Kurti bisedon me Macronin, presidenti francez anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Europës e lidh me zbatimin e Asociacionit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar bisedë telefonike me presidentin francez, Emmanuel Macron, më 23.04.2024.

Macron e ka ritheksuar mbështetjen e Francës për pavarësinë dhe integrimin europian të Kosovës.

Ndërsa, çështjen e zbatimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe e ka lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës (KE).

“Presidenti përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Megjithatë, ai nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”- thuhet në njoftimin e Presidencës franceze.

Ndërsa, ka shprehur keqardhje për dështimin e votimit për largimin e kryetarëve të 4 komunave në veri të Kosovës.

“Ai ka kujtuar se organizimi i zgjedhjeve të reja sa më shpejt ka mbetur i domosdoshëm, me pjesëmarrjen e popullatës serbe”- thuhet në njoftim.

Kosovës i ka mbetur vetëm edhe një hap që të bëhet anëtare e Këshillit të Europës.

Në Asamblenë Parlamentare më 16.04.2024, Kosova ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme nga delegatët e shteteve anëtare të këtij mekanizmi ndërkombëtar.