Grafika: Trembelat për Kallxo.com

Faji në librat tanë shkollorë

Në fillim të këtij muaji, gjatë shënimit të përvjetorit të 140-të të Lidhjes së Prizrenit, ndër organizimet politike më të shënueshme të shqiptarëve, Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj e tërhoqi një folëse të paftuar nga foltorja me duar të veta, dhe më vonë e përligji veprimin e tij me kërcënimin e maskuar “nëse ish kanë burrë, e kisha kry edhe ma ndryshe”.

Para disa javësh, deputeti i Vetëvendosjes Adem Mikullovci sugjeroi që të konsultohet Kanuni i Lekë Dukagjinit për formulimin e Kodit të ri Penal, duke ditur se, mes tjerash, Kanuni nuk i lejon gratë t’i lënë bashkëshortët e tyre, i lë burrat t’i lidhin dhe t’i rrahin burrat e tyre, e madje i quan gratë tepricë të shtëpisë.

Edhe pse diskursi seksist në sferën politike të Kosovës s’është gjë e re, një studim i ri i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) mbi pikëpamjet e burrave lidhur me barazinë gjinore e çimenton gjendjen e rëndë të marrëdhënieve gjinore në vend.

Sipas gjetjeve, 30 për qind e burrave mendojnë se një grua nuk është duke u përdhunuar përderisa nuk reziston fizikisht, dhe rreth 37 për qind pajtohen deri diku se ka raste kur gratë meritojnë të rrahen. Për më tepër, më se 40 për qind të burrave pajtohen deri diku se burrat bëjnë seks pa menduar fare, dhe përafërsisht e njëjta përqindje thotë se kurrë nuk do ta kishte një shok gej.

Ndonëse është lehtë të qortohen individët për kësolloj pikëpamjesh të shtrembëruara, fakti se përqindje të larta të burrave nuk e kanë të qartë se ç’është përdhunime dhe mendojnë se gratë vetvetiu meritojnë dhunë fizike mund të jetë vetëm gabim i rrënjosur shoqëror. Shpeshherë, kjo gjë ka burimin te qasja ndaj seksit dhe gjinisë nëpër shkolla.

Meqenëse edukimi seksual mungon tërësisht në nivelet e ulëta të arsimit në Kosovë, vendimi u mbetet arsimtarëve nëse duan të diskutojnë çështje gjinore dhe të seksualitetit me nxënësit e tyre. Përveç biologjisë, ku mësimet për seksin dhe gjininë janë të shkurtra, teknike, dhe të stërmbushura me kukurisje adoleshente, lënda e vetme ku këto dy çështje kanë sadopak prani është edukata qytetare.

Fëmijët në Kosovë i nënshtrohen mësimeve të obligueshme të edukatës qytetare mes klasës së gjashtë dhe të nëntë të shkollës fillore. Parathëniet e këtyre librave thonë se u ofrojnë nxënësve informata mbi identitetin personal, çështjet dhe organizimet shoqërore, ligjet, të drejtat njerëzore, shtetin, e kështu me radhë.

Megjithëkëtë, librat janë përplot me informata të turbullta, përkufizime të diskutueshme dhe mangësi të plotë të përmbajtjes rreth disa temave.

Së pari, seksi biologjik dhe gjinia në këta libra përzihen aq shumë saqë përdoren në mënyrë të ndërkëmbyeshme – në një vend, të drejtave të grave u thuhet “të drejta të femrave”. Në raste tjera, të drejtat e grave përmenden vetëm kalimthi, gjithmonë duke folur për kërkesat e një shoqërie demokratike.

Libri i edukatës qytetare për klasët e nënta thotë “të shumtën viktimizohen pjesëtaret e gjinisë femërore, si të predestinuara për shkak të ndjeshmërisë konstitucionale organike.” Mbase kurrë s’do ta marrim vesh këtë fjali, por kjo sigurisht e shfajëson pavërtetësinë se gratë janë vetvetiu fajtore për dhunën gjinore që ushtrohet ndaj tyre.

Së dyti, gejët, lezbiket dhe komuniteti i gjerë LGBT nuk përmenden asnjëherë, një shmangie flagrante që vetvetiu duket se përbën mohim të ekzistencës së tyre. Për më shumë, “familja monogamike” përkufizohet si “martesa mes burrit dhe gruas,” dhe familjet me një prind quhen “të mangëta dhe të çrregullta”.

Paradoksikalisht, ndër shembujt e vetëm të përmendjes së marrëdhënieve seksuale në të gjithë librat është në atë të klasës së gjashtë; një listë faktesh njëfaqëshe për HIV-in dhe SIDA-n, duke e lidhur këtë sjelle të natyrshme me sëmundje dhe ligësi. Edhe pse e shpjegon saktësisht mënyrën e molepsjes, faqja përmban fjalë si “penetrim”, “kondom”, “sekrecion vagjinal”, etj., të cilat nuk përdoren gjetiu dhe s’shpjegohen në fjalorth, duke ua pamundësuar nxënësve të nxënë ndonjë gjë nga teksti.

Si rrjedhojë, çdo debat për seksin dhe gjininë ose shmanget tërësisht, ose kultivohet ekskluzivisht në hapësira private; thashethemet, keqinformatat dhe ndjenjat e mundshme të pamjaftueshmërisë shpeshherë ndjekin njerëzit deri në moshë madhore, duke i përjetësuar keqkuptimet dhe duke çuar te diskriminimi dhe shtypja.

Edhe pse burimet e problemeve të shënuara në studimin e OSBE-së janë të shumta, librat shkollorë janë hap i mirë fillestar për ta nisur shërimin e problemit.

Sa u përket këtyre ideve dhe koncepteve, disa libra shkasin pak, e të tjerat gremisen tërësisht. Edhe nëse vendosja e edukimit seksual në sistemin shkollor të Kosovës mund të duket cak i largët tash për tash, është thelbësore që të ketë informata të sakta dhe të përshtatshme për seksualitetin dhe gjininë në arsimimin e nivelit fillor.

Prapë, është lehtë të bëhen akuza për konservatizëm dhe inferioritet, por njeriu duhet ta kuptojë se këto probleme janë shpeshherë sistemore, dhe mungesa e ndryshimeve vjen zakonisht si rezultat i injorancës dhe flashkësisë politike. Shpeshherë zihet ngoje kushtetuta si dëshmi i përparimit, por nëse s’ka mund të vazhdueshëm për t’i mishëruar ato vlera, qoftë individualisht, politiksht, apo në sferën akademike, idetë e pathemelta në këta libra do të vazhdojnë të zënë qelb dhe të shkaktojnë plasaritje në shoqërinë tonë.