Foto: Komuna e Ferizajt

Blerjet e shtrenjta gjatë pandemisë, institucionet shpenzuan rreth 1.5 milion euro për dezinfektim

Institucionet e Kosovës kanë paguar çmime të ndryshme për dezinfektim të objekteve dhe hapësirave të jashtme si masë për parandalim të shpërndarjes së COVID-19, duke u shpenzuar rreth 1.5 milion euro. Pjesa më e madhe e kontratave janë nënshkruar me procedurë të negociuar gjatë në tre muajve të parë kur është konstatuar rasti i parë i infektuar me virusin që shkakton pandeminë COVID-19 në Kosovë.

Tashmë shumë institucionet kanë nisur të bëjnë dezinfektimin vet, por kjo gjë po shihet si rrezik nga ekspertët për shkak se duhet ekspertizë për kombinimin e preparateve që bëjnë dezinfektimin e objekteve dhe hapësirave të jashtme.

Institucionet kanë paguar prej 0.11 euro deri në 1 euro për metër katror të dezinfektuar. Disa prej komunave kanë paguar çmime prej 0.50 euro për metër katror të dezinfektuar.

Lulzim Katanolli kryetar i “Shoqatës DDD Kosova”, thotë se është abuzuar me çmime për dezinfektim të objekteve dhe hapësirave të jashtme. Ai ka thënë se çmimi real do të duhej të ishte nga 0.17 deri në 0.27 euro për metër katror, në vartësi të preparateve që kanë përdorë dhe distancës së objekteve që do të duhej të dezinfektoheshin.

Ai thotë se edhe dezinfektimet nën një çmim të arsyeshëm janë të rrezikshme meqë mund të përdorën preparate që nuk e arrijnë qëllimin e dezinfektimin, pra nuk kanë efektin për parandalim të shpërndarjes së virusit.

“Përveç preparateve, duhet pasur parasysh distancën e objekteve, kostot e punëtorëve dhe amortizimin e pajisjeve. Por, preparatet që përdorën janë kostot kryesore të dezinfektimin”, ka thënë Katanolli.

Komuna e Gjakovës kishte nënshkruar kontratë me kompaninë “Truly Nolen” për dezinfektim të objekteve me datën 26 mars 2020, apo vetëm 13 ditë pasi ishte lajmëruar rasti i parë i infektuar me COVID-19 në Kosovë.

Në kontratën e nënshkruar me procedurë të negociuar është paraparë dezinfektimi i objekteve të institucioneve publike, por edhe disa ndërtesa kolektive në të cilat ishin lajmëruar rastet e para të infektuara me COVID-19. Çmimi I kontraktuar për dezinfektimin e 1 metër katror ishte 0.23 euro.

Përjashtim bënte vetëm dezinfektimi I hapësirave të jashtme që kishte një çmim prej 0.22 euro për m2 dhe ishte paraparë dezinfektimi i 60 mijë metrave katrorë. Në total, në këtë kontratë ishte paraparë të shpenzoheshin 98 mijë e 800 euro për dezinfektimin e 200 mijë metrave katror objekte dhe 60 mijë hapësirë e jashtme.

Në të njëjtën kohë, me 23 mars kishte nënshkruar kontratë për dezinfektim të objekteve dhe hapësirave publike edhe komuna e Podujevës. Kjo komunë kishte nënshkruar kontratë me procedurë të negociuar me kompaninë “DDD Shpk” për dezinfektim të hapësirave të jashtme për 0.19 euro për metër katror, ndërsa 0.24 euro për metër katror për dezinfektimin e objekteve.

Komuna e Ferizajt kishte nënshkruar kontratë për dezinfektim e objekteve dhe hapësirave publike me 22 prill 2020 me kompaninë “Ekologjia”. Në kontratën e nënshkruar me procedurë të negociuar nuk janë dhënë detaje për objektet dhe hapësirat që do të dezinfektohen, mirëpo ishte vendosur vetëm çmimi për metër katror dhe totali që ishte paraparë të dezinfektohet.

Nuk është ndarë çmimi për dezinfektim të hapësirave të jashtme dhe objekteve, siç kanë vepruar komunat tjera. Është caktuar që komuna të paguajë 0.47 euro për dezinfektim të një metri katror.

Është paraparë që komuna të shpenzojë 50 mijë euro për dezinfektim të hapësirave dhe objekteve komunale. Ky çmim i paguar nga komuna e Ferizajt është më i lartë se çmimet e paguara nga institucionet tjera për të njëjtin shërbim.

E njëjta kompani, “Ekologjia” kishte nënshkruar kontratë për dezinfektim të objekteve dhe hapësirave publike edhe me komunën e Shtimes. Kontrata ishte nënshkruar me datën 23 prill 2020. Për dezinfektimin e hapësirave të jashtme ishte kontraktuar një çmim prej 0.27 euro, kurse për objektet publike është caktuar një çmim prej 0.32 euro. Në total, vetëm për këtë kontratë komuna e Shtimes ka shpenzuar 33 mijë e 289 euro.

