Koalicioni qeveritar 'i dobët’ në Kuvend, nuk arrin të sigurojë deputetët për vendimmarrje

Koalicioni qeveritar i Kosovës, ka dështuar të jetë vendimmarrës në Kuvend, pasi gati në të gjitha seancat plenare, nuk po arrijnë që t’i grumbullojnë të gjithë deputetët që votuan për formimin e qeverisë.

Në mungesë të deputetëve pozitarë, në këtë sesion vjeshtor Kuvendi nuk ka miratuar asnjë ligj, në përjashtim marrëveshjeve ndërkombëtare.

Ndërsa, deputetët opozitarë, me mospjesëmarrjen e tyre nëpër votime e kanë për qëllim të shpërfaqin mungesën e shumicës parlamentare.

Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë për KALLXO.com se Kuvendi aktualisht i ka të papërfunduara rreth 35 pika nga të gjitha seancat që nuk kanë arritur të përmbyllen që nga muaji gusht për shkak të mungesës së kuorumit për vendimmarrje.

Sipas Haxhiut, gjatë sesionit vjeshtor, në kuadër të interpelancave dhe debateve parlamentare janë nxjerrë 10 propozim – rezoluta, prej të cilave vetëm një është miratuar ndërkaq edhe nëntë të tjera kanë mbetur në procedurë për miratim për shkak të mungesës së kuorumit në votim.

“Prej tyre janë pesë rezoluta që lidhen me dialogun Kosovë – Serbi, katër prej të cilave janë propozuar nga VV-ja dhe një nga PDK-ja”, tha Haxhiu.

Sipas saj, numri total i projektligjeve që janë aktualisht në procedurë në Kuvend është 27. Dhe 11 prej tyre sipas saj, janë në procedurë për miratim në lexim të parë në seancë.

Haxhiu shtoi se prej fillimit të sesionit vjeshtor Kuvendi nuk e ka miratuar asnjë ligj duke përjashtuar marrëveshjet ndërkombëtare.

“Aktualisht për miratim në shqyrtim të dytë në seancë është projektligji për rimëkëmbje ekonomike i cili për shkak të mungesës së kuorumit ende nuk është hedhur në votim. Kurse gjatë këtij sesioni, në procedurë për shqyrtim dhe miratim kanë qenë edhe gjashtë marrëveshje ndërkombëtare prej së cilave tri janë miratuar, ndërkaq tri të tjera janë ende në procedurë për shkak të mungesës së kuorumit në votim meqë për votimin e tyre duhen 2/3 e votave të të gjithë deputetëve”, shtoi Haxhiu.

Mungesa e kuorumit, sfidë kryesore e Kuvendit

Gjatë javës së kaluar më 11 nëntor, Kuvendi i Kosovës kishte thirrur seancë të jashtëzakonshme, për shqyrtimin e dytë të projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19.

Por, ende pa u filluar, kjo seancë është mbyllur nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani shkaku i mungesës së kuorumit pasi në sallë ishin rreth 30 deputetë.

Ky projektligj sa ishte diskutuar në lexim të parë kishte ngjallur debate në Kuvend.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, kishte rekomanduar që sa më parë të kalojë në lexim të parë projektligji për rimëkëmbje ekonomike nga pandemia COVID-19.

Ndërsa, kryetari i Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi kishte thënë se numrat për ta votuar projektligjin duhet t’i ketë qeveria. Selimi u kishte thënë partive në pozitë që mos të kërkojnë nga opozita t’jua plotësoj atë që është dashur ta ketë pozita.

“Këto 61 vota i gjetët për veti e për qytetarët nuk po i gjeni. Kalojeni more kush po ju ndalë, kalojeni e keni mazhorancen qeverinë. Nga opozita nuk do të duhej të kërkoni që t’i bëni 31 vota nga 61 prezent dhe e fundit nga opozita ndoshta edhe mund të kërkohej dhe s’ka mungu kontributi sa ju përket marrëveshjeve ndërkombëtare. Mos kërkoni prej nesh t’jua plotësojmë ne atë që është dashtë ta keni ju”, tha Selimi.

Edhe deputeti i PDK-së Bedri Hamza kishte thumbuar duke thënë se asnjë anëtar i qeverisë nuk ishte prezent në sallë dhe sipas tij këtu shihet serioziteti i tyre.

“Për sa është e rëndësishme dhe sa janë serioz në këtë temë po shihet sepse nuk e kemi asnjë anëtar të qeverisë”, kishte thënë ai.

