Publikimi i raportit "Raportimi i mediave mbi marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë: Konflikt apo bashkëpunim". Foto: Naser Fejza/ KALLXO.com

Prezantohet raporti "Raportimi i mediave mbi marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë: Konflikt apo bashkëpunim"

Raportimi i mediave në kohë krizash mes Kosovës dhe Serbisë ishte tema e raportit që u prezantua sot në hapësirën e “Media Centar” në Çagllavicë.

Gjetjet e hulumtimit “Raportimi i mediave mbi marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë: Konflikt apo bashkëpunim” u prezantuan Kreshnik Gashi nga Internews Kosova dhe Tanja Maksiq nga BIRN Serbia.

Maksiq thotë se në hulumtim janë analizuar 942 tekste mediale në kohë krizash në veri të Kosovës.

Ky hulumtim përfundoi para rastit në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

“Kemi marrë tekstet mediale dhe i analizuam në mënyrë cilësore dhe sasiore. I kemi analizuar burimet që më së shumti citohen kur raportohet për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, cilat janë temat që më së shumti janë prekur. Kemi përzgjedhur datat kur tensionet në veri ishin në maje për të parë se a ndryshon raportimi në kohë krizash. Kemi përzgjedhur analizimin e 7 mediave në Serbi dhe 6 në Kosovë” – tha Maksiq.

Gjatë prezantimit u vu në pah që manipulimet më të shpeshta vijnë me “click-bait”.

Maksiq tha që në Serbi ka favorizim të mediave proqeveritare dhe mungesa e të drejtave të gazetarëve e sigurisë ndikon në cilësinë e raportimeve, pasi që edhe zëri i mediave proqeveritare mbisundon më shumë.

“Kemi parë që raportimi i mediave për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë është intensiv dhe shumica janë lajme të shkurta. Nuk jemi të lumtur me numrin e burimeve që janë cituar nga mediat. Presidenti i Serbisë është burimi kryesor i cituar. Në mediat serbe asnjëherë nuk dëgjohet zëri i zyrtarëve të Kosovës edhe kur ka takime dypalëshe. Në më shumë se gjysmën e teksteve kemi parë që raportimet me fotografi janë përqendruar te politikanët e nuk e shihni jetën e qytetarëve” – shtoi Maksiq.

Sipas Maksiq, në Serbi gjatë krizave, mesazhet homogjenizohen, qëndrimin e presidentit Vuçiq e rrisin zyrtarët e tjerë qeveritarë por ka raste kur edhe opozita qëndron në të njëjtën vijë.

Ndërkaq, Kreshnik Gashi, bazuar nga hulumtimi në Kosovë tha se mediat ende i kanë politikanët si burim kryesor të informacionit.

“E gjetura kryesore konsiston që mediat nuk e kanë kaluar faktin që politikanët mos me qenë burimi i parë i informacionit. Gazetarët duhet me fillu me kuptu që politikanëve u lejohet me rrejtë por që gazetarët me pasë një filtër që mos me transmetu rrenën e tyre” – deklaroi Gashi.

Sipas Gashit, në kohë krizash nëse politikanët janë burimi i parë i informatës atëherë nuk ka filtra se çka thuhet.

“Nëse kishin me qenë Prokuroria e Policia si burimi kryesor aty ka filtra dhe jepet informata e saktë. Po i mbyllim sytë për problemet e qytetarëve dhe po raportohet për ato që është agjendë e politikanëve. Problematike ka qenë edhe raportimi për procesin e dialogut sepse ka pasur terr se çka po ndodh atje dhe nuk ofrohet njohuri mbi jetën reale dhe problemet reale të dy komuniteteve” – shtoi Gashi.

Megjithatë, Gashi shtoi që mediat e Kosovës kanë pasur kujdes që të mos përhapin mosdurim ndëretnik, teksa shtoi se vërehet prezenca e “click-bait”.

“Ka komunitete që ndihen te frikësuara me dalë dhe me thënë të vërtetën dhe atë që e mendojnë. Ndëshkimi i atyre që folën në publik, largimet prej punës e presionet kanë ndikuar në frikën e njerëzve për të folur të vërtetën apo me dhënë mendim ndryshe”- tha Gashi.

Analiza e Internews Kosova dhe BIRN Serbia vjen në përfundim se “perspektivat dhe jetët e qytetarëve të zakonshëm në terren shfaqen rrallë, jo vetëm në lidhje me trajtimin e problemeve të përditshme të shkaktuara nga situatat politike të pazgjidhura, por edhe në lidhje me potencialet për bashkëpunim reciprok”.

