Shteti me vetëm 2 inspektorë që mbikëqyrin shërbimet sociale

 

Shteti i Kosovës ka vetëm dy inspektorë të cilët kanë në portfolion e tyre inspektimin e cilësisë së organizatave që ofrojnë ndihmë dhe shërbime sociale për komunitetin.

Konventa e Stambollit kërkon që viktimat e dhunës në baza gjinore të marrin trajtim të nevojshëm dhe mbrojtje sociale nga shteti dhe mekanizmat e organizimit të komunitetit apo shoqëria civile.

Në pako hyjnë edhe këshillimet psikologjike apo shërbimet e tjera sociale si këshillimi dhe trajtimet post-traumatike.

Vendi ka ndërtuar një bazë ligjore e cila i licencon të gjitha organizatat që ofrojnë shërbime sociale mirëpo një hulumtim i BIRN zbardhë se Ministria e Drejtësisë nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të kryer monitorimin e punës së organizatave.

Pikërisht instrumenti i parë ligjor në Evropë që specifikon standarde me qëllim të parandalimit të dhunës gjinore Konventa e Stambollit thekson rolin e rëndësishëm të shoqërisë civile në ofrimin e shërbimeve thelbësore për ata që përjetojnë dhunë, rritjen e ndërgjegjësimit dhe ndihma për të ndryshuar qëndrime dhe për të krijuar një kulturë me tolerancë zero ndaj dhunës gjinore.

Inspektimi i shërbimeve sociale dhe familjare bëhet sipas Planit Vjetor të Punës (inspektime të planifikuara dhe inspektime të jashtëzakonshme) në QPS, OJQ dhe subjekte juridike private.

Ministria e Drejtësisë në përgjigjen e saj elektronike dërguar Kallxo.com bën me dije se kapaciteti i zyrtarëve për inspektim është i vogël (2 zyrtarë), mirëpo një ndër prioritete e Ministrisë është edhe rritja e numrit të zyrtarëve për inspektim.

“Po ashtu, me Ligjin e ri për Shërbime Sociale dhe Familjare, i cili është në fazën finale të draftimit dhe planifikohet të miratohet brenda këtij viti, inspektimi do të fuqizohet me dhënien e kompetencave ekzekutive. Kjo do të ndikojë në rritjen e llogaridhënies së zyrtarëve karshi përfituesve të shërbimeve sociale” – shprehen zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë.

Një segment tejet i rëndësishëm në rrafshin e ofrimit të shërbimeve sociale, është inspektimi i tyre nga organet e shtetit.

Nga zyra për komunikim e Ministrisë së Drejtësisë thonë se inspektimi i shërbimeve sociale dhe familjare bëhet sipas Planit Vjetor të Punës (inspektime të planifikuara dhe inspektime të jashtëzakonshme) në QPS, OJQ dhe subjekte juridike private.

Ata ankohen për numrin e vogël të zyrtarëve, aktualisht vetëm 2 zyrtarë, mirëpo një ndër prioritete e Ministrisë është edhe rritja e numrit të zyrtarëve për inspektim.

E pikërisht Ligji i ri që u përmend më herët, sipas përgjigjes së Ministrisë do të fuqizojë inspektimin me dhënien e kompetencave ekzekutive. Kjo pritet të ndikojë në rritjen e llogaridhënies së zyrtarëve karshi përfituesve të shërbimeve sociale.

Si problem të përgjithshëm Qendrat publike të ndihmës sociale e identifikojnë mungesën e psikologëve që funksionojnë si staf i Qendrave, madje një qendër nuk ka fare psikolog klinik.

OJQ-të që ofrojnë këto shërbime në anën tjetër përballen me financim të paqëndrueshëm dhe bashkëpunime afatshkurtra këto edhe në mungesë të strategjive për tërheqjen e donatorëve.

Në një përgjigje zyrtare nga OJQ “Linja e Jetës”  thuhet se në vitin 2021 mbështetja për Linjën e Jetës ka qenë rreth 50,000 EUR, ndërsa në vitin 2022 (kur konsiderojnë se kanë qenë në rrezik për mbyllje) ka qenë rreth 20,000 EUR.

Sipas tyre buxheti i qëndrueshëm është pjesë e pamundësisë për të siguruar shërbime në nivelin të cilat është e nevojshme për qytetarët.

