Çantat e rënda, problem serioz për shëndetin e nxënësve

Mbajtja e çantave të rënda të shkollës në baza ditore është një nga përvojat më shqetësuese për një fëmijë që shkon në shkollë. Çanta e shkollës është e mbushur me tekste, fletore, lapsa, shkumësa me ngjyra dhe materiale të tjera shkrimi që kërkohen pothuajse çdo ditë. Kur kësaj i shtohen edhe kutitë e ushqimit dhe shishet e ujit atëherë ngarkesa në çanta shtohet edhe më tej.

Në ditët e sotme koncepti i mbajtjes së çantave nuk aplikohet në të gjitha vendet e botës. Shumica e vendeve u ofrojnë fëmijëve dollapë në shkolla, në mënyrë që ata të mos kenë nevojë të mbajnë libra në shkollë çdo ditë. 

Efektet e mundshme negative të mbingarkesës së çantave të shpinës së nxënësve janë një shqetësim publik dhe duhet të merren parasysh nga komuniteti shkencor dhe arsimor. 

Kjo temë ka marrë një rëndësi të veçantë për shkak të procesit të zhvillimit të fëmijërisë, i cili mund ta rrisë promovimin e çrregullimeve të ardhshme (p.sh. dhimbjet e shpinës dhe devijimet e shtyllës kurrizore). 

Ka disa pasoja të mbingarkimit të shpatullave, shpinës dhe qafës së fëmijëve në moshë të re. Mbajtja e çantave të rënda të shpinës mund të çojë në probleme muskulore dhe skeletore, veçanërisht nëse fëmija e mban çantën në njërin shpatull ose mban qëndrim të keq gjatë mbajtjes së çantës. Kjo gjithashtu mund të çojë në ngecjen e rritjes së eshtrave tek fëmijët. Dhimbja dhe shqetësimi fizik që vijnë nga mbajtja e një çantë të rëndë shkollore mund të rezultojë gjithashtu në stres dhe mungesë vëmendjeje te një fëmijë, duke ndikuar në të mësuarit e tyre.

Në anën tjetër, shëndeti, siguria dhe mirëqenia e nxënësve janë prioritet për shoqerinë tonë. Mbajtja e çantave të rënda të shkollës është një shqetësim për disa nxënës dhe, për prindërit në veçanti, andaj parandalimi i dhimbjes së shpinës dhe dëmtimeve të tjera muskuloskeletore është i rëndësishëm për mirëqenien aktuale dhe shëndetin afatgjatë të nxënësve.

Sipas Universitetit amerikan Johns Hopkins, pavarësisht se sa mirë është projektuar çanta e shpinës ajo nuk duhet të jetë më e rëndë se 10% të peshës trupore të fëmijës. P.sh., një fëmijë që peshon 35 kg nuk duhet ta mbajë një çantë shpine më të rëndë se 3.5 kg.  

Megjithatë, shumë prej tyre mbartin shumë më tepër se kaq.

Mjekët dhe fizioterapistët rekomandojnë që fëmijët të mbajnë jo më shumë se 10% të peshës së tyre trupore në çantat e tyre. 

Mbajtja e një çante të rëndë e ndryshon mënyrën se si ecin fëmijët dhe i vë ata në rrezik të rrëzimit, veçanërisht në shkallë ose vende të tjera ku një çantë shpine e nxjerr jashtë ekuilibrin një nxënë.

Problemi me mbipeshë në çantat e nxënësve krijohet nga mungesa e standardeve në përpilimin dhe prodhimin e librave te shkollës, dhe rëndohet akoma me shumë nga shtëpitë botuese për realizimin e këtyre botimeve. 

Jo vetem që pesha e librave te përdorur eshte shumë më e lartë seç duhet, por numri i faqeve në shumë prej librave nuk e justifikon sasinë e përmbajtjes. 

Eshtë fatkeqësisht tejet e zakonshme të gjesh faqe të tëra me ilustrime të tepruara, dhe shumë pak tekst shpjegues përbri këtyre ilustrimeve, dhe kjo për lëndë që zhvillohen vetëm 1-2 orë në javë.  

