Lajmet e rreme - Foto: REL/Shutterstock

Lajmet e rreme dhe dezinformimi – fenomen apo dukuri?

Në Kosovë dezinformimi ose lajmet e rreme, viteve të fundit janë duke pasur vëmendje të veçantë dhe veçanërisht pasi që edhe numri i mediave online çdoherë e më shumë është në rritje.

Lajmet e rreme në Kosovë shumë herë janë cilësuar si një problem i jashtëm, dhe vëmendja që i kushtohej ishte e vogël, nuk merrej me mend se ky lloj fenomeni mund të burojë edhe nga brenda Kosovës.

Mediave të ndryshme online të cilat i shpërndajnë lajmet e tyre përmes rrjeteve të ndryshme sociale, duke përfshirë këtu; Facebook, Twitter, YouTube dhe Instagram, shumë herë u është bërë thirrje për të luftuar përhapjen e informacionit të rremë.

Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), 96.1 për qind e popullsisë së Kosovës në vitin 2021 kanë pasur qasje në internet nga shtëpia, nga çfarëdo pajisje; telefoni celular, kompjuteri desktop, laptopi dhe tableti, nga kjo shifër kaq e madhe e qasjes në internet dhe duke jetuar në epokën e zhvillimit të hovshëm të medias online në Kosovë, thuajse secili qytetar mund të jetë i ekspozuar para çfarëdo lajmi që mund të ketë edhe përmbajtje me çrregullim të informacionit.

Periudha e përhapjes së pandemisë COVID-19, ishte një nga periudhat e cila nxori në pah se dezinformimi dhe lajmet e rreme ekzistojnë në shkallë alarmante edhe kur bëhet fjala për aspektin shëndetësor e jo vetëm atë politik.

Në Kosovë gjatë kësaj periudhe numri i lajmeve të publikuara që kanë të bëjnë me pandeminë COVID-19, ka qenë frikshëm i madh, veçanërisht ato të përkthyera nga mediat ndërkombëtare, ku shumë herë ishin lajme me përmbajtje jo të vërtetë, lajme të shtrembëruara dhe të nxjerra jashtë kontekstit.

Për luftimin e këtyre lajmeve, në atë periudhë të pandemisë edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kishte filluar të marrë masa të rrepta për ndalimin e rritjes së informacioneve të rreme dhe atyre ç’orientuese.

Për këtë mani të lajmeve me ç’rregullim të informacionit mund të ketë shumë indikator, nëse bazohemi në raportin “Keqinformimi, dezinformimi dhe lajmet e rreme në mediat online në Kosovë”, të publikuar nga Këshilli  i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), njëri nga indikatorët është mungesa e kapaciteteve profesionale dhe moskujdesi karshi informacionit të saktë pasi që një numër i mediave online nuk kanë kapacitete të mjaftueshme njerëzore për t’u marrë aq sa duhet me informacionin, duke bërë që informacioni që plasohet shpesh të jetë jo i plotë dhe jo i verifikuar si duhet.

E njëjta është duke ndodhur edhe me lajmet që është duke u raportuar për konfliktin Ukrainë – Rusi. Duke u bazuar në hulumtimin e Instituti D4D: “Raportimi i lajmeve nga portalet online -rrjetet sociale dhe ndikimi tek publiku”, përhapja e artikujve dhe postimeve me ç’rregullime të informacionit në shumicën e rasteve janë nga artikujt që janë huazuar nga media dhe llogari të rrjeteve sociale të huaja.

Verifikimi i fakteve është thelbësor për gazetarinë profesionale, ashtu si dhe nevoja për forcimin e mekanizmave të kontrollit përbrenda redaksive, si masë parandaluese për lajmet e rreme dhe dezinformatat.

Mund të them që lajmet jo të vërteta nuk janë një fenomen vetëm i kohës së sotme. Ato janë përdorur prej kohësh për të dëmtuar kundërshtarët politik, për të destabilizuar shoqëritë. Mirëpo, ditëve të sotme, zhvillimi i teknologjisë dixhitale e ka lehtësuar përhapjen e shpejtë të lajmeve që kanë ç’rregullim të informacionit, pasi që, secili mund lehtësisht të shpërndajë dezinformatë, ndoshta edhe pa qëllim. Andaj bazuar në këto zhvillime ka ndikuar edhe rënia e besimit tek mediat dhe qeveritë.

Ka akterë të ndryshëm që mund të ndërmarrin veprime më efektive që kontribuojnë në forma të ndryshme për luftimin e dezinformimit dhe keqinformimit në shoqërinë kosovare, por nëse flasim në përgjithësi, dezinformimi aktualisht po hulumtohet, pavarësisht përhapjes.

Rënia e besimit tek lajmet dhe mediat në përgjithësi shënon po ashtu një rënie edhe në konsumimin e lajmeve për shkak të një prirje negative të lajmeve. Bazuar në këtë, gazetaria dhe shoqëria në përgjithësi duhet të pyes se si të ndërtohet besimi dhe si të përmirësohet imazhi negativ i medias. Andaj fokusi më i theksuar duhet të jetë promovimi i gazetarisë dhe medias lokale.