Yll Rugova, Zv. Kryesues i bordit të Manifestës

Rugova: "Manifesta 14", mundësi që publiku ta shijojë artin bashkëkohor

Yll Rugova, kryesues i Këshillit iniciues për themelimin e Muzeut të Artit Bashkëkohor të Kosovës dhe zëvendëskryesues i bordit të “Manifesta”-s, tha gjatë emisionit “Kallxo Përnime” se mbajtja e kësaj bienaleje në Prishtinë është një mundësi e mirë për ta ofruar publikun kosovar me artin bashkëkohor.

Rugova tha se arti bashkëkohor është trajtuar pak në mënyrë institucionale në Kosovë.

“Prandaj është me rëndësi që ta përdorim ‘Manifesta’-n si platformë që artin bashkëkohor me e sjell te secili banor i Kosovës, e pastaj përmes saj të nisim që të kemi edhe ne koleksionin tonë të artit bashkëkohor” – tha ai.

Ai tha se Muzeu i Artit Bashkëkohor duhet të themelohet mbi praktikat e vendeve që tashmë e kanë të zhvilluar këtë art.

Rugova foli edhe për fillet e para të artit bashkëkohor kosovar qysh në vitin 1937 dhe koleksionin e Muzeut të Kosovës.