Halimi: Qeveria Kurti të prezantojë platformën për dialogun me Serbinë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Albin Kurti ta prezantojë platformën në lidhje me dialogun me Serbinë.

Zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi në një konferencë për media ka thënë se Kurti i ka ndryshuar qëndrimet sa i përket kësaj çështje.

“Qëndrimi i LDK-së gjatë gjithë kohës për dialogun ka qenë që kryeministri Kurti para se të shkojë në Bruksel thjesht ta prezantojë platformën lidhur me dialogun Kosovë-Serbi”, tha ajo.

“Ndërkaq në anën tjetër e dimë qartazi që kryeministri Kurti gjatë fushatës ka potencuar gjatë gjithë kohës që fillimisht të kontaktojë dhe do të dialogojë me serbët në Republikën e Kosovës pastaj për të shkuar edhe në dimensionin tjetër. Duke pasur parasysh që Qeveria Kurti ka filluar t`i ndryshojë qëndrimet në mënyrë sistematike tani ende shoqëria kosovare mbetet në një amulli, në konfuzion se cila është strategjia po platforma e qartë, apo temat që do të diskutohen në dialog”, shtoi Halimi.

Sipas Halimit, rikthimi në marrëveshjet që janë ratifikuar sa i përket dialogut është tentim i Kurtit për t’iu ikur përgjegjësisë që ai ka.

Duke folur për seancën e Kuvendit të premten, zëdhënësja politike e LDK-së, tha që shpresojnë që Kurti të prezantojë pikat qendrore të platformës të dialogut dhe pastaj presin që po të njëjtën ta bëjë prezantimin se çfarë është diskutuar në Bruksel.

Të premten pikë e rendit të ditës në seancën e Kuvendit është edhe diskutimi mbi ecurinë e deritashme të procesit të dialogut me Serbinë, sipas kërkesës së kryeministrit Albin Kurti.