Drejtori i FKEE-së, Driton Hetemi, Foto: FKEE/Facebook

Britanikët e vlerësuan të paemërueshëm, anëtari i bordit të RTK-së emërohet drejtor në Fondin për Efiçiencë

Anëtari i bordit të RTK-së, Driton Hetemi, është zgjedhur drejtor i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë me mandat trevjeçar edhe pse nuk ishte kandidat i emërueshëm sipas ekspertëve britanikë.

Për dallim nga ekspertët britanikë të rekrutimit, Hetemi ishte vlerësuar si kandidati më i suksesshëm ndër 14 kandidatët e intervistuar nga komisioni vendor që drejtohej nga ish-kolegu i tij i punës, Alban Nevzati.

Ndërsa sipas rezultatit të ekspërtëve britanikë, nga 14 kandidatët që i kanë plotësuar kriteret dhe që janë intervistuar më 12 shtator 2023, kanë qenë vetëm dy kandidatë të suksesshëm. I pari është vlerësuar kandidati Burim Leci, i cili mori 25.5 pikë nga totali prej 40 pikëve dhe Arben Avdyli, që është renditur i dyti me 23 pikë. Sipas praktikës së ekspertëve britanikë nga konkurset e mëparshme, kandidatët e vlerësuar nën 20 pikë, me më pak se gjysma e pikëve totale, konsiderohen të paemërueshëm.

Arben Avdyli është renditur i dyti sipas ekspertëve britanikë por edhe sipas vlerësimit të Komisionit vendor ai doli i dyti dhe mori 27.4 pikë. Ndërsa kandidati Burim Leci, i cili është vlerësuar si kandidati më i suksesshëm sipas britanikëve, sipas Komisionit vendor është renditur i katërti me 24.2 pikë apo 3.6 pikë më pak se Driton Hetemi.

Sipas rezultateve të Komisionit vendor, Driton Hetemi është renditur i pari, me vetëm 0.4 pikë më shumë se Arben Avdyli që është renditur i dyti. Renditja sipas rezultateve të Komisionit vendor: 1. Driton Hetemi (27.8 pikë), 2. Arben Avdyli (27.4 pikë), 3. Artor Bërdyna (25.6 pikë), 4. Burim Leci (24.2 pikë), 5. Riza Spanca (22.4 pikë), 6. Ilir Rama (21 pikë), 7. Arton Ahmeti (18.4 pikë), 7. Neshat Shala (18.4 pikë), 9. Mahir Blaku (19.4 pikë), 10. Fatmir Gërguri (15.2 pikë), 11. Izet Çelaj (14.8 pikë), 12. Bashkim Bajrami (12 pikë), 13. Bashkim Ibrahimi (11.8 pikë), 14. Agron Sylqa (9.8 pikë).

KALLXO.com ka kërkuar një koment nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë në lidhje me rezultatet e publikuara nga ekspertët britanikë në lidhje me intervistat e realizuara me kandidatët për drejtor të FKEE-së. Të njëjtit nuk e kanë komentuar.

“Si rrjedhojë e këtij procesi të vlerësimit dhe përzgjedhjes, Driton Hetemi ka marrë më së shumti pikë nga të pesë anëtarët e komisionit vlerësues. Pas përpilimit të listës finale, në të cilën Driton Hetemi është radhitur i pari, propozimi për emërim të Drejtorit Menaxhues është përcjellë në Bordin e FKEE-së, të cilët me shumicë votash kanë emëruar Driton Hetemin, si Drejtor Menaxhues të FKEE-së me një mandat 3-vjeçar”- kanë thënë nga FKEE për KALLXO.com.

Konkursi për drejtor të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë është hapur më 1 gusht 2023 dhe ka qëndruar i hapur deri më 21 gusht 2023. Në këtë konkurs kanë aplikuar gjithsej 34 kandidatë. Gjatë shqyrtimit të aplikacioneve, Komisioni ka vlerësuar se 14 kandidatë kanë përmbushur kriteret dhe 20 nuk kanë përmbushur.

Ish-kolegu në komision vlerësues

Komisioni vlerësues vendor për pozitën e drejtorit menaxhues të FKEE-së ka qenë i bërë nga pesë persona, Alban Nevzati – kryetar dhe katër anëtarët e tjerë, Leonita Shabani Mullarama, Nora Arifi, Sadri Rrmoku dhe Visar Hoxha.  

Kryetari i  Komisionit vlerësues, Alban Nevzati, ka qenë koleg me Driton Hetemin dhe kanë punuar së bashku në një kompani private në Kosovë. KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga FKEE, të cilët e kanë pranuar se të dy kanë punuar në kompaninë “Swinto”, mirëpo më nuk janë pjesë e kësaj komanie.

Sipas të dhënave nga profilin e Linkedin të Driton Hetemit, ai ka qenë pjesë e kompanisë “Swinto” që nga viti 2021 deri në vitin 2023. Ndërsa në profilin e Alban Nevzatit figuron që ka qenë pjesë e kompanisë “Swinto”, ndërsa sipas FKEE-së, Nevzati nuk është më pjesë e kompanisë “Swinto” që nga shkurti i vitit 2023.