Megjithatë këtë vit duket se OJQ-ja e ka nisur mbarë duke siguruar buxhet minimnal prej 40,000 EUR të cilin e shohin si themel edhe për vite tjera nga i njëjti donator.

Kjo organizatë mbështetet financiarisht nga CDF dhe Ministria e Shëndetësisë dhe gjithashtu ka pranuar donacione nga NLB Banka dhe American Chamber of Commerce in Kosovo.

Një mbështetje më ndryshe e kanë realizuar nga fondet direkte të përfituara nga qytetarët të cilët i janë përgjigjur Linjës në kohë kur vjet e njëjta ishte në rrezik mbylljeje.

Nga ekipi tregojnë se në vazhdimësi i drejtohen Ministrisë së Shëndetësisë për mbështetje financiare. Nga Ministria ata kanë arritur të sigurojnë 9,400 EURO çka për ta është e pamjaftueshme. Kjo organizatë nuk ka një strategji konkrete për të tërhequr donatorë qoftë të huaj apo vendorë por konsideron që ajo që ju ka sjellë më së shumti mbështetje financiare ka qenë zëshmëria , standardi i punës dhe mbështetja nga shoqëria civile. Krejt kjo mund të përkthehet me bashkëpunimin afatgjatë të ndërtuar me CDF-në, për të cilin shprehen se janë optimist se do të vazhdojë.

OJQ “Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore” shprehet se posedon një buxhet të variueshëm nga 30,000 deri më 80,000 EURO. Donatorët të organizatës janë: MASHTI, MKRS, Komunat specifike (p.sh. Komuna e Prishtinës, Komuna e Gjilanit), Këshilli i Evropës, etj… Ata treguar se po ashtu shërbehen financiarisht nga linja e rregullt buxhetore e shtetit e cila shtrihet përgjatë një viti fiskal gjatë të cilit kanë të ardhura prej 23,260 EURO. Për momentin, ata nuk kanë një strategji specifike për të tërhequr donatorë privatë apo të huaj por janë duke e “eksploruar” një të tillë. Organizata konfirmon se ka dhe ka pasur shumë bashkëpunime por fatkeqësisht pa arritur të krijohet një bashkëpunim afatgjatë.

Nga KRTC – Qendra Kosovare e Rehabilitimit për Viktimat e Torturës e cila merret me një kategori tejet specifike dhe të ndjeshme të viktimave me bazë gjinore atë të të mbijetuarave nga dhuna seksuale nga koha e luftës shprehen se 98% të financimit për punën e tyre përkatësisht rehabilitimin psikologjik dhe fuqizimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale nga koha e luftës e realizojnë përmes donatorëve ndërkombëtare. Ata nuk japin të dhëna të sakta se sa është buxheti i tyre vjetor dhe tregojnë se këtë vit nuk kanë përfituar nga buxheti i shtetit, por tregojnë se kanë bashkëpunime të qëndrueshme të financimit – përkundër faktit se ju mungon një strategji për tërheqjen e donatorëve.

Qendrat shtetërore dhe organizatat e shoqërisë civile janë pyetur nëse kanë një institucion publik, apo organ të jashtëm që ua monitoron shpenzimet.

Të gjitha qendrat kanë konfirmuar se konform praktikës së rëndomtë janë subjekt i auditimit të brendshëm dhe të jashtëm.

Kurse, monitorimi tek OJQ-të ndryshon nga rasti në rast.

Nga Linja e Jetës nuk kanë një subjekt monitorues ndonëse ata kanë kërkuar vazhdimisht nga Ministria e shëndetësisë  që në kuadër të bashkëpunimit të ketë edhe monitorim të cilësisë së shërbimeve tona dhe të shpenzimeve në mënyrë që të krijohet besueshmëri afatgjatë. Momentalisht ky dikaster qeveritar monitorim vetëm shpenzimet e fondeve të cilat ua kanë ofruar në kuadër të procesit të grantimit për këtë vit.

OJQ “Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore” kanë treguar se kanë disa subjekte që ua monitorojnë shpenzimet, përfshirë: Administratën Tatimore të Kosovës, donatorët që financojnë projektet e caktuara dhe auditorët e jashtëm varësisht nga projekti.

KRTC tregon se modeli i tyre i llogaridhënies përfshin raportimet vjetore tek Departamenti për OJQ, donatorët dhe auditorët e pavarur.

