E kaluara 'armiqësore' mes Vetëvendosjes dhe LDK-së dhe rrugëtimi maratonik drejt koalicionit

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) deklarimet, dallimet dhe takimet e disa muajve arritën t’i zyrtarizojnë në një koalicion të dielën e 2 shkurtit 2020, gati 4 muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Pas një sërë takimesh mes grupeve punuese të të dyja subjekteve për harmonizimin e programit të përbashkët qeverisës, si dhe dhjëtera takimeve në nivel kryetarësh, lideri i LVV-së, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa i vunë firmën një dokumenti për qeverisje të përbashkët në 4 vitet e ardhshme, duke lëshuar pe për pozitat për kryeparlamentarin dhe për president të vendit.

Por e kaluara “e errët” e marrëdhënieve mes dy liderëve të këtyre partive politike ende është e freskët për t’u kujtuar.

Që pas tërheqjes së kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa në vitin 2014 nga marrëveshja e koalicionit VLAN (LDK-LVV-AAK-Nisma) për t’iu bashkuar PDK-së në krijimin e Qeverisë, Kurti e Mustafa i prishën raportet aq fort sa ofendonin njëri-tjetrin.

Vetëvendosje me protesta të dhunshme kundërshtonte marrëveshjet që silleshin nga Qeveria Mustafa, përderisa kjo e fundit e akuzonte LVV-në për bllokim të çështjeve në interes të vendit.

Por votat e qytetarëve në zgjedhjet e 6 tetorit, të cilat LVV-në e nxorën të parën e LDK-në të dytën, kanë ‘obliguar’ ata që të ndajnë ‘hiset’ në ekzekutiv, duka ua kërkuar ndryshimin për të mirë.

Njohës të çështjeve politike në Kosovë vlerësojnë se LVV dhe LDK duhet të mbajnë premtimet për qeverisje të mirëfilltë në interes të qytetarëve.

Mexhide Demolli-Limani nga Lëvizja “Fol” shpreson që e kaluara konfrontuese mes dy liderëve që dikur ishin në opozitë, mbetet e kaluar.

“Ne kemi pasur raste të ngjashme edhe mes liderëve të tjerë në të kaluarën por që prapë kanë bashkëqeverisë edhe pse asnjëherë për një mandatë të plotë”, thotë ajo për Gazetën Jeta në Kosovë.

Demolli-Limani ka shtuar se qytetarët kanë kërkuar dhe kanë votuar për ndryshim.

“Këtë e tregon edhe përqindja e ulët mes dy partive që kanë dalë të parat në zgjedhje duhet të jetë një mesazh i qartë edhe për partitë që do të bashkëqeverisin në katër vitet e ardhshme. Qytetarët presin ndryshim në qeverisje për të cilin edhe kanë votuar”, theksoi ajo.

Sipas rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në zgjedhjet e 6 tetorit LVV-ja ka fituar 26,27 për qind të votave, kurse LDK-ja 24,54 për qind.

Demolli-Limani ndër të tjera thekson, se e kaluara konfrontuese nuk do duhej të paraqet problem nëse LVV dhe LDK, qëndrojnë prapa premtimeve që iu kanë dhënë qytetarëve deri me tani edhe pse, sipas saj mund të ketë sfida në këtë drejtim.

Ndërkaq, analisti politik Ramush Tahiri ka thënë së përtej afrimit Kurti-Mustafa, programi qeverisës i tyre duhet të ketë transparencë.

“Nuk do të thotë që do të ketë afrim mes Kurtit dhe Mustafës, as nuk është e nevojshme dhe as e arsyeshme të ketë. Është e arsyeshme të ketë kompromis për të  bërë një program qeverisës, të bëhet në interes të qytetarëve dhe të shihet se a janë duke e realizuar apo jo”, tha ai për Gazetën Jeta në Kosovë.

Tahiri thekson se bashkimi LVV-LDK nuk është ideologjik apo i platformave por për qeverisje, duke shtuar se dallimet në përceptim mes tyre janë ekzistente.

“Sa i përket ligjeve që i kemi tash, Kushtetutës ka dallime shumë të mëdha  në përceptim ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së. Për shembull për LDK-në pjesa më e madhe e Kushtetutës është e pranueshme, për Vetëvendosjen nuk është dhe synon ta ndryshojë”, thotë politologu.

Lëvizja Vetëvendosje për herë të parë pritet të jetë në krye të qeverisë, përderisa LDK-ja pritet të rikthehet në pushtet, pas pozicionimit si opozitë në legjislativin e kaluar.

Lidhur me këtë, Ramush Tahiri thotë se karakteristikë e kësaj qeverie do të ishte sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Në këtë punë kanë interes të dyja që të punojnë, pasi kjo do të ju ndihmojë edhe në përkrahje të ndërkombëtarëve, por edhe në aspektin e brendshëm”, tha analisti politik për Gazetën JnK.

Ndërkaq, të hënën në orën 11:00 pritet të votohet qeveria e re e Kosovës në krye me Albin Kurtin e VV-së dhe në bashkëqeverisje me LDK-në e Isa Mustafës.