Në shkollat fillore në Kosovë, në përgjithësi, fëmijët e cikleve të ulta, klasat 1-5, i nënshtrohen ngarkesave të mëdha me çantat shkollore duke i tejkaluar në shumë raste kilogramët e lejuar sipas standardeve mjekësore. 

Ndonëse fëmijët nuk janë të vetëdijshëm për rrezikun e vazhdueshëm që u kanoset atyre për shkak të çantave të mbingarkuara, në anën tjetër janë prindërit ata të cilët shprehen të shqetësuar lidhur më këtë problem i cili, sipas tyre, nuk po ka zgjidhje të përhershme. 

Një fëmijë i klasave shkollore të ciklit të ulët në Kosovë sot mbart një çantë prej mesatarisht 3-5kg, peshë kjo e cila i tejkalon standardet e përcaktuara ndërkombtarisht lidhur me peshën e çantave  të fëmijëve. 

Në një ditë të zakonshme mësimi në SHFMU “Bajram Curri” të fshatit Henc, në kohën kur nxënësit e klasave 1 deri 5 e nisin orarin mësimor, rrugës deri në shkollë, të cilën varësisht prej distancës e përshkojnë rreth 65 nxënës, çantat e tyre dallojnë sa i përket ngarkesës varësisht prej orarit të caktuar në ditën specifike. 

Shumë nxënës të ciklit të ulët fillor të kësaj shkolle udhëtojnë çdo ditë, disa prej tyre për gati një km distancë me një çantë, me përafërsisht 4 deri 4.5 kg. Ngarkesa e çantës në këtë rast e tejkalon peshën e paraparë dhe të lejueshme për një nxënës të kësaj moshe. 

Megjithatë, kur pyeten pse ka aq shumë libra dhe fletore në çantat e tyre, nxënësit thotë se janë të detyruar për shkak se kështu e kanë orarin të cilin ia ka dhënë shkolla. 

Këto raste për prindërit, fëmijët e të cilëve e vijojnë mësimin në këtë shkollë, paraqesin shqetësim maksimal ndërkohë që po të njëjtit nuk po arrijnë ta gjejnë zgjidhjen e duhur për këtë problem. 

Halim Ademi, prind i fëmijës në klasën e katërt shprehet me shumë indinjatë lidhur me peshën e madhe të çantës të cilën vajza e tij duhet ta bartë deri në shkollë, në një distancë prej përafërisht 1 km. 

“Çantat janë të rënda dhe të papërballueshme për fëmijë të kësaj moshe. Sot rrugës për në shkollë u ndala në shitorën e fshatit dhe e peshova çantën e vajzës sime. U tmerrova kur e pashë peshën, 5.2kg. Kjo është e tepërt. Krejt pesha e vajzës sime nuk është as 35 kg”, thotë Halimi. 

Pesha e çantës së një nxënësi në klasë të katërt. (Foto: Nuhi Shala)
Pesha e çantës së një nxënësi në klasë të katërt. (Foto: Nuhi Shala)

“Drejtoria e shkollës duhet të bëjë diçka në lidhje me këtë problem. Duhet t’i sjellin dollapët nëpër klasa apo duhet ta pakësojnë ngarkesën e librave dhe fletoreve nëpër çantat e fëmijeve tanë. Përndryshe, rrezikojnë të deformohen fizikisht”, shton tutje prindi Halim Ademi me një dozë të madhe frustrimi. 

Prindi Blerim Salihu, po ashtu shprehet i shqetësuar tej mase për peshën e madhe të çantave që i bartin nxënësit e fillores. Vajza e tij 7-vjeçare e vijon mësimin në klasën e 1-rë në shkollën e lartcekur dhe çdo ditë udhëton per më shumë se një km distancë. 

“Çanta e saj është e papërballueshme për moshën dhe trupin që e ka”, thotë Blerimi. “Marrë parasysh edhe distancën e madhe, një peshë e tillë është e tepërt”.

Ndryshe, Blerimit i duhet që shpesh t’a lë në gjysmë punën e tij dhe ta sjellë vajzën e tij me veturë deri në shkollë. 

