Avokati i kryeshefit të arrestuar të 'KRU Gjakova': Krasniqi nuk ka asnjë dijeni se si janë përfituar vizat për sportistët

Pas raportimeve se kryeshefi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”, Hasan Krasniqi, u arrestua nga autoritetet në Bullgari më 19.02.2024, avokati i tij Tritan Hamitaj është deklaruar për media, duke thënë se klienti i tij nuk nuk ka asnjë dijeni se si janë përfituar vizat për sportistët.

KALLXO.com ka mësuar se ndaj Krasniqit ekzsistonte një urdhërarrest ndërkombëtar nga Italia për kontrabandë me të mitur. 

Në deklaratën e tij, avokati Hamitaj ka sqaruar se Krasniqi është ortak në një kompani, “Shpatturs shpk” e cila merret me transport rrugor të udhëtarëve, por që drejtohet nga vëllai i tij, Muhamet Krasniqi.

Dhe sipas Hamitajt, për shkak të transportimit nga kjo kompani të disa sportistëve në vitin 2022 ata nuk janë kthyer në Kosovë dhe autoritetet italiane të Drejtësisë kanë vlerësuar se marrja e vizave prej tyre ka pasur parregullësi.

“Për shkak të kësaj veprimtarie me mjetet e transportit në pronësi të saj janë transportuar në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian ndër të tjera edhe ekipe sportive të ndryshme. Disa nga sportistët që kanë lëvizur në vitin 2022 nuk janë kthyer në Kosovë dhe ka rezultuar nga autoritet Italiane të Drejtësisë se marrja e vizave prej tyre ka pasur parregullsi për shkak se nuk kanë qenë pjesëtar të ekipit sportiv dhe qëllimi i marrjes së vizave ka qenë për emigrim” – ka thënë Hamitaj.

Pasi këta sportistë kanë lëvizur me mjete transporti të kompanisë “Shpatturs”, Hamitaj shton se, pas hetimeve autoritetet italiane kanë vlerësuar se Krasniqi duhet të shpjegojë rrethanat e kontraktimit të mjeteve të transportit nga klubet sportive dhe roli i tij në dijenin ose jo të parregullsive në marrjen e vizave.

Hamitaj mohon se Krasniqi ka qenë në dijeni për transportimin e këtyre sportistëve apo marrjen e vizave të tyre.

“Zotëri Krasniqi sapo ka rënë në dijeni të këtij fakti ka shfaqur vullnetin të paraqitet personalisht përpara autoriteteve të drejtësisë italiane dhe të shpjegojë rrethanat e tij në këtë ngjarje. Zotëri Krasniqi nuk ka asnjë dijeni se si janë përfituar vizat për sportistët, nuk ka dijeni se në cilën konsullatë janë nxjerrë vizat dhe nuk ka pasur kontakt me asnjë sportist gjatë procesit të marrjes së vizave” – është deklaruar ai.

Më tej, ai ka theksuar po ashtu se Krasniqi nuk ka ndihmuar në nxjerrjen e vizave të tyre. 

“Nuk ka ndihmuar në nxjerrjen e vizave, nuk ka pasur dijeni se disa nga sportistët nuk kanë qenë pjesëtar të ekipeve sportive, nuk ka pasur dijeni për qëllimet e tyre, por shoqëria që i është ortak ka kryer transportin sipas licencës profesionale dhe kontraktimit nga klubi sportiv” – ka njoftuar Hamitaj.

Përveç kësaj, ai ka theksuar se “Krasniqi nuk ka firmosur asnjë kontratë transporti dhe asnjë dokument që lidhet me veprimtarinë e Shpatturs shpk.”

“Kontratat dhe çdo dokument tjetër i kësaj shoqërie është firmosur nga administratori i shoqërisë” – ka shtuar Hamitaj.

Si përfundim, Hamitaj ka njoftuar se Krasniqi është vënë në dispozicion të autoriteteve të drejtësisë italianë në mënyrë vullnetare dhe se siç shpreht ai, është i bindur se kjo situatë do sqarohet shumë shpejt.

Arrestimin e Krasniqit e ka konfirmuar për KALLXO.com Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës (MJPD) më 01.03.2024.

MPJD-ja theksoi se Krasniqi “supozohet” të jetë i kërkuar nga Organizata Ndërkombëtare e Policisë, INTERPOL.

Sipas informacioneve të cilat posedon KALLXO.com, Krasniqi dyshohet se kishte kryer organizim të kundërligjshëm, konkretisht kontrabandë me të mitur. 

Informacionet e siguruara nga KALLXO.com tregojnë, se Krasniqi ishte prezantuar si shoqërues i rrejshëm dhe në komplot me persona të tjerë, kishte organizuar dhe kryer kontrabandë me të mitur. 

Kjo pasi që i njëjti dyshohet se me qëllim të hyrjes ilegale në Itali dyshohet se kishte simuluar pjesëmarrjen e të njëjtëve nëpër disa turne sportive, me qëllim të përfitimit të vizës Schengen për qëllime sportive. 

Krasniqi dyshohet se kishte deklaruar se ishte edhe si kujdestar i të miturve. 

Të miturit sipas informacioneve që posedon KALLXO.com, menjëherë pasi kishin hyrë brenda territorit të Italisë, kishin shkuar në zyra të ndryshme të policisë italiane duke deklaruar se ata ishin të braktisur, ndërsa me këtë kishin synuar përfitimin e procedurave për lëshimin e leje qendrimeve “për të mitur”. 

Informacionet tregojnë se të miturit kishin deklaruar rrejshëm edhe arsyen e marrjes së vizave për kinse gara sportive. 

Në anën tjetër, kontaktuar nga KALLXO.com, INTERPOL-i nuk ka ndarë informata për këtë rast.

“Ju lutem të keni parasysh se Organizata nuk komenton raste ose individë të veçantë, ju këshillojmë të kontaktoni autoritetet kombëtare relevante” – janë përgjigjur nga INTERPOL më 01.03.2024.

Disa media kanë raportuar më 01.03.2024, se Krasniqi është arrestuar në Bullgari, pasi që kishte një urdhërarrest ndërkombëtar.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Policinë e Bullgarisë dhe Policinë italiane dhe është në pritje të përgjigjeve.

Kurse, zëdhënësja e KRU Gjakova, Dafina Syla, në një përgjigje për KALLXO.com më 01.03.2024, ka thënë se kompania nuk ka asnjë informatë për arrestimin e kryeshefit të saj.

Hasan Krasniqi në janar të vitit 2022 u pat zgjedhur kryeshef i KRU Gjakova.

Në zgjedhjet e fundit lokale ishte kandidat për asamblenë e Gjakovës nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).