Rekomandimet e raportit për gazetarët dhe mediat:

– Zgjero bazën e burimeve, jepnu “të tjerëve” mundësinë për të shprehur opinionet e tyre,

– Theksoni tema që tregojnë bashkëpunimin dhe ndërtimin e paqes,

– Trajtoni raportimin për ngjarjet me një vëmendje gazetareske të veçantë, duke shmangur viktimizimin dhe diskriminimin më tej,

– Jepnu zë qytetarëve, sfidave dhe mundësive të jetës reale të tyre,

– Kërkoni llogari prej qeverive dhe vendimmarrësve dhe pyesni për politikat e tyre, përfshirë ato mbi marrëdhëniet ndërmjet shteteve,

– Zhvilloni standarde etike të brendshme dhe zgjeroni më tej kodet ekzistuese të gazetarëve për të siguruar saktësi, vërtetësi dhe përgjegjësi,

– Investoni në punë në terren dhe në histori dhe imazhe nga të dy komunitetet, prezantoni jetën reale dhe siguroni saktësi në prezantimin vizual.

Pas prezantimit të raportit të hulumtimit u mbajt edhe tryeza e diskutimit me titullin “Në mes narrativave konfrontuese – Sfidat në raportimin nga Kosova”.

Zorica Vorguçiq nga “KIM Radio” thotë se në veri politikanët po u shmangen gazetarëve.

“Mendoj që rasti më 29 maj në Zveçan dhe ajo e 24 shtatorit në Banjskë ishin më të këqijat. Hisedarët politikë në veri zakonisht po iu shmangen deklaratave e gazetarët shpesh nuk e kanë mundësinë për të bërë pyetje por edhe konferencat për mediat po janë të rralla apo edhe thirren në konferencë vetëm disa media të caktuara” – deklaroi Vorguçiq.

Vorguçiq thotë se njerëzit në veri po u shmangen kamerave sepse frikësohen se mund të ndëshkohen.

Jeta Xharra, drejtoreshë e BIRN Kosova, theksoi nevojën e njohjes së gjuhës shqipe dhe asaj serbe nga gazetarë shqiptarë e serbë.

“Kisha pasë qejf me u koncentru në dobësitë tona si sektor dhe me tentu me kriju gazetarë që nuk shkrujnë duke u përplasë me vetvetën dhe narrativat që i shkruajnë. Edhe gazetari që ka me ba fact-check për krizë në veri, nuk ka me mund me ba sepse nuk e di gjuhën e tjetrit. Gazetari serb dhe gazetari shqiptar pritet prej tij me mbulu krizën pa pasë kurrë komunikim e me taku gazetarë serb e ai serb gazetar shqiptar. Nuk duhet me humbë shansin e një katastrofe sepse kur ndodh një rast i tensionuar si ky në veri, ne si dëm anësor me nxit kuriozitet me mësu serbishten”- tha Xharra.

Darko Dimitrijeviq nga “Radio Gorazhdeci” tha se nganjëherë gazetarët po përfaqësojne interesin e politikanëve dhe jo atë publik.

“Është e dhimbshme kur gazetari përfaqëson interesin e pushtetit dhe jo interesin publik. Dallimet janë të mëdha dhe politikanët i shfrytëzojnë këto. Në frekuencat publike si në Serbi e Kosovë flasin analistë që flasin budallallëqe për anën tjetër dhe mungon esenca, kjo është problematike. Në Serbi u tentua që të shpallen heronj sulmuesit kurse në Kosovë një medium doli duke thënë se policia po largohet nga veriu me këngët e UÇK-së, nuk janë në interes publik këto raportime. Nëse nuk e respektojmë minimumin e interesit publik, ne bëhemi pjesë e një agjende politike”-deklaroi Dimitrijeviq.

Dimitrijeviq inkurajoi që nëse mësojmë gjuhën e tjetrit, të tejkalojmë dallimet kulturore dhe të solidarizohemi më shumë, gjendja do ishte më e mirë.

Vera Pula, drejtoreshë e platformës “Hapësirat për ndryshim shoqëror”, thotë se dialogu Kosovë-Serbi ka ndikuar në agresivitetin e narrativave.

“Me sa kam përcjellë unë, ka shumë portale dhe njerëz që informohen prej rrjeteve sociale që përfshijnë komente e tifozllëk që kontaminon shoqërinë. Dialogu ka ndikuar edhe në avansim të shoqërisë, e kam fjalën në zhvillimin e mediave në serbisht në Kosovë, ka pas edhe para dialogut por tani ka rritje të tyre. Është duke u krijuar edhe një kolegialitet mes gazetarëve të dy etnive, që është dallim i madh nga lufta dhe paslufta”, deklaroi Pula.

Ngjarja e plotë: