Analizë e Rezultateve: Të Aplikohet Shembulli i Maqedonisë

Skenari tashmë është ky, PDK me 14 partitë tjera (përfshi AAK-në) kanë dalë të parët në zgjedhje. Për shkak të popullaritetit të ulët, nuk kanë as afërsisht mjaftueshm ulëse për ta formuar qeverinë pa koalicion me ndonjë parti tjetër shqiptare (u nevojiten afërisht 47, kurse i kanë rreth 40). Në vendin e dytë është Vetëvendosje e vetme, kurse në vendin e tretë LDK së bashku me 4 parti të tjera. Tash, Presidenti Hashim Thaçi e mandaton Ramush Haradinajn për kryeministër, ky nuk arrin t’i marrë votat e mjaftueshme (sepse as VV, e as koalicioni i LDK-së nuk pranojnë të hyjnë në koalicion të gjerë me të). Presidenti ia jep edhe një mundësi të dytë PDK-së për formim të qeverisë, përsëri nuk i marrin votat e duhura. Pra, dy herë nuk formohet qeveria. A e dini çka ndodh në këtë rast?

Vendi shkon në zgjedhje brenda 40 ditësh.

Por, para se të shkojë vendi në zgjedhje, pika 94 e aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese për mandatimin e kryeministrit thotë se “Presidenti duhet të ruajë stabilitetin e vendit dhe të gjejë kritere mbizotëruese për formimin e qeverisë së re”.

Pra, Presidenti i Republikës e ka obligim kushtetues të shmangë me të gjitha format ligjore zgjedhjet e reja, së këndejmi është i detyruar që t’ia japë edhe opozitës mundësinë për formimin e qeverisë. Por duke e ditur se Hashim Thaçi është President, s’do të çuditesha nëse më parë do të shkonim në zgjedhje të reja, edhe nëse kjo nënkupton shkelje flagrante të kushtetutës.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, Presidenti ka të drejtë të mandatojë dy kandidatë një mbas një për kryeministër, nëse asnjëri s’i marrin votat e mjaftueshme për të formuar qeverinë, atëhere shteti shkon në zgjedhje të reja. Neni 95, pika 4 e kushtetutës thotë: “Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.”

Por aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese pas ngërçit në vitin 2014, gjithashtu ia jep të drejtën Presidentit që prej qejfit të tij të dy herat t’ia japë të njejtës parti mandatarin për kryeministër. Edhe pse më pas në aktgjykim e penalizon këtë qejf me “ruajtje të stabilitetit” dhe “shmangie të zgjedhjeve”.

Për më shumë, pika 1 e nenit 95 të kushtetutës thotë qartazi se “[p]as zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar qeverinë.”

Pra mandati duhet t’u jepet atyre që kanë “fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar qeverinë”. Por (e ky është një POR i madh) në vendimin e tyre tendencioz (që dikush mund të besonte se është shumë i influencuar nga politika ditore e shtyrë nga PDK) Gjykata Kushtetuese këtë fjali në kushtetutë e ndryshon plotësisht duke e interpretuar kësisoj:
“Sa i përket pikës (ç) e nevojshme për të formuar qeverinë, gjykata konsideron se shprehja “[e nevojshme] për të formuar qeverine” do të thotë se partia politike ose koalicioni që duhet të konsultohet është ai që ka vende të mjaftueshme në Kuvend për të formuar shumicën. Pra, se a do të ketë partia politike ose koalicioni votat e nevojshme për formimin e qeverisë do të përcaktohet nga votimi në Kuvend. “

Sipas Gjykatës Kushtetuese, Presidenti s’ka mundësi të dijë paraprakisht herën e parë kush i ka numrat për të formuar qeverinë, ani pse ne (dhe secili qytetar i Kosovës) e dimë që ekzistojnë mënyra shumë legjitime të verifikimit të numrave (p.sh. në Maqedoni kërkonin nënshkrimet e deputetëve).

Por janë pika 93 dhe 94 e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që japin shpresë për zgjidhje ligjore të këtij problemi. Sipas këtyre pikave, Presidenti është i obliguar të gjejë modus të veprimit që shmangin zgjedhjet e reja si dhe është i obliguar ta zgjedhë një kandidat tjetër për kyeministër për ta arritur këtë kusht.

Pika 93- “gjykata rithekson se neni 95, paragrafi 4, i kushtetutës kërkon që të ketë një kandidat tjetër për Kryeministër, por e Ië të hapur çështjen se cilës parti, ose cilit koalicion do t’i jepet mandati për të propozuar kandidatin për Kryeministër.”

Pika 94-  “Pasi që sipas kushtetutës, Presidenti i Republikës përfaqeson shtetin dhe unitetin e popullit, është pergjegjësi e Presidentit të ruajë stabilitetin e vendit dhe të gjejë kritere mbizotëruese për formimin e qeverisë së re, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet.”

Pra, teknikisht, Presidenti herën e PARË duhet t’ia japë mundësinë partisë së parë në Kuvend, por herën e DYTË duhet t’ua japë atyre që e kanë dëshminë se mund të formojnë qeverinë dhe kështu të shmangin zgjedhje të reja.

Personalisht, jam i prirur të besoj që Thaçi si president i vendit s’do ta bëjë gabimin që të mundohet me çdo kusht që t’ia japë mandatin e kryeministrit ish-partisë së vetë. Pra, Thaçi s’do të guxonte ta shkelte Kushtetutën.

Në rast se e bënë këtë gabim, duhet të bëhemi gati si qytetarë, institucione dhe parti që të bëjmë presionin e duhur për të mos e lejuar shkeljen e Kushtetutës. Duhet të jemi të gatshëm edhe të kampojmë para zyrës së Presidentit nëse duhet.