Foto: Gazeta JNK

Dyshimet për Ndërhyrje Politike Njollosin Punësimet në QKUK

Konkursi i fundit për mjekë alergologë (specialistë të alergjive) në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka ngritur ankesa të kandidatëve që nuk janë pranuar, si dhe dyshime për ndikimin politik të Ministrisë së Shëndetësisë në këtë proces.

Ndërsa QKUK dhe komisioni i vlerësimit pranë këtij institucioni u janë përgjigjur pretendimeve dhe pyetjeve, ministria u është shmangur atyre.

Por, Gazeta JNK ka siguruar fakte se të paktën dy prej kandidatëve që janë pranuar kanë lidhje direkte politike me Lidhjen Demokratike të Kosovës, të cilës i përket ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, apo afërsi me kabinetin e tij.

Valbona Gashi specialiste e alergologjisë dhe imunologjisë klinike e cila është edhe në përfundim të studimeve të doktoraturës, është e vetmja ndër kandidatët që kanë paraqitur ankesa, që vendosi të flasë publikisht.

Gashi, e cila aplikoi për pozitën e alergologes në Klinikën e Alergologjisë me Imunologji në konkursin e fundit për mjekë në QKUK, thotë se është e zhgënjyer me perspektivën profesionale në Kosovë si pasojë e ndërhyrjeve politike.

Valbona Gashi | Foto: Gazeta JNK
Valbona Gashi | Foto: Gazeta JNK

Gashi ka qenë e sigurt se ajo mund të fitojë këtë vend pune pasi që thotë se kualifikimi i saj është më i mirë se i kolegëve konkurrentë.

Për më tepër, ajo për disa vjet ka qenë edhe asistente e lëndës së alergologjisë me imunologji në Universitetin e Prishtinës.

“Për këtë konkurs është fol qysh në nëntor të vitit 2015 edhe është fol nga persona të caktuar që do të ndahet buxheti për 3 alergologë, qysh në atë kohë në nëntor të 2015 është thënë që dy pozita kanë me qenë të rezervuar për kandidat të caktuar.

Është përfol nga individët që janë pranuar nga Visar Smakaj dhe Ramadan Seferi”, thotë mjekja për Gazetën Jeta në Kosovë.

Gashi pretendon se edhe testi të cilit i janë nënshtruar nuk ka qenë i punuar për profesionistë të fushës, por ka pasur pyetje që sipas saj i takojnë pozitave menaxheriale, pasi që më shumë janë pyetur për legjislacionin se sa për fushën e alergologjisë.

“Komisioni ka bërë shkelje drastike me rastin e pranimit të këtyre kandidatëve; në një e kam notën mesatare më të lartë se këta dy kandidatë Visar Zeqiri Smakaj dhe Ramadan Seferi, periudhën e përfundimit të studimeve universitare e kam më të shkurtë, domethënë më shpejt e kam kry fakultetin, jam në studime të doktoraturës dhe kam përvojë si asistente e pikërisht kësaj lande gjashtë vite në Fakultetin e Mjekësisë. Shkelja tjetër është se nuk e kanë publiku listën e plotë të kandidatëve por vetëm të personave që i kanë përzgjedh”, thotë Gashi.

Ajo pretendon se Visar Zeqiri Smakaj dhe Ramadan Seferi kanë lidhje të ngushta me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Gazeta Jeta në Kosovë mësoi se Smakaj ka qenë kandidat për këshilltar komunal në Komunën e Gjilanit, madje vërehet afërsi e madhe e tij dhe kandidatit tjetër Ramadan Seferi, me Ministrin Imet Rrahmani dhe këshilltarin e tij të jashtëm Zejdush Tahiri.

Visar Smakaj me ministrin Imet Rrahmani | Foto: Facebook
Visar Smakaj me ministrin Imet Rrahmani | Foto: Facebook

“Ramadan Seferi thotë se ky është dashur të zgjedhet për shkak se ka shpenzu shumë për dreka e darka për këshilltarët e ministrit – këto janë arsyet përse ata mendojnë që duhet me u zgjedh se janë të LDK-së dhe Ministri është i LDK-së”, thotë Gashi.

Mjekja thotë se ka provuar të kontaktojë me ministrin Rrahmani por nuk ka marrë asnjë përgjigje nga ai.

Gazeta JNK dërgoi pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë dhe te ministri Imet Rrahmani për akuzat e Gashit.

Rrahmani nuk u përgjigj, ndërsa zyra për komunikim e ministrisë ka dhënë një qëndrim që nuk i jep përgjigje asnjërës prej pyetjeve të dërguara.

“Meqenëse është fjala për një konkurs që nuk është hapur dhe zhvilluar nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, ju lutemi që pyetjet e adresuara në MSh, t’i drejtoni tek autoritetit i cili ka hapur dhe zhvilluar procedurat e konkursit të cilit i referoheni”, thuhet në qëndrimin e tyre.

