Ramush Haradinaj duke larguar një zonjë nga foltorja - Foto: Facebook/MimozaKusari

Dy deputetë kritikojnë organizimin ‘skandaloz’ të përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari nga Alternativa dhe Haxhi Avdyli nga LDK-ja kanë kritikuar ashpër organizimin e përvjetorit të 140-të të Lidhjes së Prizrenit.

Mimoza Kusari tha se sot në Prizren në 140 vjetorin e lidhjes shqiptare, u shpërfaqen në mënyrën më brutale, shpërfilljet e Kreut të Kuvendit dhe Kryeministrit para peshës së organizimit përmes dallimeve që i kanë njëri me tjetrin.

“Prej fillimit të organizimit, kur hapet njëra ceremoni nga Kuvendi e cila mbyllet nga Kryetari i Kuvendit dhe kur mysafirët ngriten të shkojnë, reagon Kryeministri dhe na kërkon të ulemi se po fillon ceremonia tjetër e nisur nga Qeveria, duke ia dhënë fjalën Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Ne mysafirët u skuqëm për organizatorët, por vetëm sikur kjo të ishte e tëra”, ka shkruar Kusari në profilin e saj në “Facebook”.

Më tej Kusari ka shtuar se pas presidentit të Shqipërisë Ilir Meta, fjalën e mori një grua jashtë protokollit, e cila ka folur pa mikrofon të ndezur derisa ishte ngritur kryeparlamentari dhe ia ka ndezur mikrofonin.

“Për t’u përcjellë pak minuta pas nga Kryeministri i cili në rolin e truprojës e ngrehu zvarrë gruan nga podiumi. Kryeministri tregoi një aftësi të veçantë këtu, tregoi se ishte më i përgaditur se truprojat e tij”, ka shkruar Kusari.

Në postimin e saj ajo ka vazhduar duke thënë se për ta përdhosur tërë ditën e zisë, të shpallur nga presidenti i vendit, ceremonia e kryeministrit përfshiu edhe muzikë festive nga bendi i FSK-së.

“Sikur të mos dihet çfarë përfshin një ditë zie, cili është protokolli në ditë zie, kë e nderojmë dhe si organizohet kjo ditë”, ka thënë Kusari.

Edhe deputeti tjetër i Kuvendit të Kosovës, Haxhi Avdyli tha se protokolli i ceremonisë së përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit shpërfaqi se si funksionon kjo Qeveri.

“Hashimi shpallë ditë zie, Ramushi thirrë orkestrën. Kadria flet e mbyll ceremoninë, e menjëherë Ramushi thotë uluni e vazhdon duke ia dhënë fjalën Ilir Metës. Kadria ia jep fjalën gruas anonime, Ramushi e ngreh zhag nga skena”, ka shkruar Avdyli në reagimin e tij.

Më tej ai ka treguar që Gani Dreshaj e Arbërie Nagavci ishin ulur në rend të parë, e shefat e grupeve parlamentare në rend të dytë e të tretë  dhe deputetë të ulur në rend të pestë e të gjashtë.

“E krejt kjo, Jahja Lluka e nja 30 këshilltarë e nja 50 bodigarda silleshin si pula pa kry, kinse po mbajmë protokoll”, ka përfunduar Avdyli.

Më herët gjatë ditës KALLXO.com ka shkruar për largimin me dhunë të një gruaje nga foltorja në përvjetorin e 140 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit.

Haradinaj largon me forcë një zonjë nga foltorja

 

10 Qershor 2018 - 20:52

Dorentina Kastrati 10/06/2018 - 20:52
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
Prishtina Insight
    NA NDIQNI

    Send this to a friend