e Platformës CiviKos dhe anëtare e Grupit Këshillimor të Politikave të Ballkanit në Evropë (BiEPAG).