E pas gjashtë tentimeve, ky projektligj me 64 vota për kishte arritur të kaloj në lexim të parë më 12 tetor.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, pasi kishte përkrahur këtë projektligj, kishte thënë se si kryetare e Kuvendit në asnjë moment nuk është konsultuar, e as kontaktuar për t’iu kërkuar mbështetja për një ligj kaq të rëndësishëm.

Albert Krasniqi Demokraci Plus, ka thënë për KALLXO.com se është përgjegjësi e koalicionit qeverisës që të siguroj shumicën parlamentare për të kaluar nismat të cilat sponsorizohen prej vetë qeverisë.

Krasniqi tha se partitë në pushtet duhet të negociojnë me opozitën, ta gjejnë një gjuhë të përbashkët dhe të bëjnë kompromise për t’i kaluar çështjet të cilat janë në interes më të gjerë dhe kërkojnë 2/3 e shumicës parlamentare siç janë marrëveshjet ndërkombëtare.

“Ne kemi dështim të qeverisë sepse s’po i kemi votat as të deputetëve të cilët e kanë zgjedhur këtë qeveri, për t’i kaluar këto ligje të cilat sponsorizohen përmes kësaj qeverie. Gradualisht kështu po grumbullohen punët e Kuvendit. Aktualisht është një numër i madh i seancave plenare të cilat janë hapur, dhe pikat që kanë qenë në rend dite nuk kanë mundur të miratohen”, tha Kraniqi.

Krasniqi ka shtuar se kjo praktikë ka mbetur edhe nga qeveritë e kaluara.

Sa i përket mospjesëmarrja e opozitës nëpër votime Krasniqi tha se është më shumë taktizim  politik të cilin me të drejtë sipas tij po e bëjnë, duke treguar se qeveria nuk i ka numrat t’i kaloj as iniciativat e veta.

“Sa i përket qeverisë duhet që në radhë të parë shefat e Grupeve Parlamentare të jenë më të organizuar mos të caktojnë seanca kur e dinë se nuk i kanë deputetët e pranishëm në seancat plenare. Partitë kanë thirr seanca të jashtëzakonshme dhe nuk ka pas në seancë më shumë se 30 deputet”, tha ai duke treguar se partitë në pushtet nuk duhet të mbështeten në votat e partive në opozitë për t’i kaluar iniciativat e veta.

Opozita sipas tij mund të marrë pjesë në çështje që kanë interes por, pozita nuk mund të llogaris sipas tij gjithmonë në përkrahjen e tyre.

Krasniqi shtoi se qeveria nuk mund të sillet në mënyrë arrogante ndaj opozitës dhe se duhet t’i marrin parasysh vërejtjet dhe sugjerimet.

Krasniqi shtoi se kjo bllokadë që po bëhet me vite është fatale pasi sipas tij Kosova është ndër vendet më të  varfra në Evropë dhe është shtet i ri.

Krasniqi tha se duhet të  mundohen që të plotësohet infrastruktura ligjore.

Ndërsa, Agnesa Haxhiu, shtoi se mungesa e kuorumit në votim vazhdon të mbetet një prej sfidave kryesore të Kuvendit, edhe gjatë kësaj legjislature. Në këto javët e fundit sipas saj ka qenë shumë e theksuar.

Haxhiu shtoi se kjo bllokadë po bëhet pasi koalicioni nuk ka stabilitet.

“Padyshim që i takon koalicionit qeverisës që të siguroj numrat e nevojshëm për të kaluar të paktën çështjet që kërkojnë shumicë të thjeshtë të votave. Mirëpo sigurimi i kësaj shumice për qeverinë Hoti tashmë po duket goxha e pamundur për shkak të mungesës së stabilitetit të vet koalicionit”, tha Haxhiu.

Haxhiu shtoi se nëse Qeverisë i mungojnë votat, atëherë është detyrë dhe obligim i saj që të përafroj qëndrimet me opozitën duke inkorporuar kërkesat e tyre në mënyrë që t’i siguroj përkrahjen e saj të paktën për çështjet që janë të domosdoshme dhe ndihmojnë situatën e krijuar nga pandemia.

“AKR-ja ka deklaruar që tash e tutje do të operojë si opozitë me dy deputetë e saj në Kuvend, Lista Serbe ndonëse pa deklarim zyrtar nuk po merr pjesë në punime që ka 10 deputetë ndërkaq 6+ i ka kushtëzuar votat e tyre me shkarkimin e ambasadorit të Kosovës në Francë’, tha ajo.

Haxhiu tha se qeveria nuk do të mundet as ta jetësoj programin e saj qeverisës në tërësi sepse sipas saj ashtu siç po dëshmohet në seancat e fundit duke e bllokuar edhe punën në Kuvend, ka vazhdimisht probleme të theksuara me sigurimin e votave të nevojshme për të shtyrë çështjet përpara.