“Ndodh shpesh që e ndërpres punën ndoshta me dhjetëra kilometra larg edhe vij për ta dërgu vajzën me veturë në shkollë sepse është larg dhe me një peshë aq të madhe në çantë, kam frikë se mund t’i deformohet kurrizi një ditë”, shprehet Blerimi. 

Asdren Ademi, prind i fëmijës në klasën e dytë thotë se pesha e madhe e çantave të fëmijëve e detyron atë që krahas fëmijës së tij, ai apo dikush nga shtëpia e tij, të vijë në shkollë bashkë më fëmijën me të vetmin qëllim që t’ia bartin atij çantën e stërngarkuar. Të njëjtën rrugë e bëjnë edhe gjatë kthimit në shtëpi. 

“Çantat e fëmijëve janë të rënda dhe paraqesin rrezik të madh për deforminin e trupit të tyre. Ne si prindër jemi të shqetësuar shumë lidhur me faktin se pse një çantë e një fëmije në klasën e dytë duhet të jetë aq e rëndë”. 

Sipas tij, duhet gjetur një zgjidhje përndryshe fëmijët rrezikojnë shëndetin fizik të tyre. 

“Duhet gjetur një zgjidhje sa më parë. Një prej opsioneve mund të jenë dollapët në klasa ku fëmijët pastaj do të mund t’i linin disa libra në ato dollape duke mos u detyruar t’i bartin nëpër çanta. Kjo, besoj, do t’ua lehtësonte shumë peshën në çantat e tyre,” thotë prindi Asdren Ademi. 

Prindi Asdren Ademi dhe fëmija i tij në klasë të dytë. (Foto: Nuhi Shala)
Prindi Asdren Ademi dhe fëmija i tij në klasë të dytë. (Foto: Nuhi Shala)

Probleme dhe shqetësime të ngjashme kanë pothuajse të gjithë prindërit, fëmijët e të cilëve vijojnë mësimin në shkollën fillore të fshatit Henc.

Përkundër ngritjes së shpeshtë të këtij shqetësimi me organet udhëheqëse të shkollës, duket se nuk është bërë asnjë zgjidhje deri më tani. 

Stafi i mësimdhënësve të kësaj shkolle janë të mendimit se në shumë raste pesha e çantave të nxënësve të tyre nuk është në proporcion me peshën fizike të vetë nxënësve dhe, si të tillë, nxënësit i nënshtrohen një problemi i cili mund të jetë me pasoja afatgjata për nxënësit. 

Mësimdhënësja e ciklit të ulët të Shkollës Fillore “Bajram Curri”, PNF në Henc, Florentina Osmanaj, mendon se janë një numër opsionesh përmes të cilave do të mund të zgjidhej problemi i mbingarkesës së çantave. 

“Në shumë raste pesha e çantave të nxënësve është në proporcion me peshën e tyre dhe një gjë e tillë është shqetësuese për shëndetin e tyre. Unë jam e mendimit se zgjidhja e problemit të mbingarkeses së çantave tek nxënësit është ndërrimi i kurrikulës shkollore, rishikimi i teksteve shkollore, ngarkesa e teksteve shkollore me njësi joadekuate për moshën e nxënësve”, thotë Osmanaj. 

Një zgjidhje sipas Osmanajt mund të jetë edhe trajnimi i nxënësve për shfrytëzimin e librave online ndonëse jo të gjithë nxënësit i kanë mundësitë për pajisje elektronike. 

“Disa shtëpi botuese kanë libra online në uebfaqet e tyre, një prej zgjidhjeve do të ishte që nxënësit të trajnoheshin se si t’i shfrytezojnë ato libra por pengesë për këtë janë edhe kushtet ekonomike të nxënësve sepse jo të gjithë kanë paisje elektronike (tablet, laptop ose telefon të mençur)!”.

Zgjidhje tjetër e mirë dhe efektive saj, është sigurimi i dollapëve personal për secilin nxënës si dhe një proces tjetër mësimor i orarit. 

“Furnizimi i shkollës me dollapa personal për nxënës do të ishte zgjidhje e mirë po të kishim klasa personale për secilën mësuese ku dollapet do të mbikqyreshin nga mësueset dhe procesi mësimor do të zhvillohej me orar 09:00-15:00 (sikur në shkollat private), ku nxënësit do të mund t’i përfundonin detyrat në shkollë e në shtëpi do të ishin të lirë, por kjo e fundit kërkon shumë punë, kushte dhe investim të madh në objektin shkollor”, thotë Osmanaj.