KALLXO.com ka pyetur FKEE-në për një konflikt të mundshëm të interesit mes Hetemit dhe Nevzatit, pasi të njëjtit kanë punuar së bashku. 

“Ju informojmë se Alban Nevzati nuk është pjesë e kompanisë “Swinto” që nga muaji shkurt i këtij viti, kur edhe është shkëputur nga të gjitha rolet atje (pronësore dhe mbikëqyrëse)” – thuhet në përgjigjen e tyre.

Edhe për Driton Hetemin kanë thënë se nuk është më pjesë e kompanisë “Swinto”.

“I njëjti ka filluar punën në FKEE si Drejtor Menaxhues, pas propozimit të Komisionit Vlerësues dhe pas emërimit nga Bordi i FKEE-së, në harmoni me dispozitat e Ligjit Nr. 06/L-079 për Efiçiencë të Energjisë dhe ato të rregulloreve të brendshme me të cilat FKEE operon”- kanë thënë nga FKEE.

Në RTK dhe në FKEE – çka tha Antikorrupsioni?

Drejtori i ri menaxhues i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Driton Hetemi, që nga dhjetori i vitit 2021 është edhe anëtar i bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK).

Nëse bie ndesh me ligjin për mbajtjen e dy pozitave, Hetemi ka thënë se i është drejtuar Agjencisë Kundër Korrupsionit.

“Në mënyrë që të sigurohem nëse roli im në RTK nuk bie ndesh ligjërisht me rolin tim eventual në FKEE, une iu kam drejtuar Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (AKP), të cilët e kanë trajtuar rastin konform mandatit të tyre dhe legjislacionit në fuqi” – ka thënë Hetemi për KALLXO.com.

Hetemi ka thënë se sipas përgjigjes së Agjencisë Kundër Korrupsionit që ai ka marrë, ai ka të drejtë të ushtrojë të dy funksionet njëkohësisht, por që në pozitën e anëtarit të bordit në RTK nuk ka të drejtë shpërblimi me pagesë. 

“Kufizimi i parë përcakton se “zyrtari i lartë nuk mund të jetë jetë anëtar i më shumë se një organi drejtues të institucioneve të tjera publike”. Pra zyrtari i lartë (në këtë rast Drejtori Menaxhues i FKEE-së) ka të drejtë të jetë anëtar i vetëm një (por jo më shumë se një) organi drejtues të institucioneve tjera publike (në këtë rast anëtar i Bordit të RTK-së). Kufizimi i dytë përcakton se “zyrtari i lartë (Drejtori Menaxhues i FKEE-së), në cilësinë e anëtarit të organit drejtues të institucioneve tjera publike (RTK), nuk ka të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me të” – ka thënë Hetemi duke iu referuar një përgjigje të AKK-së që thotë se ai e ka marrë.

Drejtori i ri i FKEE-së dhe anëtari i bordit të RTK-së, Driton Hetemi, ka thënë se ka hequr dorë nga kompensimi mujor finanaciar në RTK dhe nga çdo kompensim tjetër. Për pozitën e re në FKEE, Hetemi ka thënë se e ka njoftuar bordin e RTK-së në mbledhjen që është mbajtur më 9 tetor 2023.

“Unë kam njoftuar Bordin lidhur me emërimin tim dhe kam kërkuar nga menaxhmenti që të mos aplikojë kompensimin tim financiar për angazhimin si anëtar i Bordit të RTK-së, që nga momenti kur kam filluar detyrën në FKEE, dhe deri sa të shërbej aty, së paku për një kohë të caktuar sipas nevojës dhe arsyeshmërisë. Pra, unë në përputhje me këtë, kam hequr dorë nga kompensimi mujor financiar, por edhe nga çdo kompensim tjetër nga RTK” – tha Hetemi. 

Drejtori i ri i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Driton Hetemi, sipas biografisë së shkurtër që është publikuar në faqen e FKEE-së, ka përvojë të dëshmuar në menaxhim dhe zbatim të projekteve, duke mbajtur pozita menaxhuese për mbi një dekadë. 

Në krye të këtij fondi para zgjedhjes së Hetemit ka qenë Ahmet Ismaili, i cili që nga 14 qershori i vitit 2023 është zgjedhur Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës e më herët ka qenë drejtor i Thesarit të Shtetit në Ministrinë e Financave.

Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë është themeluar me miratimin Ligjit për Efiçiencën e Energjisë në vitin 2018. FKEE si institucion synon të arrijë objektivat e Republikës së Kosovës në Efiçiencën e Energjisë, duke nxitur, mbështetur dhe zbatuar masa të efiçiencës së energjisë, si dhe të tërheqë dhe menaxhojë burime financiare në mënyrë që të financojë dhe zbatojë projekte investive në fushën e efiçiencës së energjisë.