Të gjitha QPS-të janë të vendosura në objekte komunale, pa pagesë, ku deklarohen se kanë hapësirë të mjaftueshme dhe kushte të mira pune. Por fatkeqësisht këto objekte në të shumtën e rasteve nuk janë të qasshme për persona me aftësi të kufizuara dhe edhe kur në raste të limituara si në rastin e QPS-së në Gjakovë posedojnë lifte, asnjëra qendër nuk posedon lifte apo sinjalistikë për të shurdhër.

Nga “Linja e Jetës” treguan se objekt në pronësi të vetën nuk kanë, mirëpo NPB (Ndërmarrja Publike Banesore) në Prishtinë u ka siguruar zyre.

“Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore” dhe KRTC po ashtu nuk kanë një pronë në pronësi ku zhvillojnë aktivitetet por operojnë në një objekt me qera.

Të pyetura për qasshmërinë e objekteve tyre nga ana e personave me nevoja të veçanta, organizatat “Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore” dhe KRTC kanë treguar se janë të vendosura në objekte që garantojnë komoditet për ketër kategori të shoqërisë. Ku e para ka treguar se posedon edhe lift edhe sinjalistikë adekuate, kurse KRTC ka konfirmuar vetëm posedimit e lifit. Kurse “Linja e Jetës” është shprehur se objekti i tyre nuk plotëson këto kërkesa.

Të gjitha Qendrat funksionojnë në bazë të këtyre ligjeve: Ligji i familjes, Ligji i shërbimeve sociale dhe familjare (përfshirë plotësim-ndryshimin e ligjit, Ligji për mbrojtje te fëmijës, Ligji i familjes, Ligji i shërbimeve sociale dhe familjare (përfshirë plotësim-ndryshimin e ligjit,) Ligji për mbrojtje te fëmijës. Kurse jo të gjitha kanë deklaruar se e kanë aktin e brendshëm, Statutin.

Konkretisht QPS-ja respektive në Prishtinë, Ferizaj dhe Mitrovicë kanë treguar se e përmbushin këtë kërkesë.

 

Rregulloret e QPS-ve kanë mandat t’i nxjerrin Kuvendet Komunale, por rëndom Qendrat nuk kanë rregullore që do të adresonin aspekte të veçanta siç është konfidencialiteti i palëve, etj…

 

OJQ-të e konsiderojnë shëndetin mendor një fushë juridikisht të ngecur.

Kurse nga aspekti organizativ ka fare pak legjislacion shtetërorë pozitiv që i adreson saktësisht shërbimet psikologjike.

Një numër i madh po ashtu përmendim limitimet buxhetore kur vjen puna tek angazhimi i specialistëve juridik.

Nga “Linja e Jetës” shprehen se realisht nuk kanë ndonjë akt ligjor mbi të cilin mbështetet shërbimi i Linjës së Jetës. Ata e përmendin Rregulloren Nr. 50, Planin Kombëtar i Numeracionit nga ARKEP i cili mundëson krijimin e një linje për mbështetje psikologjike dhe e ndanë një numër të veçantë për të. Megjithatë ata presin që kjo të krijohet nga, apo në koordinim me, institucionet publike dhe jo në baza vetanake nga ata si OJQ apo çfarëdo OJQ-je tjetër. Kurse referuar infrastrukturës së brendshme nga ojq-ja janë shprehur se aplikojnë këto rregullore: Protokolli i marrëdhënieve ndër-kolegiale; Politikat e punësimit; Politikat e Etikës dhe Sjelljes; Politikat kundër diskriminimit; Kodin e mirësjelljes në hapësirë. Sa i përket konfidencialitetit, në përgjigjen elektronike është bërë e ditur se ajo rregullohet në kuadër të kontratave të punësimit në staf, konkretisht Aneksin e konfidencialitetit. Për hir të transparencës dhe korrektësisë po e bashkëngjis në e-mail.

“Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore”  funksionin dhe ofrimin e shërbimeve, pohon se e kryen në bazë të disa akteve juridike/administrative publike që rregullojnë fushën e shëndetit mendor dhe aspektin organizativ, si: Ligji për Shëndetësi, Ligji për Shëndet Mendor, Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Ligji për Shërbime Sociale Ligji, Ligji për Barazi Gjinore, Ligjin për të Drejtat  dhe  Përgjegjësitë e Qytetarëve  në  Kujdesin Shëndetësor,  Kodi penal, Karta e të Drejtave dhe përgjegjësit e Pacientëve, Udhëzimi Administrativ, Udhëzimi Administrativ për shërbimin profesional të Shëndetit Mendor.