Komuna e Suharekës kishte nënshkruar kontratë për dezinfektim të objekteve dhe hapësirave të jashtme me biznesin “Samire Osmani B.I” me datën 14 prill 2020. Kontrata në vlerë prej 19 mijë e 840 euro ishte nënshkruar me shumë detaje: secili objekt kishte çmim të veçantë të dezinfektimit.

Objektet që kishin sipërfaqe të madhe për tu dezinfektuar kishin një çmim më të lirë krahasuar me ato me sipërfaqe më të vogël, që ishin deri në tri herë më të shtrenjta.

Në kontratën e nënshkruar me procedurë të negociuar çmimi për dezinfektim të objektit të komunës ishte vetëm 0.30 euro për m2. Objektet tjera kishin një çmim prej 0.35 euro, 0.50, por kishte objekte që ishte caktuar një çmim prej 1 euro për m2.

Njëra prej komunave që kishte paguar më së liri për dezinfektim të hapësirave ishte ajo e Dragashit. Kjo komunë kishte nënshkruar dy kontrata për dezinfektim të objekteve dhe hapësirave të jashtme me procedurë të negociuar.

Kontratën e parë e kishte nënshkruar me 23 mars 2020 me kompaninë “DDD Preventiva” në vlerë 5 mijë euro. Dezinfektimi për një metër katror ishte kontraktuar për vetëm 0.10 euro. Kurse, kontratën e dytë e kishte nënshkruar me 15 maj 2020 me kompaninë “Alfa DDD”.

Kontrata që kishte një vlerë totale prej 9 mijë euro kishte paraparë çmime dukshëm më të lira se sa kontrata e nënshkruara nga komunat tjera. Dezinfektimi i objekteve dhe hapësirave publike ishte kontraktuar për vetëm 0.09 euro (9 cent) për metër katror.

Për dallim nga Dragashi, Komuna e Obiliqit kishte paguar një çmim dukshëm më të lart për dezinfektim të objekteve dhe hapësirave të jashtme. Kjo komunë ka nënshkruar tri kontrata për dezinfektim, të gjitha me procedura të negociuara. Kontrata e parë e nënshkruar me 20 mars 2020 me kompaninë “DDD shpk” për dezinfektimin e 18 mijë e 746 metra katror në vlerë të përgjithshme prej 10 mijë e 685 euro, apo 0.57 euro për m2. Edhe kontrata e dytë është nënshkruar me kompaninë e njëjtë.

Edhe pse në titullin e kontratës thuhet dezinfektim, deratizim dhe deinsketim të objekteve publike, tek punët që duhet të kryhet thuhet se do të bëhet vetëm dezinfektimi i objekteve sipas nevojës. Kontrata është nënshkruar me 2 prill 2020 me kompaninë “DDD shpk” për dezinfektimin e 50 mijë metra katror për 24 mijë e 500 euro apo 0.49 euro për m2.

Komuna e Prishtinës kishte nënshkruar pesë kontrata për dezinfektim të objekteve dhe hapësirave publike, vetëm njërën prej tyre me procedurë të hapur.

Kontratën e parë për dezinfektimi i objekteve të KPSH-së në Komunën e Prishtinës dhe institucioneve tjera komunale e kishte nënshkruar me datën 26 prill 2020 me kompaninë “Truly Nolen”, në vlerë  41 mijë e 557 euro, ndërsa çmimi për metër katror ishte 0.20 euro.

Me çmim të njëjtë, prej 0.20 euro për m2 ishte nënshkruar edhe kontrata për dezinfektimi i hyrjeve te objekteve te reja banesore në vlerë 15 mijë e 600 euro me kompaninë “Doctor Exterminator DDD”. Kurse me 20 gusht 2020, ishte nënshkruar edhe një kontratë e re nga Komuna e Prishtinës me kompaninë “Krasniqi Sh.P.K” në vlerë të përgjithshme prej 14 mijë e 940 euro apo vetëm 0.088 euro (8.8 cent) për m2.

Komuna e Prishtinës në dhjetor të vitit 2020 ka nënshkruar një kontratë me kompaninë “DDD shpk”, në tenderin me procedurë të hapur. Tenderi ishte hapur në qershor të vitit 2020, mirëpo kontrata ishte nënshkruar vetëm në muajin mars të vitit 2021. Çmimi i kontraktuar për këtë kontratë ishte 0.19 euro për 1 metër katror.

Ky çmimi ishte më i larti që është ofertuar, ndërsa ofertat tjera ishin eliminuar nga gara si të papërgjegjshme.

Komuna e Mitrovicës se Jugut e kishte nënshkruar një kontratë për dezinfektim në vlerë prej 11 mijë e 377 euro me kompaninë “Eko DDD”. Me këtë kontratë është paraparë dezinfektimi i 45 mijë e 511 m2, që i bie që janë paguar 0.24 euro për m2.

