Foto: REL

Cila do të jetë agjenda e takimit të parë Kurti-Vuçiq?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq të martën e 15 qershorit do të kenë përballjen e parë në kuadër të dialogut mes të dyja vendeve në Bruksel, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evriopian.

BE-ja të mërkurën njoftoi për takimin të cilin e quajtën vazhdim të negociatave, përderisa kryeministri Kurti ka deklaruar se ky do të jetë një dialog i ri, i udhëhequr nga Qeveria e tij që mori besimin e qytetarëve të Kosovës më 14 shkurt të këtij viti.

Ulja në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, i paraprinë diskutimeve të shumta rreth një prej temave më “të nxehta” të këtij procesi – Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq kishte përsëritur kërkesën që Asociacioni të jetë pjesë e diskutimeve, kurse kryeministri kosovar Kurti ka thënë se nuk do të ketë Asociacion një-etnik.

Në lidhje me agjendën e takimit të 15 qershorit, Qeveria e Kosovës deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer ndonjë përgjigje për KALLXO.com.

Ndërsa, nga blloku evropian kanë bërë të ditur se në takimin Kurti – Vuçiq me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Josep Borrell, pritet të diskutohet për rrugën përpara në këtë proces.

“Ky do të jetë takimi i parë i dialogut të pranuar nga kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, prandaj është agjenda, ne presim që presidenti dhe kryeministri të diskutojnë rrugën përpara në dialog. Kjo është pika kryesore dhe qëllimi kryesor i diskutimeve, për të diskutuar rrugën përpara, sepse kemi një partner të ri në anën e Kosovës”, tha të mërkurën në konferencë për media zëdhënësi i BE-së Peter Stano.

Stano ka shtuar se dialogu nuk është i vjetër, por është një proces i vazhdueshëm, i lehtësuar nga BE-ja.

Opozita kritikon Kurtin për dialogun

Partitë opozitare në Kosovë kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për ndërrim qëndrimesh sa i përket procesit të dialogut me Serbinë, dhe kanë kërkuar që e njëjta të prezantojë platformë në Kuvendin e Kosovës.

Ushtruesi i Detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Enver Hoxhaj, ka thënë se presin që kryeministri i Kosovës Albin Kurti, të mos takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq më 15 qershor para se Serbia të kërkojë falje për gjenocid në Kosovë.

Sipas Hoxhajt, këto janë deklarime dhe pretendime që më herët i ka pasur Kurti.

“E dini se ai ka pretenduar që kurrë asnjëherë ai personalisht dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk do të ulen me Vuçiqin pa kërkuar falje Serbia për gjenocid dhe ne presim për këtë deri më 15 qershor, ose Kurti të mos shkojë në takim. Ai ka pretenduar që pa u gjetur i pagjeturi i fundit nuk do të ulej në takim. Dhe ne presim që deri më 15 qershor të gjenden të gjithë ata që i mungojnë familjeve në Kosovë, para se z. Kurti të merr pjesë në takim”, tha ai në një bashkëbisedim në Lëvizjen “FOL” të mërkurën.

Kreu i PDK-së, ka shtuar se Kurti duhet ta gjejë një konsensus me veten e tij, para se ta ftojë opozitën për konsensus për dialogun me Serbinë.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Albin Kurti ta prezantojë platformën në lidhje me dialogun me Serbinë.

Zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi në një konferencë për media ka thënë se Kurti i ka ndryshuar qëndrimet sa i përket kësaj çështje.

“Qëndrimi i LDK-së gjatë gjithë kohës për dialogun ka qenë që kryeministri Kurti para se të shkojë në Bruksel thjesht ta prezantojë platformën lidhur me dialogun Kosovë-Serbi”, tha ajo.

“Ndërkaq në anën tjetër e dimë qartazi që kryeministri Kurti gjatë fushatës ka potencuar gjatë gjithë kohës që fillimisht të kontaktojë dhe do të dialogojë me serbët në Republikën e Kosovës pastaj për të shkuar edhe në dimensionin tjetër. Duke pasur parasysh që Qeveria Kurti ka filluar t`i ndryshojë qëndrimet në mënyrë sistematike tani ende shoqëria kosovare mbetet në një amulli, në konfuzion se cila është strategjia po platforma e qartë, apo temat që do të diskutohen në dialog”, shtoi Halimi të mërkurën.

Të premten e kësaj jave, pikë e rendit të ditës në seancën e Kuvendit të Kosovës është edhe diskutimi mbi ecurinë e deritashme të procesit të dialogut me Serbinë, sipas kërkesës së kryeministrit Albin Kurti.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2011.

Një dekadë dialog Kosovë-Serbi