Mikullovci: Ekspertët duhej mbështetur edhe në Kanun në lidhje me Kodin e ri Penal

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adem Mikullovci, pas debatit për Kodin e Ri Penal tha se ky i fundit nuk mund të aplikohet sikurse në Angli e Amerikë.

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri tha se hartimi i këtij Kodi është një nga proceset më demokratike, profesionale dhe gjithëpërfshirëse që ka karakterizuar ndonjë ligj në Republikën e Kosovës.

Ai shtoi se kompletimi i këtij Kodi paraqet një hap të rëndësishëm për Republikën e Kosovës.

Ndërsa, deputeti Adem Mikullovci shtoi se Kanuni ka zgjidhur çështje të cilat asnjë jurist nuk ka arritur t’i zgjidhë.

“Nuk me pëlqeu fort se nuk po i vjen era këtij projekt-kodi shqip. Mendoj se ishte dashur të mbështeten ata ekspertët e juaj zotëri Abelard pak edhe në Kanun edhe në traditën e pleqnarëve. Pleqëria jonë ka zgjidhur konflikte që nuk ka ditur asnjë jurist t’i zgjidhë. Posaçërisht u ndala në dhunën në familje, të kuptohemi dhuna familjare, ky ligj nuk mund të aplikohet si në Angli, Amerikë e tjera vende. Ne jemi tjetër dhe duhet t’u tregojmë që jemi tjetër. Ta marr një shembull, sipas këtij ligji nëse gruaja e padit burrin e burri shkon dy vjet në burg, e kur të kthehet prej burgu a e pret ajo grua në shtëpi, tregomëni? Mandej, le të flasin ata çka të donë, por pa e rreh fëmijën, fëmija nuk bëhet ‘terbije’, kot me tregoni ju mua dhuna në familje. Mendoj që tepër po mundohemi të bëhemi anglez”, tha Mikullovci.