Sheshi para Qeverise dhe Kuvendit të Kosovës - FOTO: KALLXO
Viti i formimit dhe rrëzimit të dy qeverive
Ndonëse kohë e shpërthimit të pandemisë-COVID-19, gjatë vitit 2020 në Kosovë u formuan dhe u rrëzuan dy qeveri.
Fillimi i shkurtit i pati sjellë vendit qeverinë e re, me koalicionin mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, katër muaj pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare që ishin mbajtur në tetor të 2019-s.
Por, kjo qeveri pa fundin e saj vetëm pas 50 ditësh në pushtet, pasi rrëzimi i saj u mundësua nga një mocion i mosbesimit që e inicioi vetë partneri qeverisës, LDK-ja.
Për disa javë Qeveria Kurti mbeti në detyrë, ndërkaq qershori e gjeti Kosovën me ekzekutiv të ri, kësaj radhe me kryeministër që vinte nga LDK-ja, Avdullah Hotin.
Pas gjashtë muajsh, Qeveria Hoti pati të njëjtin fat, ndonëse nga një faktor tjetër.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, më 21 dhjetor e shpalli të pavlefshme qeverinë, duke konstatuar se e njëjta nuk kishte qenë asnjëherë legjitime, pasi për votimin e saj ishin vetëm 60 vota të vlefshme të Kuvendit të Kosovës.
Kushtetuesja konkludoi se vota e deputetit Etem Arifi nuk vlente, pasi i njëjti kishte votuar duke qenë i dënuar në formë të prerë nga organet gjyqësore, për mashtrim me subvencione.
Mes tjerash, Gjykata Kushtetuese urdhëroi edhe shkuarjen në zgjedhje brenda 40 ditësh, kurse deri në atë kohë, Qeveria Hoti do të mbetet në detyrë.
Kurse, viti 2021 do të karakterizohet me mbajtjen e dy palë zgjedhjeve në Kosovë.
Në fillim të vitit, qytetarët pritet t`u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur qeverinë e re, ndërsa në fund të vitit është koha e mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta lokale.
Njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë vlerësojnë se vendi kaloi zhvillime të bujshme politike e me shumë ndikim.
Analisti politik, Artan Muhaxhiri thotë për KALLXO.com se viti 2020 ishte një vit i çrregullt për gjithë botën, pasi sipas tij ndodhën ngjarje të cilat deri më tash ishin pothuajse të paparamendueshme në kontekstin e ndikimeve shumëdimensionale dhe ndryshimeve të sistemeve jetësore.
Muhaxhiri shton se Kosova kaloi nëpër problematika të mëdha politike.
“Ato nisën me të zhagmiturit e krijimit të ‘Koalicionit të Shpresës’, pastaj vazhduan me rënien e shpejtë të Qeverisë Kurti dhe formimin e Qeverisë Hoti pa mbështetje të konsoliduar në Kuvend, ndërsa përfunduan me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhje të reja”, shprehet ai.
Analisti tutje ka theksuar se konfirmimi i aktakuzave të Gjykatës Speciale ndaj ish udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e tronditi skenën për shkak të pushteteve politike dhe institucionale që përfaqësonin Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
“Në vend se të ishte vit i transformimeve pozitive në kulturën tonë politike, 2020-ta u bë një indikator i ri i potencialit për stagnim”, vlerëson Muhaxhiri.
Kurse, analistja politike Donika Emini vlerëson se zhvillimet politike që nga zgjedhjet e 6 tetorit kanë vënë në pah nivelin e “kapjes së shtetit” në Kosovë si dhe sfidat e një “demokracie fragjile”.
“Përveç kapjes së shtetit nga elita e vjetër politike, ky vit ka dhënë indikacion që Kosova ka nevojë për reformim të thellë duke filluar me Kushtetutën – e cila siç po duket nuk po mundet të i përgjigjet krizave në terren, reforma zgjedhore që është mbajtur peng me qëllim nga partitë politike”, tha Emini për KALLXO.com.
Ajo ka shtuar se nëse kjo shihet nga perspektiva e shtet-ndërtimit, këto kriza të njëpasnjëshme veç vënë në pah faktin që ky proces është duke dështuar në Kosovë.
“Kjo natyrisht që çon mesazh shumë negativ sidomos për faktin që Kosova për një kohë të gjatë është trajtuar si rast (intervenim) i suksesshëm i komunitetit ndërkombëtar, tash me dështimin në proces të shtet-ndërtimit, Kosova po e dëshmon të kundërtën”.
Analistja thotë se kjo po bëhet falë elitës politike e cila sipas saj, përveç që nuk ka vizion, është e fokusuar në qëllime personale dhe partiake, e jo interesa nacionale.
Kurse, vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila e shpalli Qeverinë Hoti të pavlefshme, Emini e quan të vonshëm.
