Ambicia ‘vështirë e arritshme’ e Ramush Haradinajt për t’u bërë president

Edhe pse mandati i presidentit aktual të Kosovës Hashim Thaçi nuk i përfundon deri në fillimin e vitit 2021, kjo gjë nuk e ka penguar ish-kryeministrin dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj që të shpallë kandidaturën për kryetar të shtetit.

Ambicia e Haradinajt për ta drejtuar presidencën zyrtarizohet në kohën kur presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, janë në pritje të konfirmimit ose hedhjes poshtë së aktakuzës ndaj tyre nga ana e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, për krime lufte dhe kundër njerëzimit.

AAK-ja aktualisht është partnere e koalicionit qeverisës drejtuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, me Avdullah Hotin kryeministër, përderisa mundësia e përfshirjes së Partisë Demokratike të Kosovës së Kadri Veselit, në qeveri  është riaktualizuar si temë ditëve të fundit.

Megjithkëtë, kandidatura e Haradinajt për president është vlerësuar e hershme dhe vështirë e realizueshme për shkak të konsesusit të gjerë politik që nevojitet për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Mes tjerash, njohës të zhvillimeve politike në vend thonë se uniteti i kërkuar në Kushtetutën e Kosovës për pozitën më të lartë institucionale, është sfidë të krijohet me personalitete që kanë qenë pjesë të skenës politike.

Valmir Ismaili nga organizata joqeveritare Demokraci Plus (D+), thotë për KALLXO.com se në parim është e drejtë e Haradinajt që të shpreh ambiciet e tij për të qenë president i vendit.

Megjithatë, ai shton se duke e ditur mënyrën se si zgjedhet presidenti në Kosovë, përkatësisht konsensusi i gjerë që kërkohet për të pasur votat e mjaftueshme, shpallja e kandidaturës publike në një fazë relativisht të hershme mund të sjellë pengesa në gjetjen e këtij konsensusi.

“Së pari, partitë politike do të duhej që bashkarisht të vendosnin për disa kritere që do të duhej të plotësonte presidenti i ardhshëm dhe pastaj të vinin në shprehje emrat individual për këtë pozitë”, vlerëson ai.

Kushtetuta e Kosovës e përcakton se zgjedhja e presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Gjithashtu, presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion tjetër publik, apo në parti politike.

Sipas Ismailit, si duket Haradinaj nuk po ndjehet rehat nga mospasja e asnjë posti publik, kështu që ka vendosur që të shpreh ambiciet e tij për president të vendit.

“Megjithatë, praktika me z. Thaçi na ka dëshmuar që bërja president e një personi që ka udhëhequr me parti politike dhe qeveri në të kaluarën, ia pamundëson atij personi që të luaj rolin unifikues që kërkohet me Kushtetutë”, thekson tutje ai.

Ndërkaq, në nenin 83 të Kushtetutës së Kosovës, thuhet se “Presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikës së Kosovës”.

Ndërkaq, Donika Emini nga platfoma “CiviKos”, thotë për KALLXO.com se Haradinaj gjithmonë ka shfaqur ambicie për pozita të larta drejtuese shtetërore.

“Fakti që ai ka refuzuar të mbajë ulësen e tij si deputet duke e konsideruar edhe votën dhe besimin e dhënë nga qytetarët si të pavlefshme dhe duke treguar ambicie për pozita më të larta drejtuese, tregon shumë për personalitetin e tij politik. Megjithatë, mandati i tij i dytë si kryeministër u mor duke u thirrur në suksesin e lënë në gjysmë gjatë 100 ditëshin e tij të parë si kryministër”, u shpreh ajo.

Por sipas Eminit, kësaj here ai po kandidohet me një reputacion tejet të dëmtuar nga “keq-qeverisja gjatë mandatit të tij si kryeministër në kuadër të koalicionit PAN”.

