Ministria e Kulturës synon që në hapësirat e "Rilindjes" ta themelojë Muzeun e Artit Bashkëkohor

Këshilli iniciues për themelimin e Muzeut të Artit Bashkëkohor (MAB) dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit po shqyrtojnë opsione të ndryshme për lokacionin ku do të ngrihet ky Muze.

MKRS dhe këshilli iniciues kanë thënë për KALLXO.com se objekti i ish-ndërmarrjes “Rilindja”, përkatësisht një pjesë e tij, është një prej propozimeve që aktualisht po shqyrtohet.

Por, një propozim përfundimtar lidhur me caktimin e lokacionit do të jetë gati në fund të muajit maj. 

Nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), e cila ka në përgjegjësi hapësirën e ish- ndërmarrjes “Rilindja”, kanë thënë për KALLXO.com se nuk kanë marrë ndonjë kërkesë nga MKRS për ish- ndërtesën e “Rilindjes” si vend ku do të themelohej Muzeu.  

“Në Divizionin për Planifikim dhe Standarde të DSPIMNQ/MPB nuk ka ardhur një kërkesë e tillë”- thuhet në përgjigjen e MPB-së për KALLXO.com.

Megjithatë, nga kjo Ministri thonë se synimi është që në hapësirat e ish-”Rilindjes” të akomodohen institucione të Republikës me qëllim të kursimit të parasë publike, duke i larguar nga ndërtesat me qira. 

Sipas MKRS-së, lokacioni i Muzeut të Artit Bashkëkohor do të përcaktohet nga këshilli iniciues i Muzeut.

Ndërsa, Yll Rugova, kryesues i këshilli iniciues për themelimin e Muzeut, ka thënë për KALLXO.com se në fund të majit do të dërgohet një propozim përfundimtar që në objektin e “Rilindjes” të themelohet Muzeu i Artit Bashkëkohor. 

“Ne si këshill e kemi dërgu rekomandimin tonë në MKRS për ‘Rilindjen’. Tash jemi në proces e sipër të përpilimit të propozimit të zgjeruar të cilin e dorezojmë diku në fund të majit”- ka thënë Rugova.  

Këshilli iniciues i Muzeut të Artit Bashkëkohor është themeluar me vendim të ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, gjatë vitit të kaluar.

Detyra e këtij këshilli prej 9 anëtarëve është konceptimi, themelimi dhe funksionalizimi i Muzeut të Artit Bashkëkohor si institucion kombëtar i kulturës. 

Ideja për bërjen e Muzeut të Artit Bashkëkohor ka nisur qysh më 2006, por deri më sot MKRS ka dështuar ta themelojë.