“E para, është e çuditshme se si një rast me kaq rëndësi të shqyrtohet me kaq vonesë sepse ka pas raste si ajo e Fatmir Sejdiut dhe Behgjet Pacollit [ish-[presidentët] që janë trajtuar me urgjencë, kurse për votën e Etem Arifit me një rast të qartë është dashur gjashtë muaj kohë”, shprehet analistja.
Emini ka shtuar për KALLXO.com se “po duket sikur ky vendim veç është marr në momentin kur është pa si e pamundur nga elita politike për të mbajtur pushtetin me çdo kusht si dhe dështimet për të gjetur zgjidhje rreth pozitës së presidentit”.
Megjithatë, shton ajo ky vendim e çon vendin në zgjedhje, diçka që është kërkuar me ngulm që nga marsi “kur u rrëzua qeveria Kurti në mënyrë të orkestuar”.
Analistja thotë se zgjedhjet do të qartësojnë çështjen e legjitimitetit politik dhe vullnetit të qytetarëve – diçka që siç shprehet ajo, prej zgjedhjeve fundit është shtrembëruar disa herë.
“Mirëpo, me polarizimin e skajshëm të elitës politike, krizat mund të jenë të pashmangshme”, theksoi Emini, duke shtuar se zgjedhjet parlamentare, formimi i qeverisë si dhe dakordimi për pozitën e presidentit do të bëjnë shumë të vështirë situatën politike pas zgjedhjeve.
“Çka pritet, megjithatë, është që fitorja e partisë së parë – që projeksionet e tregojnë Vetëvendosjen si fituese – të jetë me thellë duke qartësuar rolin e partnerëve në koalicion dhe si pasojë rolin e partnerëve në qeverisje. Gjithashtu, do të ketë zhvillime interesante në raport e partnerët për qeverisje për shkak të ndarjes së thellë në mes të VV dhe të tjerave parti politike”.
Stabiliteti “i paarritshëm” politik
Analisti politik Artan Muhaxhiri shprehet se viti i ardhshëm do të jetë jashtëzakonisht sfidues për spektrin politik kosovar.
“Zgjedhjet e reja parlamentare dhe procesi i zgjedhjes së presidentit do t’i ballafaqojnë partitë me imponime për bashkëpunime dhe kompromise. Për shkak të përçarjeve të thella përbrenda spektrit politik kosovar, është vështirë e pritshme që këto etapa të sjellin stabilitet dhe konsolidim institucional”, tha ai për KALLXO.com.
Muhaxhiri ka folur edhe rreth gjendjes së partive politike në Kosovë, karshi situatës së krijuar dhe në zhvillimet e pritshme gjatë vitit të ardhshëm.
“Përparësia aktuale e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në raport me partitë tjera është evidente, mirëpo janë shumë faktorë prej të cilëve varet deri në ç’masë kjo gjendje do të mund të përkthehet edhe në rezultatin final zgjedhor. Rritja e madhe në elektorat domosdoshmërisht do t’i shtojë presionet e shumanshme ndaj saj dhe Albin Kurtit”, thotë ai.
Muhaxhiri shton se Lidhja Demokratike e Kosovës sërish është para një udhëkryqi të madh vendimmarrës, prandaj do t’i duhet të gjejë fuqi dhe vullnet për ndryshime radikale jo vetëm sa i takon përcaktimit të kandidaturës për kryeministër, por edhe të garancive për përkrahje të vazhdueshme nga përbërja e një lidershipi të transformuar të udhëheqësisë partiake.
Sipas tij, PDK-ja e gjen veten në momentum të brishtësisë për shkak të mungesës së Kadri Veselit, por edhe të Hashim Thaçit.
“Për këtë arsye, ajo do të tentojë ta faktorizojë Enver Hoxhajn në rolin e një lideri të ri, por edhe të krijojë mobilizim më të ndryshëm të strukturave – edhe emocional – me qëllim të tejkalimit të situatës së vështirë”, shtoi ai.
Kurse, siç thotë analisti politik AAK-ja i ka reduktuar ambiciet vetëm në synimin e postit presidencial për Ramush Haradinajn, kësisoj duke u bërë e parashikueshme sa u përket ofertave për bashkëpunim.
Në anën tjëtër, Muhaxhiri thekson se suksesi elektoral i Vjosa Osmanit do të kushtëzohet nga formati i aleancës me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, por edhe nga angazhimi në terren dhe personalitetet që do ta përkrahin.
“Përgjithësisht, raportet e pushteteve do të duhen të jenë dinamike, sepse do të jetë e pamundshme që vendimet e mëdha institucionale të merren me naivitete populiste, bllokada intimiduese dhe tendenca meskine”, përfundoi ai.