Mësimdhënësja Florentina Osmanaj, SHMU “Bajram Currri” Henc  (Foto Facebook)
Mësimdhënësja Florentina Osmanaj, SHMU “Bajram Currri” Henc  (Foto Facebook)

Për Fidan Hasanin, drejtorin e SHFMU ‘Bajram Curri” në Sllatinë të Madhe, e cila është shkolla amë e paraleleve të ndara fillore (PNF) në fshatrat Henc dhe Harilaq, problemi me mbipeshën e çantave të nxënësve qëndron tek ngarkesa kurrikulare. 

“Ne shkollën tonë në Sllatinë të Madhe ka dollape në disa klasa por që shumë pak ose fare nuk shfrytezohen. Nxënësit janë të obliguar t’i marrin prapë librat në shtëpi për të mësuar dhe për t’i bërë detyrat. Ndërkohë që në paralelet e ndara fizike në Harilaq dhe Henc nuk ka dollape personal por ka vitrina dhe dollape të ndryshem për punime të nxenësve në koridore, etj”.

Sipas Hasanit, zgjidhja e problemit të ngarkesës së çantave mund të bëhet përmes digjitalizimit të procesit të mesimdhënies i cili, siç thotë ai, ëshë proces aspak i lehtë. 

“Çfarë unë kam propozuar me vite të tëra edhe publikisht është që të kemi sa më shume libra elektronikë dhe në këtë mënyrë do të lehtesohej procesi i mesimdhënies dhe i ngarkesës”, shton tutje Hasani.

Mirëpo, problemi kryesor sipas drejtorit Hasani qëndron tek shtëpitë botuese të cilat botojnë libra të shumtë për një lëndë. 

“Shqetësimi më i madh është, sidomos për moshat e nxënësve 1-5 ku ngarkesa në çanta me libra është jashtë çdo norme. Nga ana tjeter mesuesit janë të obliguar ta shtjellojnë tërë materialin e aprovuar nga MASHTI”, thotë Hasani.

Një prej alternativave, shton tutje Hasani, mund të jenë dollapet të cilët mund te sigurohen sepse nuk kane kushedi çfare kosto për një klasë. Nëse jo nga komuna mund ta ba bëjmë me iniciativë të prindërve. Tek e fundit u shfrytezuan apo jo le të jene aty, në klasa ose në koridore. 

Fidan Hasani, drejtori i SHFMU ‘Bajram Curri” në Sllatinë të Madhe (Foto: Facebook)
Fidan Hasani, drejtori i SHFMU ‘Bajram Curri” në Sllatinë të Madhe (Foto: Facebook)

Zyrtarë nga komuna e Fushë Kosovës janë të mendimit se mbingarkesa e çantave tek fëmijet e kësaj komunë është shqetësim edhe për ta dhe, bazuar në gjendjen dhe mundësitë aktuale, ata shohin zgjidhjen të pjesshme të këtij problemi vetën nëpër fshatra. 

“Fillimisht dua të ju them se problemin që ju e keni ngritur është një shqetësim edhe për neve. Bazuar në gjendjen momentale, ky problem ka mundësi që të zgjidhet nëpër fshatra ndërkohë që mund të them se deri më tani nuk ka pasur ndonjë vullnet me u marrë më drejtpërdrejt me këtë çështje”, thotë për Kallxo.com zyrtari për media në komunën e Fushë Kosovës, Ali Topalli.

Topalli shton se numri i madh i nxënësve nëpër shkollat e qytetit të Fushë Kosovës e pamundëson zgjidhjen e këtij problemi.

“Sa i përket qytetit, për shkak të mësimit tërëditor, nuk është e mundur që çantat të mbesin nëpër shkolla sepse është numër i madh i nxënësve nëpër klasa dhe punohet me ndërrime. Shpresojmë në një zgjidhje të këtij problemi në një të ardhme të afërt”, ka shtuar Topalli.

