Personi që fshiu dënimin për narkotikë angazhohet në punë praktike në Prokurori

Prokuroria Themelore në Gjilan ka angazhuar një praktikant i cili në vitin 2002 ka qenë i dënuar për veprën penale të prodhimit të paautorizuar dhe vënies në qarkullim të substancave narkotike dhe vjedhje të rrymës, lëndë kjo e cila i ka figuruar në certifikatën e të kaluarës kriminale deri në maj të këtij viti.

Një hulumtim i KALLXO.com zbulon se Avni Brestovci që nga 26 marsi i këtij viti i është bashkangjitur Prokurorisë Themelore në Gjilan në pozitën Praktikant ndërsa deri në maj ai është përballur me gjykatë në lidhje me veprat e tij penale në të kaluarën.

Dy lëndët e tij ku ai është dënuar janë fshirë nga gjykata ndërsa për prokurorinë, e kaluara e tij nuk ka paraqitur problem. Sipas ligjit, fshirja nga evidenca penale vie në kohën kur nga kryerja e veprës penale kalojnë disa vite.

Të dhënat tregojnë se Avni Brestovci është akuzuar për vjedhje në shërbime komunale (vjedhje të energjisë elektrike) me të cilën është dënuar tre muaj me kusht dhe 150 euro dënim me gjobë dhe për prodhim të paautorizuar dhe vënie në qarkullim të substancave narkotike për të cilën është dënuar në vitin 2002 me gjashtë muaj burg.

Vepra është shlyer nga regjistrat e gjykatës gjatë këtij viti. Veprim i njëjtë ishte ndërrmarrë gjatë vitit 2008 kur gjykata e Gjilanit kishte marrë aktvendim që Brestovci të shlyhej nga regjistri i të dënuarve për një vepër të narkotikëve.

KALLXO.com ka kërkuar nga ana e Prokurorisë Themelore në Gjilan që të dijë se pse një person me të kaluar kriminale është punësuar në prokurori.

Në një përgjigje për KALLXO.com, nga administrata e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, thuhet se i njëjti ka dorëzuar në punën e tij dy certifikata, ku e fundit tregon se Avni Brestovci është shlyer nga evidenca e të dënuarve.

“I lartpërmenduri dokumentacionin e ka dërguar me postë Divizionit për Burime Njerëzore dhe atë aplikacionin, diplomën e fakultetit Juridik, letërnjoftimin – fotokopje dhe certifikatën nga Evidenca e personave, për të cilët është duke u zhvilluar procedurë penale dhe personat e dënuar në gjykatë, ku në këtë certifikatë ka një vepër nga neni 320 paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës, vjedhje në shërbimet komunale, për të cilën është dënuar 3 (tre) muaj me kusht për një vit dhe 150 euro dënim me gjobë. Kjo certifikatë është lëshuar me datë 13.09.2017, e që më vonë ka sjellë certifikatën tjetër me datë 23.05.2018, ku është shlyer nga evidenca e të dënuarve”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë drejtuar KALLXO.com.

Se është shlyer nga evidenca e të dënuarve tregon edhe një dokument të cilin e ka siguruar KALLXO.com.

Në vitin 2008, Avni Brestovci kishte bërë kërkesë në Gjykatën e Qarkut të Gjilanit për t’u shlyer nga evidenca e të dënuarve.

Gjykata e Qarkut të Gjilanit në vitin 2008, kishte aprovuar kërkesën e Brestovcit për t’u shlyer nga evidenca e të dënuarve për veprën penale të cilën Brestovci ishte akuzuar në vitin 2001 për prodhim të paautorizuar dhe vënie në qarkullim të substancave narkotike.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe vetë Avni Brestovcin.

Ai për KALLXO.com ka thënë se para se të fillonte punën si praktikant në Prokurorinë Themelore në Gjilan ka prezantuar certifikatën e cila ka qenë e lëshuar nga Gjykata Themelore në Gjilan.

“Me të njëjtën certifikatë është vërtetuar se ndaj meje nuk udhëhiqet ndonjë procedurë penale”, tha Brestovci për KALLXO.com.

Ai është deklaruar gjithashtu edhe pë veprën penale për vjedhjen e energjisë elektrike, veprën për të cilën është dënuar tre muaj me kusht dhe 150 euro gjobë.

“Për rastin e rrymës kam bërë shlyerjen nga sistemi sipas nenit 104 të Kodit Penal dhe se nuk jam i përfshirë në ndonjë vepë penale”, tha Brestovci për KALLXO.com.

KALLXO.com ka tentuar që nga Brestovci të marrë një qëndrim në lidhje me aktakuzën e tij për përdorim të narkotikëve për çka edhe është dënuar me burg, por i njëjti nuk ka dashur të komentojë.

Çka thotë aktakuza e ngritur për grupin që prodhonin e shisnin drogë në 2001?

Gjykata e Qarkut në Gjilan, më 16 janar të vitit 2002 kishte pranuar një aktgjykim për gjashtë persona të cilët po akuzoheshin për prodhim, posedim, shitje dhe vënie në qarkullim të substancave narkotike.

Nga gjashtë të akuzuarit, në aktakuzë figuron edhe emri i praktikantit të Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Avni Brestovci.

Gjithmonë sipas aktgjykimit të siguruar nga KALLXO.com, Brestovci po akuzohej se që nga muaji mars i vitit 2001 e deri në ditën kur ishte arrestuar, saktësisht më 12 qershor të po të njëjtit vit, në mënyrë të vazhdueshme ishte furnizuar me substanca narkotike të llojit heroinë nga tre persona, çmimi i së cilës në atë kohë ishte 90 marka gjermane (45 euro).

Sipas aktgjykimit të Gjykatës së Qarkut të Gjilanit, Avni Brestovci në atë kohë blinte drogë por nuk kishte se me çka të paguante, ndërsa kishte përdorur bizhuteri për të larë borxhin.

Në lidhje me këtë vepër penale Avni Brestovci ishte dënuar me gjashtë muaj burg.

Gjithashtu në aktgjykimin që e ka siguruar KALLXO.com, thuhet se grupi prej gjashtë personave shisnin e vënin në qarkullim lëndët narkotike të llojit heroinë.

Tre nga të akuzuarit sipas aktgjykimit, kanë përdorur nofka të ndryshme.

Lëndët narkotike të llojit heroinë, silleshin nga Shqipëria nga tre të akuzuar të tjerë inicialet e të cilëve janë I. C, E. C dhe S. N.

Të njëjtit kishin organizuar një rrjet për shitjen dhe ndërmjetësimin e drogës së llojit heroinë.

Ky rrjet përfshinte, Lipjanin, fshatin Gadime dhe Gjilanin, ku tre persona më pas i kishin shitur drogën një personi tjetër dhe Avni Brestovcit.

“I akuzuari Avni Brestovci që nga muaji mars i vitit 2001 e deri në ditën e arrestimit më 12 qershor 2001 në mënyrë të vazhdueshme është furnizuar me substanca narkotike nga i pandehuri S. N, E. G dhe V. E me drogë të llojit heroinë vlera e së cilës ishte 90 marka gjermane”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut të Gjilanit të vitit 2002, dokument ky i siguruar në KALLXO.com.