Ata po ashtu shprehen se kanë një infrastrukture të brendshme të kompletuar.

Stafi i KRTC-së përmend bazën e përgjithshme ligjore për funksionim përfshirë: Ligjin për OJQ, Ligjin e punës, si dhe ligjet tjera të aplikueshme. Por ata tregojnë se posedojnë edhe infrastrukturë të brendshme duke përfshirë: statutin e organizatës, rregulloren e brendshme dhe strategjinë.

Të gjitha QPS-të unanimisht deklarohen se posedojnë staf kompetent për ofrimin e ndihmës psikologjike, kjo e diktuar edhe nga kërkesat e Ligjit për Zyrtarë Publik i cili paraqet bazën rekrutuese. Por, asnjë qendër nuk është e kënaqur me numrin e punonjësve duke konsideruar se kanë nevojë për më shumë staf për të përmbushur të gjitha kërkesat.

KRTC bënë të ditur se ka të punësuar 10 psikologë dhe nuk ka kurrfarë nevoje për ndihmë të stafi, ata gjithashtu tregojnë se kanë staf tërësisht kompetent për të ofruar shërbime psikologjike.

Linja e Jetës po ashtu konsideron se ka staf të mjaftueshëm të kualifikuar por thekson se mënyra e ofrimit të ndihmës psikologjike nga ana e tyre e cila është me anë të telefonit dhe jo afatgjate ua lejon rekrutimin në cilësi të operatorëve çdo person të rritur me pikëpamje pranuese, joparagjykues e empatik.

Zyrtarët e “Qendrës për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore” po ashtu kanë shprehur bindjen e tyre për kompetencën e stafit por në linjë me planet e tyre për zgjerimin e shërbimeve drejtuar komunitetit ata kanë treguar se kanë nevojë për rritje të numrit të stafit.

QPS-të tregojnë se kanë bashkëpunime të mira me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” por edhe me Universitete të tjera publike, konkretisht Departamentin për Punë Sociale, përmes së cilave angazhojnë praktikantë. Këto bashkëpunime vlerësohen të jenë dyanshëm të frytshme. Në QPS shpesh angazhon edhe vullnetarë nga OJQ të ndryshme.

Linja e Jetës tregon se pothuajse e gjithë puna e tyre mbahet nga kontributi i vullnetarëve, gjë e cila sipas tyre sipas tyre ndjek trendët botërore kur vjen puna tek shërbimet për shëndetin mendor.

KRTC tregon se ka realizuar bashkëpunime me Universitete të ndryshme por momentalisht nuk ka të angazhuar vullnetarë.

QPS-të deklarohen se rastet më të shpesh që paraqiten për ndihmë janë ato të referuara nga QMF-të, rastet kur viktimat drejtohen vullnetarisht dhe ndonjëherë edhe me rekomandimin e Policisë.

Linja e Jetës tregon se viktimat gjithmonë drejtohen vetë.

Kurse KRTC ka treguar se viktimat e luftës tek ta janë drejtuar me vullnet privat apo me rekomandimin e institucioneve shtetërore ose organizatave partnere.

Asnjë nga subjektet e përfshira në hulumtim nuk ka treguar të kenë kthyer mbrapsht apo të mos kenë pranuar ndonjë viktimë të dhunës gjinore pa  marrë parasysh çfarëdo rrethane.

Një prej dimensioneve më të rëndësishme të ofrimit të cilitdo shërbim përfshirë atij psikologjik është patjetër cilësia. Që të arrihet kjo e fundit, kërkohen standarde dhe mekanizma mbikëqyrës.

Nga QPS në Prishtinë në përgjigjen e tyre tregojnë se cilësinë e shërbimeve psikologjike e masin përmes raporteve dhe monitorimit te ofrimit te shërbimit. Kurse impaktin nuk e masin.

Kurse në përgjigjen nga QPS në Ferizaj thuhet se nuk kanë një mekanizëm mbikëqyrës, por cilësinë e masin duke vërejtur që viktimat nuk riviktimizohen, pra në shumicën e kohës rastet, sipas tyre, nuk ju riadresohen si recidive.