Kontrata ishte nënshkruar me 20 prill 2020 dhe ishte realizuar me procedurë të negociuar. Komuna e Vitisë e kishte nënshkruar kontratën për dezinfektim me kompaninë “Ekologjia” me 20 mars 2020. Çmimi për dezinfektim të hapësirave të brendshme të objekteve ishte caktuar 0.29 euro, kurse hapësirat e jashtme janë dezinfektuar me një çmim prej 0.27 euro.

Qendra e Studenteve ka paguar vetëm 0.13 euro për m2 për dezinfektim të objekteve të brendshme. Kontrata ishte nënshkruar me procedurë të negociuar me datë 6 maj 2020 dhe kishte një vlerë të përgjithshme prej 97 mijë euro.

Komuna e Fushë Kosovës ka shkelur rregulloren e KRPP-së duke mos i publikuar fare kontratat e nënshkruara për dezinfektim te objekteve dhe hapësirave publike.

Pjesa më e madhe e kontratave për dezinfektim janë të nënshkruara në pjesën e parë të vitit 2020, apo menjëherë pas shfaqjes së rasteve të para me COVID-19 në Kosovë. Gjatë pjesës së dytë të vitit 2020 dhe pjesën e parë të vitit 2021 ka shumë më pak kontrata të nënshkruara. Nga Shoqata e kompanive që merren me dezinfektim thonë se institucionet kanë filluar që vet të bëjnë dezinfektimin e hapësirave të brendshme të objekteve.

Lulzim Katanolli kryetar i “Shoqatës DDD Kosova” ka thënë se institucionet nuk kanë të drejtë që të bëjnë dezinfektimin e hapësirave meqë nuk i kanë dy prej parakushteve kryesore: trajnimin e punëtorëve për të bërë dezinfektim dhe kombinim të preparateve si dhe nuk kanë pajisje të përshtatshme për dezinfektim të objekteve.

Katanolli tha se jo çdo pompë është e përshtatshme për dezinfektim kundër shpërndarjes së infeksioneve.

“Disa prej pompave që po i shohim që i përdorin për dezinfektim janë për patate, mirëpo në asnjë mënyrë nuk mund të përdorën për dezinfektim të hapësirave të brendshme meqë mbrojtja do të zgjas vetëm 3 orë. Me pompat për dezinfektim dhe pajisjet që përdorin disa prej kompanitë e licencuara mbrojta është 21 ditë”, ka thënë ai.

Katanolli që është epidemiolog me profesion thotë se gabimi në kombinimin e preparateve për dezinfektim mund të jetë shumë i rrezikshëm për pajisjet që janë në brendësi të objektit por edhe për vetë shëndetin e banorëve.

Ai thotë se para se të shpallet pandemia kanë qenë rreth 50 kompani të licencuara për dezinfektim, ndërsa për një kohë të shkurt numri ka shkuar në 132 kompani.

“Në të kaluarën kemi qenë 12-13 kompani aktive në këtë biznes, ndërsa për një kohë të shkurt kanë filluar shumë biznese që të merren me dezinfektim përkundër që nuk kanë pasur as përgatitjen e as pajisjet e nevojshme për të bërë një gjë të tillë”, ka shtuar kryetari i shoqatës së kompanive që merren me dezinfektim.

Pjesa më e madhe e këtyre kontratave janë nënshkruar në pjesën e parë të vitit 2020. KALLXO.com ka hulumtuar tregun për të parë çmimet për dezinfektim. Nëse kërkohet çmim për dezinfektim të hapësirave më të mëdha, pra rreth 1,000 metra katror çmimi për dezinfektim është më i lirë. Njëra nga kompanitë e kontraktuara ka ofertuar një çmim fillestar prej 0.15 euro për m2. Kurse, më pas ka ofruar edhe lirim.

Prej kompanive tjera janë pranuar oferta edhe më të lira. Njëra nga kompanitë ka ofertuar me çmim prej 0.12 euro, por kishte edhe çmime të ofruara prej 0.20 euro. Për shkak se oferta është kërkuar për sipërfaqe më të vogla, çmimi i kompanive ndryshonte edhe për lokacionin që do të bëhet dezinfektimi.

Pjesa më e madhe e kontratave për dezinfektim janë lidhur përmes procedurës të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë. Kjo procedurë vazhdimisht është kritikuar meqë përveç që kufizon konkurrencën është më e ndjeshme ndaj aferave korruptive. Institucionet kanë përdorë procedura të ngjashme edhe për shpenzime tjera të bëra gjatë kohës së pandemisë siç janë blerja e dezinfektueseve, maskave mbrojtëse e barnave.

Ky artikull është botuar në kuadër të projektit “Kontribut në gjetjen e shkeljeve në prokurim publik të institucioneve në luftën kundër pandemisë COVID-19” i financuar nga BE, zbatuar nga Demokraci Plus (D+). Përmbajtja e këtij shkrimi është përgjegjësi e vetme e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Bashkimit Evropian.