Foto: KEDS

KEDS zuri mbi 6 mijë e 700 konsumatorë duke vjedhë rrymën në vitin 2023

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se në vitin 2023 ka zënë 6 mijë e 715 konsumatorë duke vjedhur energji elektrike.

KEDS ka thënë se vlera më e madhe që një konsumator është detyruar t’ia kthejë KEDS-it ishte 52 mijë e 489 euro.

“Vetëm përgjatë vitit 2023, fiks 6,715 konsumatorë-keqpërdorues të energjisë elektrike, janë detyruar t’i rikthejnë humbjet, që konsiderohet hapi i parë në kuadër të një sërë pasojash që i presin ata.Vlera më e madhe që një konsumator komercial është detyruar t’ia kthejë KEDS-it në kuadër të rikthimit të humbjeve vitin e kaluar është 52, 489.64 euro”- thuhet në komunikatë.

KEDS bëri të ditur se gjatë vitit 2023 kanë kryer afro 100 mijë kontrolle, ndërsa tha se po vazhdon të realizojë rreth 400 kontrolle ditore në tërë Kosovën.

“KEDS po vazhdon të realizojë rreth katërqind kontrolle ditore në mbarë Kosovën për identifikimin e keqpërdoruesve të energjisë elektrike, duke e rritur numrin e ekipeve të kontrollit dhe intensifikimin e tyre. Si kompani që po ecën në hap me trendet më të reja teknologjike-energjetike, KEDS ka të instaluara pajisje moderne nëpër stabilimente elektroenergjetike për monitorimin e rrjedhës së energjisë deri te secili konsumator”- vazhdon njoftimi.

KEDS u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që të mos e keqpërdorin energjinë elektrike.