Një dekadë dialog Kosovë-Serbi

Tri vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova nisi dialogun teknik me Serbinë.

Më 8 mars të vitit 2011, u mbajt takimi i parë mes të dyja vendeve, për të pasuar me shumë të tjerë, me mbi 30 marrëveshje të arritura, shumica e të cilave nuk kanë gjetur zbatim as pas 10 vitesh negociata.

Procesi i dialogut i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur pas Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Nga ai teknik, dialogu Kosovë-Serbi kaloi në nivel teknik për normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve, në tetor të vitit 2012.

Në këtë fazë, dialog u ndërpre në nëntor të vitit 2018, pasi Kosova vendosi tarifë 100 për qind për produktet që importoheshin nga Serbia.

Ky vendim ishte marrë si kundërpërgjigje ndaj Serbisë, për shkak të fushatës kundër Kosovës në mos anëtarësimin në organizatën e sigurisë Interpol.

Procesi i negociatave rifilloi pas rreth 20 muajsh, në korrik të 2020-s.

Në kuadër të diskutimeve të shumta mbi përmbylljen e mundshme të negociatave me marrëveshje, “iniciativë e rrezikshme” u cilësua ajo për korrigjimin e kufijve, e nisur në vitin 2018 dhe e proklamuar nga ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në bisedimet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Një vit më parë, Bashkimi Evropian emëroi edhe emisarin special për dialogun Kosovë-Serbi, diplomatin sllovak Mirosllav Lajçak, me ndërmjetësim të të cilit u zhvilluan disa takime mes të dyja palëve, por që “përafrimi i qëndrimeve” ishte larg të arrihej.

Në anën tjetër, më 4 shtator të vitit 2020, me ndërmjetësim të ish-presidentit amerikan, Donald Trump palët nënshkruan një marrëveshje zotimesh në Shtëpinë e Bardhë.

Njëra prej  pikave të kësaj marrëveshje, ishte edhe që Kosovë të pezullojë për një vit aplikimin për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kurse Serbia të ndalë fushatën e saj për çnjohjen e Kosovës.

Pas një dekade, procesi i negociatave  i gjen palët në atë që quhet faza finale e dialogut, megjithëse marrëveshja përfundimtare “me njohje reciproke” duket të jetë ende larg të ndodhë.