“Përveç të tjerash, ai po e synon këtë pozitë duke shantazhuar haptazi parterët e tij të koalicionit dhe duke përfituar nga një presidenti të cilit pozita po i rrezikohet nga Gjykata Speciale – një përvojë që vet Haradinaj kishte para një viti”, vlerëson ajo.

“Marrë parasysh edhe qëndrimet e tij ndaj politikës së jashtme, sidomos me vendosjen e taksës dhe armiqësimit me BE dhe ShBA, një president i tillë nuk do të ndihmonte pozitën aktuale të Kosovës në nivel ndërkombëtar. Në anën tjetër, Haradinaj njihet për vendime unilaterale dhe pa-parashikueshmëri të madhe politike, gjë të cilën për momentin Kosova nuk mund ta ketë”, shtoi ajo.

Pasojat në koalicion nga kandidatura e Haradinajt

Valmir Ismaili (D+) përmend pasojat që mund të ketë në koalicionin aktual qeverisës, kandidatura e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt në synimin për president.

“Tanimë ne vetëm kemi parë disa fërkime në mes të koalicionit LDK-AAK dhe kjo kandidaturë e hershme pa konsultimet paraprake me partnerët tjerë qeverisës, normalisht që mund të ndikojë në brishtësinë e mëtutjeshme të koalicionit”, thotë ai për KALLXO.com.

Pavrësisht kësaj, siç shprehet Ismaili, pozicionimi i PDK-së për përfshirje apo mospërfshirje në koalicion do të jetë përcaktues për jetëgjatësinë e këtij koalicioni.

Kurse, Donika Emini (CiviKos), thotë se shqetësimet që sjell ky vet-nomimin i hershëm për pozitën e presidentit të Kosovës janë multi-dimensionale.

“E para, ky apetit për të treguar ambicie eksplicite për pozitën e presidentit ende pa u konfirmuar aktakuza për Presidentin Thaçi dhe pa dhënë dorëheqje presidenti aktual, është indikator që reflekton tendencat e Haradinajt të çojë mesazh tek elita politike për potencialin që ky ka për të destabilizuar  politikisht vendin duke prekur direkt në pikën e cila tradicionalisht ka qenë senzitive për të gjitha partitë (dihet mirë që kjo pozitë ka qenë arsyeja kryezore e problemeve që LDK dhe VV kishin për ta ndërtuar koalicionin)”, shprehet ajo për KALLXO.com.

E dyta, sipas Eminit është se Haradinaj po e shpërfaq këtë ambicie shumë më herët “për të shantazhuar politikisht” LDK-në si partnerin me të madh në Qeveri.

“Kjo po vjen pikërisht në kohën kur qeveria aktuale është në skajshmërisht jo-stabile dhe ka probleme të mëdh për të siguruar shumicën e thjeshtë në parlament – këtu, pra, graviton dhe fuqia politike e AAK”.

Ndërsa, e treta, thotë analistja, kjo qeveri u formua me votën që e ka sjellur personalisht Haradinaj, përmes votës së ndikuar te deputeti Haxhi Shala.

“Andaj, si sponsorizuesi kryesor i kësaj qeverie, Haradinaj po duket që nuk ka humbur kohë duke kërkuar kthimin e këtij favori nga LDK. Pra, do të shantazhojë apo të manovrojnë politikisht rrugën e tij drejt presidencës, diçka që nuk e meriton Kosova”.

“Përveç të tjerash, kjo edhe është indikator i kapjes së shtetit dhe institucioneve kryesore, gjë që do e dëmtonte shumë demokracinë edhe ashtu fragjile në vend”, përfundoi Emini.

Situata e krijuar me pandeminë, dialogu me Serbinë dhe disa zhvillime tjera kanë shpërfaqur në publik telashet e partnerëve të koalicionit LDK-së dhe AAK-së.

Në korrik të 2019-s Ramush Haradinaj kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës, pas ftesës për intervistim që kishte pranuar nga Gjykata Speciale.