Kandidati i Vetëvendosjes për asamblist zgjidhet kryeshef në KRU ”Gjakova”
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për asamblist në Komunën e Gjakovës, Hasan Krasniqi, është zgjedhur kryeshef në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”.
Ai është zgjedhur kryeshef përkundër faktit që i njëjti ishte kandidat për asamblist në zgjedhjet lokale të mbajtura në tetor të vitit 2021, apo rreth 3 muaj më parë.
Ligji për Ndërmarrjet Publike kërkon që zyrtarët e lartë të ndërmarrjeve publike të jenë të pavarur, pra të mos kenë angazhime politike në 36 muajt e fundit.
Një opinion ligjor i lëshuar nga Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik me rastin e kandidimit të Blerand Stavilecit për kryeshef të KEK-ut thotë se edhe zyrtarët e lartë të ndërmarrjeve publike duhet të jenë të pavarur.
Në këtë opinion është theksuar se në nenin 21 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike thuhet që me zgjedhjen dhe emërimin e zyrtarëve të lartë të Ndërmarrjes Publike, personi që është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muaj para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike, nuk mund të zgjidhet Kryeshefi Ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike.
“Në Ligjin për ndërmarrjet publike definohet qartë se një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhje si drejtor në një NP nëse ‘është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike’”, potencohet në opinionin ligjor.
Sipas këtij opinioni, përkufizimi i termit “i emëruar politik” nënkupton personin i cili është emëruar ose propozuar nga subjekti politik si kandidat për një post të zgjedhur. Përcaktimi i termit “i emëruar politik” është bërë në plotësim-ndryshimin e Ligjit për ndërmarrjet publike që ishte bërë në vitin 2012.
Hasan Krasniqi ishte asamblist nga partia Alternativa nga viti 2014 deri në vitin 2017. I njëjti në vitin 2017 nuk kishte mundur të rizgjedhej.
Në zgjedhjet e fundit ishte kandidat për asamble në listën e Vetëvendosjes pas marrëveshjes së nënshkruar në mes të kryetarit të kësaj partie, Albin Kurti dhe kandidates për kryetare të Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, njëherësh kryetare e partisë “Alternativa”.
Krasniqi është zgjedhur kryeshef nga bordi i përkohshëm në KRU “Gjakova” i emëruar me 14 korrik të vitit të kaluar më një vendim të Qeverisë Kurti 2. Në këtë bord janë Urim Gashi – kryesues, Mevlyde Kelmendi Begolli, Atdhetare Kelmendi e Islam Hasani – anëtarë.
KALLXO.com ka dërguar pyetje në Ministrinë e Ekonomisë për të parë nëse është monitoruar ky konkurs nga Njësia për Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, por ata nuk janë përgjigjur. Kjo ministri nuk është përgjigjur as në pyetjet nëse emërimi i tij është në kundërshtim me Ligjin për ndërmarrjet publike.
Për KALLXO.com, Hasan Krasniqi ka thënë se zgjedhja e tij në përputhje me ligjin.
“Sipas Ligjit për ndërmarrjet publike unë i plotësoj kushtet dhe kriteret, unë post udhëheqës nuk kam pas jo 36 muaj po as në pesë vitet e fundit”, ka deklaruar ai.
Ai pretendon se kandidimi për asamblist nuk ia mohon të drejtën për të kandiduar nëpër poste të tjera.
“Kandidatura nuk ma humb të drejtën e kandidimit nëpër vende dhe poste tjera, sipas meje unë jam gjithçka në rregull, ligjin e komenton gjykata, nëse dikush ka dëshirë dhe vullnet me u anku”, ka thënë më tej Hasan Krasniqi.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe anëtarët e Komisionit Vlerësues, përkatësisht anëtarët e bordit të ndërmarrjes për të marrë një prononcim lidhur me zgjedhjen e Hasanit në pozitën e kryeshefit të ndërmarrjes KRU “Gjakova”.
Kryesuesi i bordit të përkohshëm, Urim Gashi, nuk ka qenë i qasshëm në telefon, anëtarja tjetër e bordit Atdhetare Kelmendi ka deklaruar se nuk dëshiron të deklarohet për këtë çështje.
“Sa i përket këtij rasti të lutem kontaktoje kryesuesin e Komisionit sepse nuk kisha dashur që të prononcohem rreth kësaj çështje”, ka thënë Kelmendi për KALLXO.com.
Anëtari tjetër i komisionit vlerësues, Islam Hasani, ka deklaruar se nuk e ka ditur që Hasan Krasniqi ka qenë kandidat për asamblist.
“Unë nuk e kam ditur që ka qenë kandidat, për mua zotëri Hasan Krasniqi ka qenë kandidati më i mirë, përgjigjen dhe intervistën e ka pasur më të mirën, e ka merituar thjesht”, ka thënë Islam Hasani.
Pasi që Hasani ka garuar për asamblist në zgjedhjet e fundit lokale në Gjakovë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe më herët edhe nga partia “Alternativa”, KALLXO.com ka kontaktuar edhe ish-kandidaten për kryetare të Gjakovës dhe shefen e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.
Ajo e ka mohur se ka ndikuar në përzgjedhjen e Hasanit në pozitën e kryeshefit në ndërmarrjen KRU “Gjakova”.
“Hasan Krasniqi është zgjedhur në proces të rregullt përmes konkursit të hapur dhe sipas normave e ligjit në fuqi për ndërmarrjet publike. Unë si deputete, përveç rolit mbikqyrës përmes Kuvendit, nuk kam asnjë kompetencë tjetër në përzgjedhje të kryeshefave të NP Qendrore”, ka thënë Kusari për KALLXO.com.
Konkursi për zgjedhjen e kryeshefit të ndërmarrjes KRU “Gjakova” është shpallur në nëntor të vitit 2021. Intervistat me tetë kandidatët për këtë pozitë janë zhvilluar më 30 dhjetor 2021 ndërsa njoftimi për kandidatin e suksesshëm për kryeshef të kësaj ndërmarrje është bërë më 13 janar.
“Hasan Krasniqi nga 100 pikë maksimale është vlerësuar me 87.33% si kandidati më i suksesshëm për këtë pozitë, bazuar në mesataren e pikëve nga paneli intervistues”, thuhet në njoftimin e KRU “Gjakova”.
Në arsyetim të vendimit thuhet se bordi i përkohshëm i drejtorëve e ka marrë këtë vendim komfor nenit 21 të Ligjit për ndërmarrjet publike.
Në fund të vendimit thuhet se palët e pakënaqura me vendimin mund të ushtrojnë ankesë në afat prej 30 ditëve nga dita e pranimit të vendimit.