Në tetor 2015, Imet Rrahmani kishte vënë në shërbim numrin e tij të telefonit dhe një adresë emaili, duke deklaruar se ishte në dispozicion për të denoncuar rastet e korrupsionit.

“Ne jemi në shërbimin tuaj. Ne jemi këtu për t’u marrë me problemet tuaja dhe me gjetjen e zgjidhjeve brenda ligjit dhe mundësive reale që kemi”, tha atëherë ministri.

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani Foto: Gazeta JNK
Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani Foto: Gazeta JNK

Por Rrahmani nuk iu përgjigj asnjëherë denoncimit të mjekes, dhe ajo shpreh haptazi zhgënjimin e saj duke ngritur pyetje retorike.

“Si nuk pate mundësi ministër, të më takosh 5 minuta mua një mjeke specialiste e përkushtuar, asistente e lëndës së imunologjisë në anën tjetër si pate kohë me orë të tëra nëpër dreka e darka pikërisht me këta kandidatë që janë përzgjedhur në QKUK; a jeni ministër i dreka e darkave apo Ministër i Shëndetësisë, personalisht jam shumë e zhgënjyer e ofenduar e shqetësuar për funksionimin e sistemit shëndetësor në Kosovë”, thotë Gashi.

Gashi thotë se ndjehet keq kur sheh studentët e saj duke u përkushtuar në studim pasi që thotë se e ka mendimin se do të përfundojnë si ajo.

Mjekja shton se deklaratat e ministrit, sipas të cilave, u ka ardhur fundi punësimeve politike në QKUK janë vetëm sa për tu hedh pluhur syve qytetarëve të vendit.

Ajo ka dërguar ankesë edhe në Komisionin për ankesa në QKUK dhe nuk ka marrë përgjigje.

Të pyetur nga Gazeta JNK, QKUK tha se të gjitha ankesat e kandidatëve të papranuar do të shqyrtohen.

“Institucioni ka pranuar disa ankesa nga kandidatet jo-fitues; është e drejtë ligjore ankesa e çdo konkurrenti në lidhje më çfarëdo procedure qoftë në lidhje me gjithë procesin e rekrutimit. Të gjitha ankesat janë në proces dhe do të shqyrtohen brenda afateve ligjore. Jeni në dijeni se ky konkurs është proceduar si rezultat i obligimeve ligjore që rrjedhin nga Ligji aktual i buxhetit në fuqi, konkretisht Amandamenti 17 nga draft leximi i dytë në Kuvendin e Kosovës dhe, ky ishte një sponsorizim nga Ministria e Shëndetësisë dhe jo si kërkesë e QKUK apo SHSKUK”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.

Zyrat dhe korridoret e QKUK-së kanë sekretet e tyre | Foto: Gazeta JNK
Zyrat dhe korridoret e QKUK-së kanë sekretet e tyre | Foto: Gazeta JNK

QKUK thotë se pas përfundimit të shqyrtimit të të gjitha ankesave të paraqitura në Komisionin e Ankesave komisioni del me një qëndrim dhe palët do të njoftohen.

Ndërsa drejtori i klinikës së Alergologjisë me Imunologji Dukagjin Zogaj, njëkohësisht anëtari i komisionit pranues në konkursin e fundit në QKUK, tha se Gashi ka pasur më pak pikë në testimin me shkrim se kolegët e saj.

“Të gjithë kandidatët kanë patur kualifikim të njëjtë sepse me konkurs është kërkuar që kandidatët të kenë të mbaruar specializimin asnjë kusht tjetër nuk është kërkuar”, tha Zogaj.

Ai tha se Klinika e Alergologjisë është Klinika më e re në kuadër të QKUK-së ndërsa sipas tij në të ardhmën e afërt këta mjek do të jenë mëse të nevojshëm.

Të kontaktuar nga Gazeta JNK, Visar Smakaj dhe Ramadan Seferi u janë përgjigjur pyetjeve të redaksisë për pretendimet e ngritura ndaj tyre si dhe për angazhimin e tyre politik dhe afërsinë me ministrin Rrahmani.

Ramadan Seferi, Visar Smakaj me Zejdush Tahirin, këshilltar i ministrit Imet Rrahmani
Ramadan Seferi, Visar Smakaj me Zejdush Tahirin, këshilltar i ministrit Imet Rrahmani

Por, nga propaganda elektorale e LDK-së në Gjilan, Smakaj përmendet nga vetë partia si kandidat i saj për këshillin komunal.

Angazhimi i tij partiak vërtetohet edhe nga dokumentet e Komisionit Qendror Zgjedhor, ku Smakaj listohet si kandidat i LDK-së [kliko këtu për dokumentin].

Ndërsa Seferi, rezulton njeri i afërt me këshilltarin e ministrit të Shëndetësisë, ku të dy paraqiten bashkë në fotografi.

Shmangia nga pyetjet apo përgjigjet e pjesshme të Ministrisë së Shëndetësisë për konkursin e fundit në QKUK, i lë të hapura dyshimet mbi ndikimin politik të zyrtarëve të ministrisë në përzgjedhjen e kandidatëve.