Kurse, njohësja e çështjeve politike në vend, Donika Emini thotë se në vitin e ardhshëm, stabiliteti politik është vështirë të arrihet, pasi sipas saj vendi po kalon nëpër sfida të mëdha, si pandemia, dialogu si dhe rimëkëmbja ekonomike.
“Zgjedhjet nuk i japin fund as kapjes së shtetit, sepse ky proces është kompleks dhe kërkon kohë, mirëpo do të jenë një hap tutje rreth përmirësimit të gabimeve që janë bërë gjatë 2020 nga elita e vjetër politike duke futur vendin në krizë pa e pasur parasysh dëmin që po ja bëjnë vendit dhe demokracisë fragjile që ka Kosova”, përfundoi ajo për KALLXO.com.
Historiku i formimit dhe rrëzimi të qeverive të 2020-ës
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) deklarimet, dallimet dhe takimet e disa muajve patën arritur t’i zyrtarizojnë në një koalicion të dielën e 2 shkurtit 2020, gati 4 muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.
Pas një sërë takimesh mes grupeve punuese të të dyja subjekteve për harmonizimin e programit të përbashkët qeverisës, si dhe dhjetëra takimeve në nivel kryetarësh, lideri i LVV-së, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa i vunë firmën një dokumenti për qeverisje të përbashkët në 4 vitet e ardhshme, duke lëshuar pe për pozitat për kryeparlamentarin dhe për president të vendit.
Por e kaluara “e errët” e marrëdhënieve mes dy liderëve të këtyre partive politike ishte ende është e freskët për t’u kujtuar.
Që pas tërheqjes së kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa në vitin 2014 nga marrëveshja e koalicionit VLAN (LDK-LVV-AAK-Nisma) për t’iu bashkuar PDK-së në krijimin e Qeverisë, Kurti e Mustafa i prishën raportet aq fort sa ofendonin njëri-tjetrin.
Vetëvendosje me protesta të dhunshme kundërshtonte marrëveshjet që silleshin nga Qeveria Mustafa, përderisa kjo e fundit e akuzonte LVV-në për bllokim të çështjeve në interes të vendit.
Por votat e qytetarëve në zgjedhjet e 6 tetorit, të cilat LVV-në e nxorën të parën e LDK-në të dytën, kanë ‘obliguar’ ata që të ndajnë ‘hiset’ në ekzekutiv, duka ua kërkuar ndryshimin për të mirë.
Megjithëkëtë, shkarkimi i Agim Veliut – njëri prej zyrtarëve më me ndikim në LDK, nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, nga ana e ish-kryeministrit Albin Kurti atë kohë, pasoi me vendimin e Kryesisë së LDK-së që të mos qëndrojë më në qeverisje me LVV-në.
Shkarkimi i Veliut ishte bërë me arsyetim, pas një deklarate të ndryshme të tij me Kurtin mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë.
Më 25 mars të vitit 2020, Qeveria Kurti u rrëzua me mocion mosbesimi nga Kuvendi i Kosovës, me 82 vota për, 34 kundër dhe 1 abstenim.
Ajo qëndroi në detyrë deri më 3 qershor, kur Kuvendi votoi Qeverinë e koalicionit të LDK-së, me subjektet e tjera politike, përveç LVV-së dhe PDK-së, të cilat u bënë opozitë.
Atë kohë, ish-presidenti Hashim Thaçi ia kishte dhënë mandatin LDK-së ta formojë Qeverinë, pasi LVV-ja e Albin Kurtit kishte referuar t’i jap një emër kandidati për kryeministër, duke kërkuar me domosdo shkuarjen në zgjedhje të reja.
Por Thaçi kishte mbledhur në një takim të gjitha subjektet politike parlamentare të Kosovës, për t’i pyetur nëse duan ose jo të shkojnë në zgjedhje.
Pak kohë pas themelimit të ekzekutivit të ri, u shfaqën problemet në koalicionin qeverisës, të cilat u shfaqën sidomos në Kuvendi, pasi qeveria nuk i kishte votat e nevojshme për të kaluar as pikat më të thjeshta.
Në nëntor skena politike në vend pësoi ndryshime rrënjësore, pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga pozita e presidentit, pasi ndaj tij u konfirmua aktakuza për krime lufte nga ana e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale.
Në këtë pozitë, sipas Kushtetutës u vendos kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila për gjashtë muaj më së largu, mund të jetë ushtruese e detyrës së presidentes.
Në diskutimet politike për të zgjedhur kreun e ri të shtetit, partitë shpërfaqën qëndrime të ndryshme se kush do të duhej të vendosej në atë pozitë.
Kur po pritej që të caktoheshin zgjedhjet për këtë arsye, gjendja u përmbys nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese e cila rrëzoi qeverinë e kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Ndërkohë, partitë më të mëdha politike në vend kanë shprehur optimizëm të lartë se do të dalin fituese nga procesi zgjedhor në fillim të vitit 2021.