Kurse në mungesë të psikologut të licencuar klinik, QPS-ja në Gjakovë në përgjigjen me e-mail bënë të ditur se nuk bënë matje dhe vlerësim të ndihmës psikologjike.

Edhe QPS-ja në Pejë ngjashëm me atë në Ferizaj e shfrytëzon kontaktin verbal dhe përcjelljen e rastit me seanca të një pas njëshme për të matur efektet dhe cilësitë e ndihmës psikologjike që ofron.

QPS-ja në Mitrovicë deklarohet se vetëm Psikologët respektiv që trajtojnë rastin mund të konstatojnë për progresin apo regresin e marrësve të shërbimit.

“Linja e Jetës” tregon se matjen e cilësisë e bënë me anë të mbikëqyrësve, të cilët vlerësojnë nivelin e kualitetit të punës pas çdo thirrje. Kjo pastaj i ndahet trajnerëve, të cilët e kanë një databazë me çdo feedback mbi secilin vullnetar aktiv tek ne, në bazë të së cilës punojnë me ta më tutje në mënyrë që të përforcohen pikat e forta dhe të largohen pikat e dobëta. Thirrësit në organizatë janë anonim dhe nuk mund të kërkojmë feedback prej tyre më tutje.

“Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore”, deklaron se në këtë organizatë, cilësia e ndihmës psikologjike vlerësohet dhe monitorohet përmes mekanizmave të ndryshëm. Këto mekanizma përfshijnë vlerësimin e rezultateve të personave që marrin ndihmën. Gjithashtu aty merren parasysh vlerësimet dhe komentet e individëve përmes komunikimit të rregullt për të marrë perspektivën e tyre dhe identifikuar çdo nevojë për përmirësim. Po ashtu, përdorimi i protokolleve dhe standardeve të njohura në fushën e ndihmës psikologjike ndihmon në sigurimin e një qasje të strukturuar dhe të bazuar në evidencë, si dhe supervizimi apo mbikëqyrja.

Kurse, KRTC i aplikon praktikën e evidentimit, vlerësimin klinik, ndryshimet në simptomat e përfituesve, planifikimin e trajtimit dhe vendosjen e qëllimeve, si dhe konsultimeve dhe supervizimin si mekanizma mbikëqyrës dhe matës të cilësisë dhe efektivitetit.

Marrë parasysh stigmën sociale e cila ndikon fuqishëm në mosraportimin e dhunës me bazë gjinore dhe as kërkimin e ndihmës, hulumtimi u përpoq të hedhë dritë mbi perceptimin e ofruesve të këtij shërbimi nëse mosraportimi i dhunës reflektohet njësoj me mos kërkimin e ndihmës psikologjike. Apo nëse edhe ato viktima që e adresojnë dhunën ne organet e sigurisë, në anën tjetër nuk kërkojnë apo pranojnë ndihmë psikologjike.

QPS-të në përgjithësi e konsideruar të lartë ose në rritje numrin e grave që kërkojnë ndihmë psikologjike për shkak të përjetimit të dhunës me baza gjinore, me përjashtim të QPS-së në Pejë nga e cila u bë e ditur se numri i kërkesave për ndihmë është i vogël.

Edhe “Linja e Jetës” e KRTC e konsiderojnë të ulët numrin e viktimave që ju drejtohen.

“Duke pasur parasysh numrin e grave të cilat kanë përjetuar dhunë, në bazë të statistikave të nxjerra nga Rrjeti i Grave të Kosovës, ne e konsiderojmë numrin e grave që kërkojnë ndihmë psikologjike të ulët” – shkruhet në përgjigjen elektronike të Linjës së Jetës.

“Numri fatkeqësisht nuk është i lartë. Konsiderojmë që në masë të madhe ndikon konteksti dhe normat socio-kulturore, por shpeshherë mendojmë se mund të ndikojë edhe vet-stigmatizimi” – shprehen me e-mail nga KRTC.

Në përgjithësi të gjitha subjektet e përfshira në hulumtim e promovojnë shërbimin të cilin e ofrojnë me anë të mediave lokale, rrjeteve sociale, takimeve sensibilizuese por edhe përmes vetë punës dhe projekteve të tyre.

 

Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OSHC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19″. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Internews Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.