Ali Topalli, zyrtar për informim në Komunën e Fushë Kosovës (Foto: Facebook)
Ali Topalli, zyrtar për informim në Komunën e Fushë Kosovës (Foto: Facebook)

Sipas Dr. Remzi Shalës, specialist i mjekësisë familjare dhe shef në QKMF Fushë Kosovë, mbingarkesa e çantave është një problem mjaft shqetësues i cili ndikon në sjelljen agresive dhe jonormale të fëmijëve. 

“Kohëve të fundit një fenomen shqetësues për fëmijët është pesha e rëndë që ata e bartin në supet e tyre. Mbingarkesa e çantave është një problem i cili në mënyrë të tërthortë apo edhe në shumicën e rasteve në mënyrë të drejtëpërdejtë ndikon edhe në sjellen e fëmijëve e që ata të kenë nje sjellje agresive dhe sjellje jo normale për moshen e fëmijëve”, thotë Dr. Shala për Kallxo.com.

Për më shumë, Dr. Remziu është i mendimit se problemi më shqetësues qëndron tek deformimi i shtyllës kurrizore të fëmijeve. 

“Efekti më  dëmshëm është se gjatë rrugës për në shkollë, fëmijët mund të pësojnë deformim në shtyllën kurrizore tek fëmijët. Efekti më negativ sidomos vie në shprehje kur pësha e çantes që ata e bartin e kalon mbi 10 % të peshës totale trupore”.

Sipas Dr. Remziut, pesha e çantës mund të shkaktojë dhembje momentale, lodhje, sjellje  jo normale e, si rrjedhojë,  edhe femiu humb koncentrimin dhe shqetësohet gjatë procesit mësimor.

“Në terme afatgjata efekti më negativ i peshes së rëndë të çantave tek  nxënësit filloristë mund të jetë  deformimi i shtylles kurrizore siç është skolioza andaj rekomandoj që pesha normale që mund ta bartin fëmijët në çantat e tyre nuk duhet të kalojë 10-15% e peshës trupore të fëmiut”, thotë Dr. Shala.

Dr. Remzi Shala, specialist i mjekësisë familjare dhe shef në QKMF, Fushë Kosovë. (Foto: Nuhi Shala)
Dr. Remzi Shala, specialist i mjekësisë familjare dhe shef në QKMF, Fushë Kosovë. (Foto: Nuhi Shala)

Me gjithë insistimin për ta marrë një mendim edhe nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, MASHT, lidhur më këtë çështje, ndonëse i kemi parashtruar pyetje pothuajse një javë më herët, prapë nuk kemi mundur ta marrim një mendim nga ministria e lartcekur. 

Megjithatë, deputeti dhe kryesuesi i Komisionit parlamentar për arsim në Kuvendin e Kosovës, Ardian Gola, është i mendimit se rreziku nga çantat e mbingarkuara të fëmijëve paraqesin një rrezik për deformim anatomik por edhe një deformim mendor njëkohësisht.

“Ka kohë që ekspertët, madje edhe empirikisht, e kanë argumentuar që çanta e fëmijeve është përtej kapacitetit të tyre fizik. Për me tepër, është thënë se kjo paraqet rrezik për deformime anatomike. Ndërsa unë, konsideroj që jo veç ngarkesë fizike, por mbi të gjitha, është ngarkesë edhe mendore meqë ngarkesës fizike edhe mund t’i bëhet zgjidhje, qoftë me dollapa nëpër shkolla, qoftë me asistencë familjare. Sot, të pakët janë ata fëmijë të cilët shkojnë pa përcjellje deri në shkollë”.

Sipas deputetit Gola, një prej çështjeve më shqetësuese mbetet ngarkesa informative me kurrikula tek fëmijët tanë.

“Çështje shqetesuese për mua vazhdon të mbetet ngarkesa informative e fëmijeve me kurrikula, të cilat nuk e reflektojnë infrastrukturën dhe kapacitetet tona institucionale. Si Komision, kemi në plan disa diskutime te organizuara me mësues klasore dhe lendore nëpër shkolla për të marrë informata direkt nga përvojat e tyre në terren”, thotë për Kallxo.com deputeti Gola.