Ende s’ka konsultime në mes të partive politike për çështjen e presidentit
Pas dorëheqjes së presidentit Hashim Thaçi, institucionet e Kosovës do të duhet të zgjedhin kryetarin e ri të shtetit brenda gjashtë muajve, ose vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se ende nuk ka nisur konsultimet me subjektet politike për çështjen e presidentit, ndërkaq opozita kërkon legjitimitet të ri përmes zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Antigona Baxhaku- Idrizi, këshilltare politike e kryeministrit dhe drejtore e Zyrës për Komunikim me Publikun në Zyrën e Kryeministrit, ka thënë për KALLXO.com, se kryeministri Avdullah Hoti e ka bërë të qartë se pas aktakuzave nga Gjykata Speciale dhe dorëheqjes së presidentit Hashim Thaçi, është krijuar rrethanë e re.
“Prandaj partitë politike ose do të dakordohen për çështjen e presidentit ose vendi duhet të shkoj në zgjedhje të reja. Kryeministri Hoti të premten ka deklaruar se ende nuk ka konsultime me partitë politike, por beson se së shpejti do të ulen të gjitha partitë për të gjetur një zgjidhje”, thuhet në përgjigjen e saj.
Baxhaku- Idrizi ka shtuar, se kryeministri Hoti ka theksuar se në këtë moment prioritet për të është menaxhimi i pandemisë në këtë situatë të rëndë me Covid-19.
Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha se koalicioni qeverisës ka këndvështrime të ndryshme për çështjen e presidentit, por sipas tij nuk ka përçarje.
Në një konferencë për media javën e kaluar, Gashi tha se koalicioni qeverisës nuk ka pasur marrëveshje për këtë pozitë.
“Ka këndvështrime të ndryshme, por ky koalicion nuk ka marrëveshje për presidentin, prandaj edhe nuk ka përçarje për presidentin sepse s’ka pasur marrëveshje. Kur është bërë koalicioni, nuk ka pasur marrëveshje për çështjen e presidentit”, theksoi ai.
Megjithkëtë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila është pjesë e koalicionit qeverisës, muaj më parë e kishte shpallur kandidaturën për president, të kryetarit të saj dhe ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj. AAK-ja në vazhdimësi është shprehur e palëkundur për këtë kandidaturë të Haradinajt.
Ndërkaq, për Lëvizjen Vetëvendosje Kosova mund të ketë president të ri, pas zgjedhjeve të reja.
Kreu i LVV-së dhe ish-kryeminsitri Albin Kurti ka thënë se konsiderojnë që nuk mund të ketë unitet pa legjitimitet.
“Presidenti ose presidentja e re duhet të përfaqësojë unitetin e popullit dhe kjo nuk mund të bëhet në kushte kur kemi qeveri të paligjshme. Unë nuk kam pasur takime për çështjen e sjelljes së presidentit. Kosova ka ushtrues detyre të presidentit, pra nuk është e zbrazët ajo karrige. Pas zgjedhjeve të reja mund të kemi një president të ri”, theksoi Kurti në një konferencë për media në Prishtinë, të dielën.
Kurse, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), gjendet në një situatë të ndryshme politike, pasi ish-kreut të saj Kadri Veselit iu konfirmua aktakuza për krime luftë nga ana e Dhomave të Specializuara.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të kësaj partie, Enver Hoxhaj ka deklaruar se çështja e presidentit të ardhshëm, nuk është shqetësimi i tyre kryesor.
“Unë e di që pyetjet e juaja janë legjitime, se si do të duket zgjedhja dhe se kush do të jetë president i ardhshëm i Kosovës, por në këtë situatë ne nuk kemi as mundësi, as ndonjë nguti që të mendojmë se në çfarë forme duhet të zgjidhet presidenti i Kosovës”, tha Hoxhaj ditë më parë në një adresim para mediave.
Hoxhaj theksoi se presin që koalicioni qeverisës të jetë i qartë në atë se si do të duhej të udhëheqej procesi i zgjedhjes së presidentit.
“Nuk e kemi këtë temë në tavolinë, nuk është shqetësimi ynë kryesor se kush e ka shpallur kandidaturën për të qenë president”, shtoi zyrtari i PDK-së.
Pas konfirmimit të aktakuzës nga ana e Gjykatës Speciale, për ish-presidentin Thaçi, detyrën e presidentes e mori kryeparlamentarja Vjosa Osmani, e cila në këtë pozitë duhet të qëndrojë jo më gjatë se gjashtë muaj, sipas përcaktimit të Kushtetutës.