Foto: Pixabay

‘Deepfakes’ dhe taktikat e reja që mund të rrezikojnë integritetin e zgjedhjeve

‘Deepfake’ vazhdon të zhvillohet, madje çdo herë me cilësi më të mirë dhe më bindës, si dhe sa më afër realitetit.

Numri i madh i zgjedhjeve gjatë vitit 2024 në mbarë botën, me të drejtë ngrit shqetësimin për përfshirjen e inteligjencës artificiale në këto procese zgjedhore, gjë që mund të cenojë integritetin e zgjedhjeve.

Manipulimi i votuesve nga ana e ‘Deepfake’ është një nga diskutimet kryesore në shumë vende të botës që po përgatiten për zgjedhje. Rreth 4 miliardë njerëz do t’u drejtohen kutive të votimit në këto zgjedhje në mbi 50 vende të ndryshme.

Janë shprehur shqetësime nga akademikë, gazetarë, shoqëri civile e politikanë lidhur me përdorimin e përmbajtjes së gjeneruar nga inteligjenca artificiale për ndikim politik në procesin e zgjedhjeve.

‘Deepfakes’ apo edhe manipulimet e pabazuara në inteligjencë artificiale, ‘Cheapfakes’, nuk janë të reja, janë rreth nesh tash që një kohë. Megjithatë, që nga shtrirja e ndikimi i ChatGPT në sjelljen e inteligjencës artificiale të një audience më e gjerë, vitin e kaluar, miliarda dollarë janë investuar në kompanitë e inteligjencës artificiale. Nga zhvillimet e fundit në fushën e inteligjencës artificiale, forma të reja të ‘Deepfakes’ tashmë janë më të shpeshta, sikurse audio “Deepfakes’ apo ‘Deepfake’ lajm.

‘Deepfakes’ video dhe masivizimi i tyre

Krahas audio ‘Deepfake’ me protagonistw nga politika, apo ‘Deepfake’ lajm, në botën e internetit vazhdojnë të qarkullojnë edhe video ‘Deepfake’ me personalitete nga fusha të ndryshme.

Shembull i freskët në vendin tonë është videoja e kryeministrit, Albin Kurti duke folur në gjuhën arabe, ‘Deepfake’ i publikuar fillimisht në TikTok, por që ishte shpërndarë edhe në media të tjera sociale, Facebook, Instagram e YouTube, vetëm për të arritur mijëra shikime.

Më herët, gjatë vitit të kaluar ishte bërë virale edhe videoja erotike që imiton prezantuesen e njohur shqiptare, Luana Vjollca, duke vendosur fytyrën e saj në një trup tjetër me përdorimin e inteligjencës artificiale.

Rreth dy vite më herët ishte publikuar edhe ‘Deepfake’ i Elon Musk që flet në gjuhën shqipe. Këta shembuj, ndër vite, tregojnë se shoqëria e Kosovës i është ekspozuar kohë pas kohe këtyre video-mashtrimeve dhe reagimet ndaj ‘Deepfakes’ në rastin e kryeministrit  Kurti apo në rastin e  Vjollcës, shpërfaqin mungesën e gjykimit kritik ndaj përmbajtjeve mediale tw një pjesë e shoqërisë që manipulimet e tilla i merr për të vërteta. Rrjedhimisht, sensibilizimi i shoqërisë për këtë fenomen është domosdoshmëri.

‘Deepfakes’ Audio, më lehtë dhe më lirë sesa ‘Deepfakes’ Video

Zhvillimi i programeve që lehtësojnë prodhimin e këtyre manipulimeve, posaçërisht të ‘Deepfakes’, ka shumëfishuar përdorimin e inteligjencës artificiale për të prodhuar ‘Deepfakes’ që targetojnë publikun. Madje, tani përveç manipulimit me video, janë shtuar rastet kur prodhohen audio ‘Deepfake’, që është edhe më lehtë të prodhohet.

Manipulime të tilla po përdoren në procesin zgjedhor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç ishte rasti me audio ‘Deepfake’ të presidentit amerikan, Joe Biden, që ishte shpërndarë në New Hampshire duke iu kërkuar njerëzve të mos votonin në zgjedhjet paraprake të shtetit dhe ky audio ‘Deepfake’ shkoi në më shumë se 20,000 njerëz.

Personi që qëndron pas këtij manipulimi dhe pagoi 150 dollarë për ta prodhuar atë audio, Steve Kramer, deklaroi se e bëri atë si një lloj mosbindjeje civile për të tërhequr vëmendjen ndaj rreziqeve që lidhen me inteligjencën artificiale në politikë dhe për të tërhequr vëmendjen ndaj domosdoshmërisë së rregullimit ligjor për inteligjencën artificiale.

Një shembull tjetër që mund të kishte implikime serioze politike dhe shoqërore ishte audio ‘Deepfake’ e kryebashkiakut të Londrës, Sadiq Khan. Në këtë audio ‘Deepfake’, në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, Khan u bë viral për fyerjen e Ditës së Armëpushimit (një festë për të shënuar momentin kur mbaroi Lufta e Parë Botërore) dhe duke kërkuar që marshimet pro-palestineze të kenë përparësi.

Përhapja e lajmeve ‘Deepfake’ vs lajmeve të vërteta

Tashmë nuk flitet vetëm për ‘Deepfake’ të politikanëve, sepse së voni, virale në media sociale janë bërë ‘Deepfake’ të lajmeve. Pra, krijimi i lajmeve duke përdorë ‘Deepfake’ të moderatorëve apo gazetarëve të njohur për ngjarje inekzistente dhe shpërndarja e tyre në media sociale.

Madje, në disa raste, një ‘Deepfake’ lajm ka arritur numër më të madh të shikimeve se sa lajmet e vërteta të shpërndara nga e njëjta medie. Kjo ka rritur shqetësimet se inteligjenca artificiale do t’i kthejë zgjedhjet e vitit 2024 në një kaos, shqetësime që janë përkeqësuar më tej nga rritja e ‘Deepfakes’ që përdoren si lajme legjitime.

 

Një iniciativë kolektive kundër mashtrimeve të krijuara nga IA-ja

Në ditët e sotme, duke përdorë softuerë të thjeshtë dhe gjerësisht të qasshëm të inteligjencës artificiale, pothuajse çdokush mund të krijojë audio ose video të njerëzve  të famshëm ose të njerëzve të zakonshëm që veprojnë dhe flasin në mënyra që kurrë nuk do t’i kishin bërë.

Të drejtat e njeriut, zërat dhe imazhet e të cilëve përvetësohen, do të duhet të mbrohen më seriozisht. Kompanitë e mëdha të teknologjisë janë bashkuar në një përpjekje historike për të ndaluar aplikimin e keqpërdorimit të IA-së në zgjedhjet e ardhshme në të gjithë botën.

“Marrëveshja teknike për të luftuar përdorimin mashtrues të IA-së në zgjedhjet e vitit 2024”, e cila u shpall në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, sheh 20 aktorë të mëdhenj, duke përfshirë Adobe, Google, Microsoft, OpenAI, Snap Inc. dhe Meta, që angazhohen për të përdorur teknologjinë më të fundit.

Teknologji kjo, që synon të zbulojë dhe të luftojë përmbajtjet e dëmshme të gjeneruara nga inteligjenca artificiale, e që synojnë të mashtrojnë votuesit dhe gjithashtu, që synojnë të mbështesin përpjekjet për të nxitur ndërgjegjësimin e publikut, edukimin medial dhe qëndrueshmërinë e të gjithë shoqërisë.