Foto: Komisioni i Pavarur i Mediave/ Facebook

Në kohën e dezinformatave, deputetët në udhëtime e me mungesa lënë KPM-në pa bord  

Në kohën kur qeveria dhe presidenca e Kosovës në vazhdimësi kanë përmendur se vendi është duke u goditur nga dezinformatat që vijnë nga jashtë – kryesisht nga Rusia dhe agjendat e tjera,  Kuvendi i Kosovës po vazhdon të dështojë në funksionalizimin e mbrojtësit të vetëm të frekuencës audio vizuale, KPM-së. 

Vizitat e deputetëve jashtë shtetit dhe mungesa e tyre në seancë e ka shtyrë për disa herë vendimmarrjen se kush duhet të jetë anëtar i Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM).

Disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje tashmë kanë deklaruar se nuk përkrahin qëndrimet e grupit parlamentar dhe kjo ka ulur ndjeshëm numrat e shumicës për të votuar ligje dhe marrë vendime.

Në mesin e vendimeve është edhe vendimmarrja për antarët e KPM-së.

Luljeta Aliu-Krasniqi, Granit Musliu, Xhevat Latifi, Violeta Hyseni-Kelmendi, Veton Kasapolli dhe Jeta Abazi-Gashi, janë në garë për tri pozitat në Bord të KPM-së, por Kuvendi nuk ka arritur t’i votojë emrat e tyre që nga dhjetori i vitit të kaluar.

Pasoja e mospunës së deputetëve ka krijuar bllokadë në komisionin i cili përpos që kontrollon televizionet dhe radiot, i kontrollon edhe rrjetet e transmetimit kabllor.

Të dhënat tregojnë që nga bllokada, 47 ankesa ndaj televizioneve e radiove dhe transmetuesve kanë mbetur pa u shqyrtuar.

“Që nga 16 tetori 2022, kur Komisioni i KPM-së ka mbetur pa kuorum, numri i ankesave të pranuara gjatë kësaj periudhe është 7 sosh.

Sa i përket Bordit për Ankesa, që nga 15 marsi i vitit 2021, kur ky Bord ka mbetur jofunksional, “gjatë vitit 2021 janë pranuar 21 ankesa, ndërsa gjatë vitit 2022 janë pranuar 26 ankesa”- thuhet në një përgjigje të KPM-së për KALLXO.com.

Në partinë që ka shumicën në Kuvendin e Kosovës – Lëvizjen Vetëvendosje, nuk kanë një përgjigje të saktë se kur emrat do hidhen në votim.

Kryetarja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila nuk ka dhënë një datë të saktë se kur do kryhet ky votim. 

“Javën e ardhshme planifikojmë me mbajtë seancë, me siguri një seancë me vazhdime, e një të re, po kjo mbetet me u definu në mbledhje të Kryesisë që mbahet të hënën ku caktohet edhe agjenda”- thotë ajo.

Për mosmbajtje të seancave në dy javët e fundit, ajo rendit disa arsye.  

“Seanca plenare nuk janë caktuar pasi ka pasur punë në grupe punuese për projektligjeve të proceduara më herët, ka pasur udhëtime të disa Komisioneve në agjenda të lajmëruara më herët, ndërsa në dakordim edhe me opozitën presim që t’i kthehemi orarit të mbajtjes së seancave prej të enjtes së ardhshme (25 maj 2023)”- ka shtuar Kusari-Lila.

Kusari-Lila shtoi se partia e saj “nuk ka problem” me çështjen e numrave, sa i përket dy pikave për KPM-në.

“Lëvizja Vetëvendosje i ka numrat. Ky votim bëhet i fshehtë, deri tash edhe në votime tjera të fshehta opozita ka marrë pjesë. Është çështje e tyre të marrim apo të mos marrin pjesë, po për ne nuk është problem”- tha ajo.

Më i qartë në përgjigje është deputeti tjetër i LVV-së, Valon Ramadani. 

Deputeti që e udhëheqë Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka krijuar siç thotë ai “përshtypjen” se në seancën e radhës kjo pikë është ndër të parat që do të shqyrtohet.

“Kam përshtypjen që në seancën e parë të vazhdimeve kjo pikë është e para”- ka thënë Ramadani.

Ai pret që kjo përzgjedhje nuk do bllokohet nga opozita. Këta të fundit kanë bllokuar disa procese votimi së fundmi për shkak të një konflikti të hapur në mes qeverisë dhe komunave për çështjen e financimit vetanak të komunave.

Ramadani ka theksuar se çështja e emërimit të tre anëtarëve të KPM-së nuk duhet të bllokohet nga deputetët opozitarë.

Nga partitë opozitare nuk ka ndonjë sinjal të qartë nëse ata do vazhdojnë me bojkotin, apo do bëjnë përjashtime në këtë proces.

Doarsa Kica-Xhelili nga LDK dhe Mergim Lushtaku nga PDK nuk janë përgjigjur në interesimin e KALLXO.com për të marrë një përgjigje për këtë temë.

Për mungesën e kuorumit në Kuvend për seanca, KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në adresë të shefit të deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, por i njëjti nuk ka kthyer ndonjë përgjigje. 

Kritika për mosemërimet në KPM 

Vonesat për emërimet në Komisionin e Pavarur të Mediave, po kritikohen nga njohës të mekanizmave të mediave. 

Ardita Zenjullahu nga Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës (AMPEK), thotë për KALLXO.com se vonesat në emërimin e anëtarëve të KPM-së dhe Bordit të ankesave në KPM, “janë të pashpjegueshme” dhe “tejet jo serioze”. 

Sipas saj, këto vonesa dhe reflektojnë neglizhencën e Kuvendit karshi një institucioni kaq të rëndësishëm siç është KPM-ja. 

Zejnullahu ka shtuar se shtyrja e funksionalizimit të KPM-së, ndikon negativisht në punën dhe dinamikën e punës së këtij mekanizmi.

“Shtyrja e pafund e zgjedhjes se anëtarëve të KPM-së dhe anëtarit të Bordit të ankesave të KPM (ky i fundit jo funksional për me tepër se dy vjet), ndikon negativisht në punën dhe dinamiken e punës në KPM. Duke qenë jofunksional të dy këto trupa, pamundësohet vendimmarrja dhe inicimi apo implementini i çfarëdo iniciative që ka të bëjë me rregullimin e shërbimeve mediale audiovizuale”- ka shtuar tutje ajo për KALLXO.com.

Ajo ka theksuar se pas funksionalizimit, çështjet të cilat KPM-ja do të duhej të trajtonte me prioritet janë transpozimi i Direktivës për Shërbime Mediale Audiovisuale – AVMS Directive (EU) 2018/1808, së pari në ligjin për KPM, çështja e rregullimit të pronësisë dhe koncentrimit te mediave, çështja e digjitalizimit e të tjera.

Në anën tjetër, javë më parë sekretari i përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të mos lejojë politizimin e KPM-së.

“Kuvendi i Kosovës sot pritet të zgjedhë tre anëtarë të rinj të Komisionit të Pavarur për Media (KPM). Jam thellësisht i shqetësuar kur dëgjoj se partia në pushtet e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje është gati të zgjedhë persona që janë përkrahës publikë të partisë së tyre” – ka shkruar Gutierrez më 3 maj në Facebook.

Për pretendimet e Guiterrez, KALLXO.com ka dërguar pyetje në Lëvizjen Vetëvendosje, por deri në publikimin e artikullit, nuk ka pranuar ndonjë përgjigje. 

Konkursi për zgjedhjen e tre anëtarëve të KPM-së, është përsëritur nga Kuvendi i Kosovës, pasi më 2 gusht të vitit 2021 asnjë nga kandidatët e propozuar nuk kanë arritur të marrin votat e mjaftueshme në Kuvend.

Atë kohë, procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të KPM-së ka nxitur reagim nga shoqëria civile në Kosovë dhe organizatave ndërkombëtare të gazetarëve.

KPM-ja është organ kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës. 

Në bazë të ligjit, KPM-ja licencon transmetuesit publik e privat, përcakton dhe zbaton politikën e transmetimit si dhe rregullon të drejtat, detyrimet si dhe përgjegjësitë e personave fizik dhe juridik të cilët ofrojnë shërbimet mediale audio dhe audiovizuele.

Ky institucion, i cili është edhe kategori kushtetuese, përbëhet prej Bordit të KPM-së dhe Bordit për Ankesa të Mediave. 

Sipas Ligjit për KPM-në, Komisioni i Pavarur i Mediave përbëhet nga shtatë anëtarë të cilët zgjidhen nga Kuvendi i Kosovës. 

Aktualisht, ky institucion ka vetëm katër anëtarë ndërsa tre të tjerë do të duhet të zgjidhen nga legjislativi. 

Legjislacioni në fuqi parasheh disa kushte për të qenë anëtarë i Komisionit të Pavarur të Mediave.

“Anëtarët e KPM-së duhet të jenë individë me kredibilitet dhe autoritet të lartë njerëzor, profesional dhe moral. Gjatë punës së tyre, anëtarët e KPM-së duhet të jenë plotësisht të përkushtuar, objektiv dhe të paanshëm”, janë kushtet që duhet të plotësojnë anëtarët e KPM-së, sipas ligjit. 

Zgjedhja e anëtarëve të bordit bëhet me shumicë të thjeshtë të votave, të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, së paku 61 vota.